Segmenti i parë i autostradës Shkup–Bllacë përfundoi në humnerë, ndërsa i dyti ende nuk ka filluar të ndërtohet

Foto: Printskrin TV 21

Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë me gjatësi prej 12,5 kilometrash është premtuar gjatë 15 viteve të fundit si nga VMRO-DPMNE, ashtu edhe nga LSDM dhe BDI, ndërsa vetë ideja është mbi 20 vjeçare. Për fat të keq, autostrada nuk arriti të ndërtohet nga asnjë qeveri. Segmenti i parë prej dy kilometrash është përfunduar, por përfundon në humnerë. Segmenti i dytë ende duhet të fillojë të ndërtohet. Nga ana e Kosovës, autostrada “Arbën Xhaferi” është ndërtuar që para shtatë vitesh, me gjatësi prej 65 kilometrash – nga kufiri me Maqedoninë deri në Prishtinë, dhe fqinjët tanë e ndërtuan atë për vetëm pesë vite.

 

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, vjeshtën e kaluar në emisionin “Click Plus” në TV21 (më 25 shtator) njoftoi se ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë do të fillojë në fund të nëntorit 2025 – fillim të janarit 2026.

Premtimi: Ky projekt po zbatohet me mbështetjen e BERZH-it. Afati për dorëzimin e ofertave skadon më 30 shtator. Do t’i shohim ofertat dhe së bashku me BERZH-in do të bëjmë një përzgjedhje dhe varësisht nga numri i ofertave, pres që kontraktori të vihet në funksion midis fundit të nëntorit dhe fillimit të janarit, varësisht nga kushtet e motittha Nikoloski, duke shtuar se afati i ndërtimit është tre vjet nga fillimi i aktiviteteve dhe kjo do të thotë se atje do të ketë autostradë deri në fillim të vitit 2029. 

[Burimi: Plusinfo; TV 21- emisioni „Click Plus“, (nga minuta 0:09 e videos) Data: 25.09.2025]

 

Arsyetim:

Premtimi i Ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikolloski se ndërtimi i autostradës deri në pikën kufitare të Bllacës do të fillonte midis fundit të nëntorit (2025) dhe fillimit të janarit 2026 nuk është përmbushur.

Edhe pse fillimi i aktiviteteve të ndërtimit në këtë pjesë u njoftua nga Ministri Nikolloski dhe zëvendësja e tij Kaltrina Zekoli-Shaqiri (minuta 0.30 e videos), kjo nuk ka ndodhur deri më tani (26.03.2026).

Autostrada me gjatësi 12,5 kilometra filloi të ndërtohet pothuajse para gjashtë vitesh, në maj të vitit 2020 – dy muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur nisën aktivitetet ndërtimore për segmentin e parë prej 2 kilometrash, nga pika kufitare deri te fshati Bllacë. Ky segment është përfunduar, por nuk çon askund – përfundon në humnerë. Ndërtimi i segmentit të dytë – nga nyja në “Stenkovec” deri te fshati Bllacë, me gjatësi 10,5 kilometra, ende nuk ka filluar.

Rrugë e humbur

Së fundmi në Kuvend (29 janar 2026), ministri Nikolloski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit nga Fronti Evropian, Ilir Hasani, theksoi se dy kilometrat përfundojnë fjalë për fjalë në humnerë dhe për këtë arsye nuk mund të vihen në përdorim.

Por ato dy kilometra, supozoj se udhëtoni shpesh për në Kosovë dhe e dini që nuk fillojnë askund, nuk mbarojnë askund, domethënë, publiku duhet ta dijë që nëse e konsiderojmë atë si fillim të autostradës, ato dy kilometra nuk fillojnë në pikën kufitare, por nëse udhëtoni nga Shkupi në Prishtinë ato fillojnë në të djathtë ose në lindje të pikës kufitare dhe nuk janë të lidhura me pikën kufitare. Ky është problemi i parë, dhe Kosova nga ana e saj ndërtoi autostradën deri në pikën kufitare, që do të thotë se, jo vetëm që humbet rruga, por humbet plotësisht..., tha Nikolloski (nga minuta 1:37:04 e videos). 

Ai shtoi se duhet të bëhet edhe një lidhje me pikën ekzistuese kufitare në Bllacë, sepse siç tha, “lidhje me kabllo ende nuk janë shpikur në transportin rrugor”, prandaj aty ku përfundojnë këta dy kilometra “duhet t’i lidhim me rrugën e vjetër, por nuk ka si, sepse përfundojnë në humnerë, përkatësisht në një gropë prej 50 metrash”.

Nikolloski theksoi se problemi është tejkaluar me ndihmën e kompanive profesionale konsulente, ndërsa tenderi për përzgjedhjen e kontraktorit për segmentin e dytë është në fazën përfundimtare.

Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ka përfunduar punën e saj. Është përzgjedhur një kontraktor potencial, të cilin Ndërmarrja Publike e konsideron si më të mirin. Përndryshe, ka pasur 11 oferta dhe tani vendimi është dërguar në Londër, në selinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), nga ku duhet të japin konfirmimin e kësaj përzgjedhjeje, duke marrë parasysh se fondet sigurohen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një pjesë e këtyre fondeve janë grante dhe të tilla janë rregullat e BERZH-it, kur përdorni fondet e tyre duhet të ndiqni sistemin e tyre të prokurimit publik, çfarëdo vendimi që të merrni në fund, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim duhet ta konfirmojë atë. Do të doja t’i bëja thirrje BERZH-it që të marrë një vendim sa më shpejt të jetë e mundur, duke marrë parasysh se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore e përfundoi punën në dhjetor dhe ne kemi pritur të marrim një përgjigje që nga dhjetori.

