Shekerinska nuk përgatitet të largohet për në SHBA si ambasadore
[Recension: A është duke e lënë edhe Shekerinska anijen që po fundoset: Përgatitet për ambasadore në SHBA?]
Teksti që e recensojmë është i njëanshëm dhe tendencioz. Ai synon të arrijë qëllim politik.
Linku deri te artikulli origjinal: A është duke e lënë edhe Shekerinska anijen që po fundoset: Përgatitet për ambasadore në SHBA?
Data dhe koha e publikimit: 23.1.2020
Data e recensionit: 27.1.2020
Recenzues: Ana Anastasovska
Teksti që i nënshtrohet këtij recensioni i referohet një artikulli të publikuar në portalin “In7”. Teksti ka një titull bombastik, duke aluduar në faktin se LSDM-ja do t’i humbasë zgjedhjet që do të mbahen më 12 prill dhe e transmeton informacionin se ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, do të shkojë si ambasadore në SHBA.
Duke iu referuar burimeve të larta në LSDM dhe në kabinetin e qeverisë, portali në gjuhën shqipe “In7” njoftoi se zëvendëskryeministrja dhe ministre e mbrojtjes Radmilla Shekerinska po përgatitet për një detyrë të re që do ta largojë atë nga skena e brendshme politike. Njëra nga figurat kryesore të LSDM-së në 20 vitet e fundit, do të bëhet ambasadore e Maqedonisë në SHBA, shkruan portali.
Ky është “lajmi” dhe aq, këtu përfundon storja. Së pari, nuk është shpjeguar pjesa e titullit në të cilën thuhet se “Shekerinska është duke e lënë anijen që po fundoset”. Është e qartë se teksti aludon në faktin se LSDM-ja do të humbasë në zgjedhje, por nuk ofron ndonjë pretendim serioz për një gjë të tillë. Lexuesit manipulohen duke i shtyrë të mendojnë se partia në pushtet do të mposhtet më 12 prill.
Së dyti, informacioni se Shekerinska do të shkojë si ambasadore në SHBA nuk është verifikuar, por vetëm është plasuar si e tillë. Këtu është anashkaluar rregulli themelor i gazetarisë se një informacion duhet të verifikohet nga sa më shumë burime të jetë e mundur para se të publikohet. Në këtë rast, do të ishte e mjaftueshme të kërkohet një deklaratë nga Shekerinska ose nga LSDM-ja.
Nga partia në pushtet, në një deklaratë për portalin Plusinfo, informacionet e këtilla i vlerësojnë si spekulime të pastra.
Ky është spekulim, nuk është e vërtetë. Zëvendëskryetarja Radmilla Shekerinska në rolin e saj politik, por edhe si ministre e mbrojtjes, jep një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, realizimin e programit të partisë, dhe veçanërisht në përmbushjen e interesave strategjike, siç është anëtarësimi në NATO. Me sa duket kundërshtarët politikë kanë frikë nga angazhimi i saj, të përballur me humbjen e zgjedhjeve në 12 prill, prandaj edhe plasojnë të pavërteta – thonë nga Qendra për komunikime e LSDM-së për Plusinfo-n.
Në nenin e parë të Kodit të Gazetarëve në mënyrë specifike thuhet se:
Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale e as nuk do të falsifikojë dokumente.
Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar.
Saktësia e informatës duhet të vërtetohet sa më shumë që është e mundur.
Fatkeqësisht, në këtë rast nuk është një verifikim i tillë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari