Sipas fakteve shkencore vaksina është mjeti më efikas për mbrojtje nga COVID19

Edhe pse është shpjeguar e stër shpjeguar, bazuar në fakte shkencore, se aktualisht vaksina është mjeti më i efikas mbrojtës në luftën kundër COVID19 në rrjetet sociale vazhdon fushata dezinformuese kundër vaksinimit. Një shembull konkret është dhe përmbajtja që recensojmë, e cila vetëm pak kohë pasi është shpërndarë në rrjetet sociale ka zhvilluar interaksion mjaftë të lartë. Shqetësues është edhe revolta ndaj vaksinës dhe shkencëtarëve e cila vërehet në komentet e njerëzve të manipuluar nga lajmet e rrejshme, shkruan Portalb.mk. 

“Mj.ekët Gjermanë Alarmojne: ‘Zgjohuni Veproni’ Mos Pran.oni Të V Aksin,oheni, Ja Çfarë Fshihet..!” është titulli i përmbajtjes që dezinformon. Vetëm brenda 3 ditësh pasi është shpërndarë në rrjetet sociale kjo përmbajtje ka grumbulluar rreth 610 pëlqime, 180 komente dhe është shpërndarë rreth 400 herë nga përdorues tjerë në “Facebook”. Akoma më shqetësues se interaksioni i postit në “facebook” është natyra e ashpër e komenteve ofenduese ndaj procesit të vaksinimit dhe shkencëtarëve.

Po aq sensacional sa titulli është edhe brendia e përmbajtjes që recensojmë. Përmbajtja nuk i ofron lexuesit fakte shkencore apo informacion të bazuar në burime relevante, por bazohet në supozime dhe pretendime të një autori të panjohur.

Në paragrafin e parë, përmbajtja pretendon se ka një numër të madh ekspertësh në botë të cilëve media nuk u jep hapësirë, megjithatë lexuesit nuk i ofrohet as edhe një emër nga këto “ekspertë të shumtë” të anashkaluar nga mediat. Në paragrafin e dytë pretendohet se vaksina do të ndikojë në ndryshimin e ADN-së. Në një mënyrë të paqartë thuhet se vaksina “nuk do të jetë e dëmshme vetëm për 700 mijë raste por shumëfish më shumë nga rastet që deklaron Gates”!

Më poshtë autori i përmbajtjes na flet për dy ekspertë të cilët nuk ngurojnë të shprehen haptas kundër vaksinës, megjithatë përmendet vetëm emri i një mjeku gjerman, Uolfgang Uodrad.

“Ja dy shembuj, të dy eksp ertëve që reagojnë dhe nuk ngurojnë të shprehen hapur:

Mjeku Wolfgang Wodarg është një specialit i mushkërive, kreu i Departamentit të Shëndetit Publik për shumë vite në Gjermani, Anëtar i Bundestag-ut Gjerman prej vitit 1994 deri në vitin 2009, për një kohë të gjatë Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Bundestag-un gjerman, iniciator i “Komitetit të Investigimit të Gripit Swine”. Si mjek dhe si politikan i çështjeve të shëndetit ai thotë: “Kjo vaksinë gjenetikisht vendos në alert personin e vaksinuar. Jemi të shqetësuar për bimët e modifikuara gjenetikisht, edhe për kafshët e modifikuara. Tani më, jemi ne njerëzit që duhet të mofidikohemi gjenetikisht nga ky vaksinim.

Si funksionon vaksina në organizimin e njeriut?

Duke pasur parasysh numrin e lartë të dezinformatave rreth vaksinimit, Organizata Botërore Shëndetësore vazhdimisht punon për ta sqaruar publikun se çfarë funksioni kanë në të vërtetë vaksinat. Në një seri të re shpjegimesh për opinionin OBSH ka publikuar një artikull të ri informues.

Mikrobet janë kudo rreth nesh, si në mjedisin tonë ashtu edhe në trupin tonë. Kur një person është i ndjeshëm dhe ndeshet me një organizëm të dëmshëm, kjo mund të çojë në sëmundje dhe vdekje. Trupi ka shumë mënyra për të mbrojtur veten kundër patogjenëve (organizmave që shkaktojnë sëmundje). Lëkura, mukoza dhe ciliat (qimet mikroskopike që largojnë mbeturinat nga mushkëritë) të gjitha funksionojnë si barriera fizike për të parandaluar hyrjen e patogjenëve në trup në radhë të parë. Kur një patogjen infekton trupin, mbrojtja e trupit tonë, e quajtur sistemi imunitar, aktivizohet dhe patogjeni sulmohet dhe shkatërrohet ose mposhtet. Patogjen është një bakter, virus, parazit ose kërpudhat që ka aftësinë të shkaktojë sëmundje brenda trupit.