Dhe, ndërsa presin që të përfundojë vlerësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në mënyrë që të fillojnë punimet ndërtimore në seksionin e dytë të autostradës – 10.5 kilometra të gjatë, njerëzit shkojnë në Bllacë me makinë në rrugën e vjetër që u rindërtua dy vjet më parë (para zgjedhjeve të vitit 2024).

Autostrada më e shtrenjtë 

Ministri tha gjithashtu nga foltorja e parlamentit se kjo është autostrada më e shtrenjtë nga të gjitha ato që po ndërtohen në vend. Duke iu drejtuar deputetit Hasani, ai tha:

Unë supozoj se e dini, nëse nuk e dini, pyeteni ish-drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore nga partia juaj politike, se ato dy kilometra u tenderuan për 14 milionë euro, por në fund u paguan 28 milionë euro. Sipas Ligjit tonë të Prokurimit Publik, që do të thotë se ato u punuan sipas Ligjit të Prokurimit Publik të Maqedonisë, jo bazuar në marrëveshje me ndonjë institucion tjetër financiar, maksimumi që mund të merrni në një aneks është 20 përqind, këtu ata shkuan në një aneks prej 100%, domethënë, shuma prej 14 milionë eurosh bëhet shuma prej 28 milionë eurosh, gjë që e bën atë deri tani autostradën më të shtrenjtë nga të gjitha ato që po ndërtohen aktualisht në vend. 

Në shtator 2024 (pak pasi u zgjodh në detyrë – 23 qershor 2024), Ministri Nikolloski paralajmëroi për një krim të madh duke zbuluar se rruga e autostradës ishte rivizatuar në një zonë malore, ku toka kishte kaluar në pronësi të zyrtarëve të BDI-së. Sipas Nikolloskit, zyrtarë të lartë të BDI-së përdorën informacione të brendshme në lidhje me planifikimin e rrugës së re Shkup – Bllacë dhe blenë tokë për veten e tyre, në mënyrë që të përfitonin miliona shuma nga shteti nga shpronësimi.

Kujdes, humnerë në fund të rrugës!

Seksioni prej dy kilometrash, i cili është përfunduar dhe nuk të çon askund, përbën rrezik për shoferët. Kohët e fundit, disa media raportuan se një makinë ishte aksidentuar atje. Menjëherë pas kalimit kufitar, rruga që të çon në Shkup ndahet në dy pjesë, por seksioni i majtë në fakt nuk ka dalje. Siç raportoi TV 21, nuk ka shenja paralajmëruese për këtë, kështu që automjetet hyjnë në këtë rrugë dhe shkojnë deri në fund ku i pret një grumbull dheu dhe gurësh. Më 10 mars, televizioni raportoi se mbrëmjen e kaluar një automjet kishte përfunduar pas grumbullit të dheut, duke rënë poshtë.

Pjesa që nuk të çon askund Foto: Printscreen video TV 21

15 vjet premtime boshe

Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë gjatë 15 viteve të fundit është premtuar si nga VMRO-DPMNE, ashtu edhe nga LSDM dhe BDI. Ky projekt mund të shihet në programin zgjedhor “Manifest për reforma dhe zhvillim” (fq. 64), me të cilin VMRO-DPMNE mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, dhe më pas e propozoi edhe për zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014 në programin “E Verifikuar” (fq. 50). Ky premtim është pjesë edhe e programit të VMRO-DPMNE për zgjedhjet parlamentare të majit 2024, “Platforma #1198 – Maqedonia përsëri e jotja” (fq. 65).

Premtimin e përmendur e dhanë edhe socialdemokratët në programin e tyre zgjedhor “Plan për jetë në Maqedoni” (fq. 74 dhe 190) në vitin 2016, si dhe më pas në programin “Mundemi” (fq. 51) në vitin 2020.

Ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë e premtoi edhe BDI në programin zgjedhor Platforma 2016–2020, në pjesën “Transport” (fq. 3).

Vërtetmatësi në disa raste ka shkruar për autostradën Shkup – Bllacë, e cila ndër vite nuk arriti të ndërtohet nga asnjë qeveri. Vetë ideja për një autostradë deri në kufirin me Kosovën është më e vjetër se 20 vjet. Dokumentacioni projektues për këtë segment është përgatitur që në vitin 2002, por në rrugën e hartuar atëherë ndërkohë janë ndërtuar objekte të reja, si dhe është paraqitur nevoja për përshtatjen me standardet dhe normat evropiane për projektimin e tuneleve, urave dhe segmenteve të tjera të autostradës, prandaj ka qenë i domosdoshëm riprojektimi i saj.

Nga ana e Kosovës, autostrada “Arbën Xhaferi” është përfunduar që para shtatë vitesh. Ajo u lëshua në përdorim në maj të vitit 2019, ka gjatësi prej 65 kilometrash – nga kufiri me Maqedoninë deri në Prishtinë, dhe fqinjët tanë e ndërtuan atë për vetëm pesë vite. 

 

  BURIME: 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.