Sërish po përhapen të pavërteta se diskoteka ‘Puls’ në Koçan është djegur qëllimisht
Video materialet që ekzistojnë nga momentet e shpërthimit të zjarrit tregojnë se spërkatësit përfshijnë hapësirën mbi skenë ndërsa në skenë dhe në diskotekë zhvillohet performanca, por nuk e konfirmojnë atë që thuhet në postim se “diskoteka është djegur qëllimisht”.
Po rishikojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin shkruan:
Që nga vetë ngjarja e deri më sot, jam i bindur se DiskoKasollja në Koçan është djegur qëllimisht dhe dyshoj se po planifikojnë një KRIM të ri.
Nuk është e vërtetë se diskoteka „Puls“ në Koçan është djegur qëllimisht. Kjo nuk rrjedh as nga aktakuza që ngriti Prokuroria Publike, as nga materialet video që janë pjesë përbërëse e materialit provues, disa prej të cilave janë të disponueshme publikisht. Aktakuza e prezantuar në konferencën për shtyp nuk përmban veprën se „diskoteka është djegur qëllimisht“.
Aktakuza ka të bëjë me shumë seri të gabimeve të lidhura me mungesën e lejes dhe kushteve teknike dhe standardeve për funksionimin si diskotekë, përdorimin e materialeve të papërshtatshme dhe të lehtë për t’u djegur, si dhe faktin që numri i vizitorëve ka tejkaluar kapacitetin e lejuar, por sa i përket shkaktimit të zjarrit, nuk ka vepër për „shkaktim të qëllimshëm të zjarrit“. Përkundrazi, në aktakuzë thuhet se si rezultat i shumë gabimeve, më 16 mars, në mbrëmjen kritike, në një performancë të rënë dakord verbalisht dhe pa kontratë të nënshkruar me grupin muzikor DNK, për shkak të efekteve skenike gjatë performancës u dakordua përdorimi i materialeve piroteknike. Në klub janë lejuar vizitorë, përfshirë edhe fëmijë, duke tejkaluar numrin e vizitorëve të lejuar.
Janë aktivizuar tri fontana piroteknike në tri pajisje bazë me antenë teleskopike, të cilat janë blerë pa miratim. Fontanat hodhën shkëndija në drejtim të tavanit mbi skenë dhe si rezultat filloi djegia progresive e shkumës poliuretani me të cilën ishte mbuluar tavani në objekt. Zjarri u përhap shpejt në tërë objektin. Midis vizitorëve ndodhi një ikje masive, e pakontrolluar dhe panik, përmes daljes së vetme emergjente, e cila nuk ishte e sigurt sepse në rrugën për evakuim kishte një derë, me dy drejtime, që paraqiste pengesë për lëvizjen. Për shkak të mosrespektimit të plotë të rregullave të sigurisë nga zjarri, mbipopullimit të objektit me vizitorë, ndodhi shtyrje dhe rrëzim masiv i vizitorëve në korridor, me ç’rast largimi nga objekti u bllokua plotësisht dhe u shkaktuan pasoja të rënda, informuan nga Prokuroria.
Video materialet që ekzistojnë nga momentet e fillimit të zjarrit tregojnë se spërkatësit mbulojnë hapësirën mbi skenë ndërsa në skenë dhe në diskotekë po zhvillohet performanca, por nuk e konfirmojnë atë që thuhet në postimin që po e shqyrtojmë se „diskoteka është djegur qëllimisht“.
“Vërtetmatësi” më parë ka analizuar edhe postime të tjera të pasakta lidhur me ngjarjen e zjarrit në “Puls”, përfshirë dhe gënjeshtrën se “spërkatësit ishin të ftohtë”.
Nuk është hera e parë që qarkullojnë të pavërteta se „zjarri në Puls është ndezur qëllimisht“. Në të kaluarën kemi demaskuar pretendime të ngjashme që e lidhin këtë teori konspirative me “shtetin e thellë”.
Për shkak të të gjitha fakteve të përmendura më sipër, postimi që po shqyrtojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari