Sela nuk ka mundur ta legalizojë kazinonë e Mijallkovit në “Meriot”

 

 

Shkruan: Shefkije Alasani

Në lajmin me titullin tendencioz, “Sela legalizon kazinon e Mijallkovit në Meriot të cilin e recensojmë pretendohet se kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka legalizuar kazinonë e Sasho Mijallkovit.

 Edhe përkundër faktit se ky produkt mediatik nuk plotëson asnjë standard gazetaresk dhe bie ndesh me shumë parime të Kodit etik të gazetarëve, është publikuar në shumë portale informative në gjuhën shqipe.

 

Duket qartë se titulli që është përdorur për këtë artikull ka tendencë për manipulim të opinionit. E para, kreu i ASH-së nuk ka asnjë funksion shtetëror që i jep atij pushtetin të legalizojë diçka. Pastaj kombinimi i dy fotografive pa asnjë lidhje logjike, nuk e bën lajmin të besueshëm.

Kombinimi i dy fotografive, në këtë rast e fotografisë së objektit të Hotel Marriot dhe një fotografie tubimi para një bastore, nuk është hulumtim apo fakt që mund ta përdorësh për konkludime. Frymëzimi që autori ta titullojë në këtë mënyrë artikullin ka ardhur nga deklarata e Ziadin Selës rreth lojërave të fatit. Sa i përket kësaj çështje Sela është shprehur:

“Ne premtojmë se me ne në qeveri lojërat e fatit do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje, sepse hotelet me 5 yje garantojnë që e para, lojërat e fatit të jenë larg vendbanimeve, dhe e dyta, se ata nuk mund të jenë të qasshme nga çdokush dhe kjo do ta ndalë në mënyrë të kënaqshme këtë fenomen devijant.

Edhe më skandaloz se titulli është përmbajtja e tekstit. I mbushur përplot me gabime drejtshkrimore, teksti fillon me këtë paragraf:

“Lideri i Aleancës për Shqiptarët në një takim elektoral duke u ndalur tek fenomeni i lojërave të fatit tha se ato do të lejohen vetëm në hotele me 5 yje.Por me këtë rast kreu i ASH-së opozitare e ka legalizuar kazinonë e Sasho Mijallkovit në Meriot sepse ata i posedojnë të githa ato që i thotë Sela sepse pikërisht Hotel Meriot është me pesë yje dhe ka edhe kazino”.

“Gazetari” anonim i këtij produkti mediatik, në fakt e komenton takimin elektoral të një partie politike dhe madje akuzon për veprime që nuk janë realizuar. Ky paragraf bie ndesh me nenin 13 të Kodit Etik, ku thuhet:

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Në paragrafin e dytë gazetari në mënyrë aspak profesionale komenton lokacionin që kreu i Aleancës për Shqiptarët ka zgjedhur të mbajë një tubim elektoral. Duke mos paraqitur asnjë fakt ose burimi gazetari vjen në përfundime se në rrjetet sociale është bërë virale fotoja ku është mbajturi tubimi. Teksteti përfundon me fjalinë:

“Të përkujtojmë se këtyre ditëve Arben Taravari u pa në një fotografi deri në një kazino po bënte “fresk” TetovaSot.”

Kjo çështje është sqaruar ditë më parë nga Vërtetmatësi. Recesioni me titullin Fotografia në pishinën e hotelit “Kazino”, nuk nënkupton mbështetje për objektet e lojërave të fatit”, shpjegon fenomenin e gërshetimit të dy gënjeshtrave me qëllim që ta bëjë lajmin sa më të besueshëm.

Gjatë periudhës kur vendi është në fushatë elektorale, të gjitha platformat mediatike duhet me theks të veçantë ti përmbahen nenit 14 të Kodit etik:

Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.