Sa është i rëndësishëm vaksinimi anti-KOVID19 te shtatzënat dhe lehonat?

Studimet dhe institucionet ndërkombëtare bëjnë apel që sa më shumë të vaksinohen gratë shtatzëne, të njëjtat rekomandime apelohen edhe nga autoritetet relevante në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, kjo temë hap shumë dilema në opinionin publik. Pajtim Asani, gjinekolog obstetër, shpjegon se pse është i rëndësishëm vaksinimi i kësaj kategorie të qytetarëve dhe apelon që nënat e reja të mos hezitojnë në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe foshnjës,  shkruan Portalb.mk.

Po bëhen 3 vite që bota, por edhe vendi jonë, vazhdojnë luftën kundër pandemisë globale COVID19. Aktualisht vaksinimi kundër COVID19 është mënyra më efikase për tu mbrojtur nga sëmundja ose për të lehtësuar pasqyrën klinike në rastet kur një person i vaksinuar infektohet me SARS-COV-2. Fushata e ashër dezinforumese kundër vaksinimit ka luajtur një rol të fuqishëm në krijimin e një kaosi në publik. Fushata anti-vaksinim ka prekur shumë sidomos një  kategori të veçantë të publikut, siç janë gratë shtatzëna dhe lehonat.

Faktet shkencore dhe mjekësore thonë se vaksinimi është mundësia e vetme se si mundet të minimizohen rreziqet e shëndetit, sidomos tek shtatzënat. Në një bashkëbisedim për Portalb.mk, gjinekologu Pajtim Asani shpjegon se pse është me rëndësi që një grua shtatëzanë të vaksinohet sa më herët kundër COVID19.

“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm vaksinimi kundrejt COVID 19 për shëndetin tonë ngaqë shkalla e morbiditetit dhe vdekshmërisë është signifikante sidomos te gratë shtatzëna si për nënën ashtu edhe për frytin krahas popullatës jo shtatzëne. Komplikimet që i kanosen gruas shtatzëne me COVID 19 janë: pneumonia, çrregullime kardiake, komplikime tromboembolike, insuficiencë akute e veshkave, sëmundje neurologjike, sëmundje e mëlçisë dhe sistemit digjestiv. Prandaj vaksinimi është rruga e vetme më e mirë sidomos për gratë shtatzëna që të minimizohen ose evitohen komplikimet e lartpërmendura”, sqaron Pajtim Asani, gjinekolog obstetër.

Sipas Dr. Asanit, preferohet që shtatzënat dhe lehonat të vaksinohen me vaksina mRNA, megjithatë nuk do të thotë se vaksinat tjera nuk janë efektive.

“Niveli i mbrojtës tek popullata e vaksinuar është sigurisht më i lartë dhe incidenca e komplikimeve edhe vdekshmërisë është më i vogël te popullata e vaksinuar. Është sfiduese të kuantifikohet niveli i mbrojtës për shkak të mutacioneve të shpeshta te virusit dhe pamundësia e vaksinimit të masave të gjëra popullore në periudhë të shkurtë kohore. Të dhënat për nivelin e mbrojtës thuaj çdo ditë përditësohen dhe kjo varet edhe nga lloji i vaksinave. Përvojë më të mëdha te popullata shtatzëne është me vaksinat mRNA mirëpo nuk duhet favorizuar ndonjë vaksinë mbi tjetrën sepse efikasiteti i tyre ndryshon prej studimi në studim”, thekson Dr. Asani.

Efektet anësore të vaksinimit tek shtatzënat nuk ndryshojnë me ato që i përjeton popullata e përgjithshme. Dr. Asani apelon tek të gjitha shtatzënat dhe lehonat ta trajtojnë seriozisht këtë çështje dhe të veprojnë në bazë të rekomandimeve të verifikuara mjekësore.

“Vaksinimi mund të bëhet në çdo periudhë të shtatzënisë pa përjashtim. Komplikimet nga vaksinimi gjatë shtatzënisë mbeten të ngjashme si për popullatën jo-shtatzëne mirëpo benefiti nga vaksinimi mbi peshon çfarë do komplikimi prej saj sidomos gjatë shtatzënisë. Të njëjtat rekomandime vlejnë edhe për nënat gjatë gji dhënies.

Këshilla ime përfundimtare është të vaksinohen gratë shtatzëna sepse sado pupolistike që tingëllon bëhet fjalë për 2 jetë nëna dhe fryti. Mos harroni morbiditeti dhe vdekshmëria për nënat dhe frytin gjatë shtatzënisë është më i lartë se te popullata e njëjtë jo shtatzëne, Dr. Pajtim Asani, Gjinekolog Obstetër.

Pajtim Asani, mjek.
Pajtim Asani, mjek.

Cilat janë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore në vendin tonë?

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut nga muaji qershor i vitit 2021 ka bërë publik qëndrimin zyrtar se si duhet të veprojnë gratë shtatzëna për tu mbrojtur nga COVID19.

“Në takimin e mbajtur më 01.06.2021, Komisioni Kombëtar për Imunizimin bëri një rekomandim, vaksinimi kundër KOVID-19 te gratë shtatzëna të kryhet pas javës së 14-të të shtatzënisë. Në rastet kur personi mbetet shtatzënë pas marrjes së dozës së parë të vaksinës COVID-19, doza e dytë duhet të shtyhet pas javës së 14-të të shtatzënisë. Vaksinimi në këtë kategori nuk është kundërindikuar përveçse me vaksinën Sputnik (sipas udhëzimeve të prodhuesit). Vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Vaksinat mbrojnë nga komplikimet e sëmundjes të shkaktuara nga virusi Covid-19 dhe vdekja”bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë në RMV.

Ndërkohë, Kolegjiumi Profesional i Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri – Shkup, Komiteti për Mëmësi të Sigurt dhe Shoqata e Perinatologëve kanë rekomandime të unifikuara rreth vaksinimit kundër COVID -19 gjatë shtatzënisë. Rekomandimet bazohen në studimet e instituteve dhe shoqatave mjekësore me famë botërore. Autoritetet në fjalë mbështesin vaksinimin për shtatzënat dhe lehonat, në cilëndo fazë, me dy doza të një vaksine mARN. Megjithatë vendimi për tu vaksinuar ose jo mbetet vendim personal i nënës.

“Vaksinimi kundër COVID-19 rekomandohet në shtatzëni njëjtë si dhe në pjesën tjetër të popullatës. Para kryerjes së vaksinimit, ne rekomandojmë një konsultim të detyrueshëm me gjinekologun amë. Për të arritur një nivel të përshtatshëm mbrojtjeje kundër llojit delta, ne rekomandojmë vaksinimin kundër COVID-19 me dy doza vaksine. Doza e parë të merret pas javës së 14 -të të shtatzënisë (në muajin e katërt të shtatzënisë), dhe dozën e dytë 8 javë pas marrjes së dozës së parë, por jo më vonë se java e 32 -të e shtatzënisë (muaji i tetë i shtatzënisë). Nëse pacientja merr dozën e parë të vaksinës para se të mësojë se është shtatzënë, ne rekomandojmë që doza e dytë e vaksinës të jepet përsëri pas 8 javësh, sepse të dhënat mjekësore tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive në çdo fazë të shtatzënisë dhe nuk ka arsye për të vonuar marrjen e dozës së dytë pas 14 javëve të shtatzënisë. Vaksinimi kundër COVID19 preferohet edhe tek nënat gji-dhënëse pa e ndërprerë aspak procesin e gji-dhënies”, theksohet në qëndrimin e unifikuar të KUGJA, Komiteti për Mëmësi të Sigurt dhe Shoqata e Perinatologëve.

Autoritetet në fjalë thonë se efektet anësore të vaksinimit COVID-19 në shtatzëni janë të lehta, nuk zgjasin shumë dhe janë të ngjashme me ato të pjesës tjetër të popullatës së vaksinuar. Këto përfshijnë shfaqjen e dhimbjes dhe butësisë në zonën e krahut nga vaksina, dhimbje koke, lodhje, ndonjëherë simptoma të ngjashme me gripin, por nganjëherë një rritje të temperaturës së trupit në 38 C ose më shumë.  Në rast të rritjes së temperaturës rekomandohet pushim, marrje adekuate të lëngjeve, dhe përdorimi i Paracetamol i cili është i sigurt gjatë shtatzënisë.

Rekomandimet botërore për vaksinimin e shtatzënave dhe lehonave

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon se shtatzënat duhet të vaksinohen por gjithmonë në konsultim me gjinekologun e tyre amë.

“Po, gratë shtatzëna mund të vaksinohen kundër COVID-19, në konsultim me ofruesin e tyre të kujdesit shëndetësor. Aktualisht janë në dispozicion të dhëna të kufizuara për të vlerësuar sigurinë e vaksinave COVID-19 në shtatzëni. Sidoqoftë, bazuar në atë që dimë për llojet e vaksinave që përdoren, nuk ka arsye specifike për shqetësim. Asnjë nga vaksinat e COVID-19 të autorizuara deri më tani nuk përdor viruse të gjalla, të cilat kanë më shumë gjasa të paraqesin rreziqe gjatë shtatzënisë. Përfitimet mund të jenë më të mëdha për gratë shtatzëna në rrezikun më të lartë nga COVID-19, të tilla si punonjësit e shëndetit në vijën e parë, njerëzit që jetojnë në zona të transmetimit të lartë dhe ata me gjendje shëndetësore si hipertensioni (presioni i lartë i gjakut) dhe diabeti që shtojnë rrezikun e tyre të sëmundje e rëndë.” thuhet në të dhënat e OBSH-së.

Në disa vende të globit, si për shembull në Britaninë e Madhe, Izrael, Belgjik, etj, vaksinimi i shtatzënave vlerësohet si proces me prioritet.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.