Suedia po lufton me bandat kriminale brenda vendit, ndërsa NATO-ja duhet ta mbrojë nga kërcënimet e jashtme ushtarake

Foto: Tarjei Mo, CC BY-SA 4.0, via Wikimedia Commons

Çështjet lokale si dhuna nga bandat, të shtënat, tregtia me drogë apo krimi i organizuar janë në kompetencë të autoriteteve kombëtare të Suedisë — para së gjithash të Policisë Suedeze (Polisen), Shërbimit Suedez të Sigurisë (Säkerhetspolisen – Säpo) dhe sistemit gjyqësor

 

Ne po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin shkruhet:

Suedia hoqi dorë nga neutraliteti i saj që NATO ta mbrojë nga Rusia, megjithatë NATO nuk mund ta mbrojë nga bandat e rrugës.

Në kuadër të postimit shpërndahet një link nga një artikull mediatik i “Informer”-it me titull: “Vajzat e gjelbra – trendi i ri vdekjeprurës mes bandave suedeze, zgjedhin gra të reja që bëhen armë të mafies.”

Artikulli konkret i referohet një vajze në Suedi nga gjenerata Z, e cila ishte rekrutuar për të blerë dhe përzier përbërës për bomba zjarrvënëse. Sipas Prokurorisë Suedeze, ajo ishte rekrutuar nga bandat për të luajtur një rol kyç në një fushatë me sulme me bomba, gjatë së cilës u dogjën shtatë objekte që i përkisnin një bande rivale të përfshirë në luftë midis klaneve të drogës. Arsyeja pse ishte angazhuar pikërisht një vajzë e tillë, sipas artikullit fillimisht të botuar nga “Daily Mail”, ishte se ajo ishte një “vajzë e gjelbër” – term i ri suedez që i referohet një vajze, mosha e re dhe mungesa e dosjes kriminale e së cilës e bëjnë më pak të dyshimtë për policinë.

Në tekst thuhet se edhe në Suedinë “politikisht korrekte”, askush më nuk heziton të flasë hapur për bandat që ekzistojnë. Bandat, të cilat e kanë kthyer dikur Suedinë e qetë në “kryeqytetin evropian të vrasjeve”, kontrollohen nga të ardhurit dhe pasardhësit e tyre, ndërsa “ushtarët” që shpërndajnë drogën dhe sulmojnë rivalët janë të rinj të margjinalizuar që veprojnë nga lagjet periferike dhe të errëta.

Një raport për rolin e grave dhe vajzave në bandat e organizuara suedeze, i publikuar javën e kaluar nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Krimit, tregon se ekziston një barazi gjinore në këto struktura, shkruan “Daily Mail”.

Në artikull gjithashtu theksohet se, ndërsa puna e policisë suedeze kundër këtyre bandave bëhet më efektive, krerët e tyre po kthehen gjithnjë e më shumë drejt grave dhe po kërkojnë taktika të reja – njëra prej tyre është rekrutimi i “fëmijëve suedezë etnikë” me flokë të verdha dhe sy blu.

Në postimin që po recensojmë mungon konteksti. Suedia nuk është në rrezik nga lufta për shkak të bandave, as ato nuk përbëjnë kërcënim për integritetin e saj territorial, siç përfaqëson Rusia. Suedia zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s më 7 mars 2024, pas më shumë se 200 vjetësh neutraliteti ushtarak – politikë që Suedia e ruajti edhe gjatë dy luftërave botërore dhe Luftës së Ftohtë. Vendimi për t’u bashkuar me NATO-n u mor si përgjigje ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ngjarje që ndryshoi ndjeshëm opinionin publik suedez dhe konsensusin politik mbi sigurinë. Pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi thelbësisht mënyrën se si Suedia – dhe fqinja e saj Finlanda – e shikonin sigurinë e tyre kombëtare dhe rajonale.

Arsyeja kryesore që Suedia u bashkua me NATO-n ishte garancia e sigurisë sipas Nenit 5, sipas të cilit mbrojtja kolektive e NATO-s do të thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Me anëtarësimin, Suedia fiton mbrojtje nga kjo obligim i ndërsjellë për mbrojtje. Pushtimi i Ukrainës tregoi se agresioni ushtarak në Evropë është sërish një skenar i mundshëm. Suedia e sheh anëtarësimin në NATO si një mjet për të frenuar kërcënimet e mundshme nga Rusia. Para vitit 2022, shumica e suedezëve ishin kundër anëtarësimit në NATO. Pas pushtimit rus, mbështetja publike u rrit ndjeshëm dhe shumica u bë “pro”.

NATO nuk është përgjegjëse për trajtimin e krimit të brendshëm, siç janë bandat e rrugës, droga apo dhuna. Roli i NATO-s është i fokusuar në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë ndërkombëtare, jo në zbatimin e ligjit brenda vendit. Konkretisht, NATO mbron vendet anëtare nga kërcënimet ushtarake të jashtme, si pushtimet ose sulmet nga shtetet e tjera, dhe nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të vendeve, në operacionet policore apo në parandalimin e krimit.

Çështjet si dhuna në rrugë, krimi i organizuar dhe trafiku i drogës janë në kompetencë të policisë kombëtare, gjykatave dhe sistemit gjyqësor, jo të NATO-s. Në rastin e Suedisë, anëtarësimi në NATO forcon sigurinë kombëtare dhe rajonale, kryesisht kundër kërcënimeve të mundshme të jashtme, veçanërisht në rajonin baltik. Suedia gjithashtu ka strategji kombëtare kundër krimit të organizuar. 

Në institucionet evropiane po zhvillohen debate për problemin e bandave në Suedi. “Euractiv” raportoi para një jave se, për shkak të krizës me bandat në Suedi, vendi po propozon të ulë moshën e përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjet. Nëse reforma miratohet, ajo do të lejojë që personat 13 dhe 14 vjeç të përballen me dënime me burg për krime të rënda, si përgjigje ndaj shqetësimeve shumëvjeçare për bandat kriminale që rekrutojnë të mitur për të përdorur armë zjarri, për të hedhur bomba dhe për të vrarë, duke shfrytëzuar faktin se personat nën 15 vjeç nuk mund të ndiqen penalisht.

Suedia ka miratuar një seri strategjish lokale për të parandaluar rekrutimin e të rinjve në banda. Këshillat për parandalimin e kriminalitetit tani veprojnë në shumicën e komunave, me përpjekje të koordinuara midis policisë, shkollave dhe shërbimeve sociale. Sipas Ligjit për përgjegjësinë komunale në parandalimin e kriminalitetit, autoritetet lokale janë të detyruara të analizojnë trendet e kriminalitetit dhe të hartojnë plane parandaluese dy herë në vit. Këshilli Kombëtar Suedez për Parandalimin e Kriminalitetit ka bërë të ditur se këto përpjekje ndihmojnë në uljen e rekrutimit në disa zona me rrezik të lartë në Stokholm. Çështjet lokale si dhuna nga bandat, të shtënat, trafiku i drogës ose krimi i organizuar janë në kompetencë të autoriteteve kombëtare të Suedisë – para së gjithash të Policisë Suedeze (Polisen), Shërbimit Suedez të Sigurisë (Säkerhetspolisen – Säpo) dhe sistemit gjyqësor.

Për shkak të të gjitha këtyre fakteve, postimi që po recensojmë vlerësohet si një postim që i mungon konteksti. 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.