Sindroma “vdekje e papritur” nuk lidhet me vaksinimin

Фото: pixabay.com

Postimi keqinformon se vaksinimi shkakton rritje të shkallës së vdekjeve nga sindroma e “Vdekjes së Papritur-SADS”. Incidenca e Covid-19 është e lidhur ngushtë me rritje të incidencës së arrestit të papritur kardiak dhe normave më të ulëta të mbijetesës. Në fakt, Fondacioni i Sindromës së “Aritmisë së papritur” rekomandon që të gjithë pacientët me SADS të marrin vaksina kundër Covid-19. Vaksinat kundër Covid nuk lidhen me vdekjen e papritur tek të rriturit apo fëmijët në përgjithësi. Miokarditi, inflamacion i muskujve të zemrës, shoqërohet në raste jashtëzakonisht të rralla pas vaksinimit, por problemet e zemrës pas kontraktimit të Covid-19 janë të zakonshme, sipas Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.

 

Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se rastet e vdekjeve të papritura lidhen me vaksinimin. Një pretendim i tillë është i pasaktë dhe i pabazuar.

Të mos bëhemi të verbër kur kemi sy dhe të shurdhër kur kemi dëgjim.

Arsyeja e vetme e shfaqjes së sindromës së re që kaplon të gjitha moshat, quhet

“Vdekje e papritur” është në foto.

Dhe një gjë tjetër…

Nëse censurojnë postimin, kjo nuk është për shkak të përhapjes së informacionit të rremë, por për shkak të publikimit të AGJENDËS së tyre.

Në postim nuk shkruan në mënyrë eksplicite se vaksinimi është fajtor për shfaqjen e “sindromës së re” – “vdekjes së papritur”, por në të është bashkëngjitur një foto që tregon një vaksinë. Megjithëse fotografia nuk tregon drejtpërdrejt vaksinën kundër koronavirusit, vetë postimi aludon për ato vaksina.

Sindroma e vdekjes së papritur te të rriturit, e njohur edhe si SADS, ndodh kur një person nën moshën 40 vjeç përjeton vdekje të papritur pa një shkak të njohur pas një autopsie dhe ekrani toksikologjik (test i drogës), shkruan “Health Desk”.

Më së shpeshti, SADS mendohet të ndodhë kur zemra zhvillon një ritëm jonormal, i njohur ndryshe si aritmi. Kjo zakonisht mund të shkaktojë që zemra të rrahë në një ritëm të parregullt që është shumë i shpejtë ose shumë i ngadaltë. Nëse aritmia nuk diagnostikohet dhe trajtohet, ajo mund të çojë në një atak në zemër.

Shumica e shkencëtarëve mendojnë se SADS shkaktohet nga një gjendje e zemrës që ndërhyn në sistemin elektrik të zemrës. SADS nuk është njësoj si ataku në zemër (i quajtur edhe infarkt i miokardit) sepse nuk shkaktohet nga bllokimi, por nga aritmi.

“Vdekjet e papritura gjatë gjumit tek të rinjtë” u vu re për herë të parë në literaturën mjekësore në 1917. Megjithatë, ka shumë të ngjarë që kjo të ketë ndodhur tek të rriturit prej shekujsh.

Faktorët më të mëdhenj të rrezikut për SADS janë një sulm i mëparshëm në zemër ose sëmundje koronare të zemrës, duke pasur parasysh se 75 për qind dhe 80 për qind të rasteve të SADS që lidhen me këto kushte.

Sipas Health Desk, faktorë të tjerë të mundshëm rreziku përfshijnë:

  •  Probleme me zemrën, ritëm jonormal të zemrës; sindroma Wolff-Parkinson-White; episod i të fikëtit pa një shkak të njohur; rrahje jashtëzakonisht të shpejta ose të ngadalta të zemrës; bllokime të zemrës; dobësim i lindur ose aktual i zemrës; kardiomiopatia (e zgjeruar dhe hipertrofike); ndryshimet në kalium dhe magnez në gjak; muskujt e trashë të zemrës; dhe takikardi ventrikulare ose fibrilacion pas një ataku kardiak
  • Historia familjare
  • Gjentika
  • Trashësia
  • Diabeti
  • Përdorimi i ilaçeve

Vaksinat kundër Covid nuk lidhen me vdekjen e papritur tek të rriturit apo fëmijët në përgjithësi. Miokarditi, një inflamacion i muskujve të zemrës, shoqërohet në raste jashtëzakonisht të rralla pas vaksinimit, por problemet e zemrës pas infektimit me Covid-19 janë të zakonshme, sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA.

Incidenca e Covid-19 në komunitete është e lidhur ngushtë me incidencë më të lartë të arrestit të papritur kardiak dhe shkallë më të ulët të mbijetesës. Në fakt, Fondacioni i Sindromës së Aritmisë së Papritur rekomandon që të gjithë pacientët me SADS të marrin vaksinat kundër Covid-19.

Dr. Michael Ackerman, një profesor në Kolegjin e Mjekësisë të Klinikës Mayo, thotë se dy vjet pas fillimit të pandemisë së koronavirusit, nuk ka asnjë tregues se programi më i madh i vaksinave në botë ka shkaktuar rritje të vdekjeve nga këto kushte (SADS).

Edhe sipas Sistemit të Mbikëqyrjes dhe Monitorimit të Ngjarjeve të Padëshiruara të Vaksinave në SHBA, VAERS, SADS nuk është raportuar si reagim negativ ndaj vaksinës.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që vaksinimi kundër Covid-19 shkakton rritje të shkallës së vdekshmërisë nga sindroma SADS.

 

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.