Ilustrim se si funksionon sistemi jonë imunitar. Përshtatur në shpjegimin e OBSH-së

Si ndihmon vaksina në rastet kur trupi jonë nuk ka antitrupa mbrojtës?

Vaksinat përmbajnë pjesë të dobësuara ose joaktive të një organizmi të caktuar (antigjen) që shkakton një përgjigje imune brenda trupit. Vaksinat më të reja përmbajnë planin për prodhimin e antigjeneve (apo ADN) dhe jo vetë antigjenin. Pavarësisht nëse vaksina përbëhet nga vetë antigjeni apo nga plani që trupi të prodhojë antigjenin, ky version i dobësuar nuk do të shkaktojë sëmundjen tek personi që merr vaksinën, por do të nxisë sistemin e tyre imunitar të përgjigjet sa më shumë. do të kishte reagimin e parë ndaj patogjenit aktual.

Disa vaksina kërkojnë doza të shumëfishta, të dhëna me javë ose muaj. Kjo ndonjëherë nevojitet për të lejuar prodhimin e antitrupave jetëgjatë dhe zhvillimin e qelizave të kujtesës. Në këtë mënyrë, trupi trajnohet për të luftuar organizmin specifik që shkakton sëmundje, duke ndërtuar kujtesën e patogjenit në mënyrë që ta luftojë shpejt atë nëse dhe kur ekspozohet në të ardhmen.

A mundet të shkaktojë vaksina modifikim gjenetik?

Shkencëtarët thonë se është i pavërtetë pretendimi se vaksina anti-COVID shkakton modifikim gjenetik tek njeriu. Këto vaksina janë dizajnuar që ti stimulojnë proteinat të krijojnë përgjigje imunitare kundër COVID-19, duke përdorur gjene të virusit. Ekspertë botëror deklarojnë për Reuters se teoria në fjalë është një mit që përhapet në të gjithë botën nga aktivistë të anti-vaksinimit me qëllim që të krijohet konfizion në opinion:

“Modifikimi gjenetik do të përfshinte futjen e qëllimshme të ADN-së së huaj në bërthamën e një qelize njerëzore, vaksinat nuk e bëjnë këtë gjë. Vaksinat funksionojnë duke trajnuar sistemin imunitar për të njohur një patogjen kur përpiqet të infektojë trupin – kjo bëhet kryesisht nga injektimi i antigjeneve virale ose viruseve të dobëta të gjallë që stimulojnë një përgjigje imune përmes prodhimit të antitrupave. ADN-ja [në vaksinat e ADN-së] nuk integrohet në bërthamën qelizore kështu që ky nuk është modifikim gjenetik”-  shpjegon Mark Lynas nga grupi “Aleanca për Shkencën” në Universitetin Cornell.

Kush është mjeku gjerman Uolfgang Uodrag?

Është e vërtetë se Uolfgang Uourd është mjek dhe politikan i cili praktikën mjekësore e ka braktisur në vitin 1994, madje është një figurë mjaftë prezente në media. Ai me theks të veçantë u bë i njohur gjatë diskutimit publik rreth pandemisë COVID-19 kur argumentoi se SARS-CoV-2 ishte vetëm një nga shumë viruse të parëndësishme i cili vetëm shkakton infeksione sezonale të frymëmarrjes. Vëmendje të madhe të opinionit publik, Uolfgang Uodrag  bashkë me një ish punonjës të kompanisë Pfizer, tërhoqi dhjetorin e vitit të kaluar kur përhapën teorinë se vaksina anti-COVID do të shkaktojë sterilitet tek femrat. Kjo teori u mohua nga shkencaëtarët tjerë megjithatë shumë njerëz u ndikuan nga këto komente dhe frikësoheshin të vaksinohen. Tash pas gati një viti, me fakte reale kjo teori spekuluese ra poshtë, ka një numër të madh grash të cilat kanë mbetur shtatzëna dhe kanë lindur edhe pasi janë vaksinuar.

Uolfgang Uodrag njihet dhe për komente tjera kontroverse rreth pandemisë COVID-19. komente të cilat u kritikuan ashpër nga komuniteti i shkencëtarëve, politikanët dhe mediat. Sipas kritikëve, pretendimet e Uodarg binin në kundërshtim me faktet e verifikueshme. Disa nga deklaratat e tij nuk kishin asnjë bazë verifikuese dhe shpesh faktet e paraqitura nga Uodarg nuk kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.