Rusia nuk ka pushtuar një qytet tjetër në Ukrainë, por një fshat të vogël

Фото: Sammy-Sander auf Pixabay

Një postim në Facebook shpërndan një lajm mediatik që pretendon se forcat ruse kanë pushtuar edhe një qytet tjetër në Ukrainë, duke e mbështetur këtë me një deklaratë të shtrembëruar të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila në fakt ka raportuar për pushtimin e një vendbanimi, pa specifikuar për çfarë lloj vendbanimi bëhet fjalë. Në këtë rast, bëhet fjalë për një fshat të vogël dhe pak të banuar (dhe me shumë gjasë tashmë i zbrazur), që mezi gjendet në hartë, prandaj ky pretendim është i pabazë.

Një postim në rrjetin social Facebook shpërndan një lajm nga një faqe maqedonase, dhe ai ka të bëjë me temën e luftës në Ukrainë, duke pasur një titull senzacionalist:

Rusët pushtuan edhe një qytet tjetër.

Lajmi është i pasaktë, dhe faqja e përmendur është përpjekur ta mbështesë atë me fjalët në vijim:

Aleksandropol në Republikën Popullore të Donetskut u çlirua me veprime vendimtare nga njësitë e grupit të forcave “Qendra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, raporton TASS.

Këtu faqja i referohet Ministrisë ruse të Mbrojtjes, por me tendencë anashkalon një pjesë të asaj që Ministria e ka deklaruar, e që është transmetuar nga agjencia ruse e lajmeve TASS. Ajo që është anashkaluar është si vijon (në përkthim nga rusishtja):

Është çliruar vendbanimi Aleksandropol në Republikën Popullore të Donetskut.

 

Pra, nën kontrollin e agresorëve rusë ka rënë një vendbanim i caktuar, që ata në mënyrë të rreme e përshkruajnë si “çlirim” të një territori që, sipas tyre, i përket Republikës Popullore të Donetskut (DNR), e cila nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Megjithatë, sado famëkeqë të jenë për propagandë, ata të paktën nuk kanë shkuar aq larg sa të pretendojnë se kanë pushtuar (“çliruar”) ndonjë qytet. Këtë e ka shtuar në mënyrë të njëanshme faqja maqedonase e përmendur, ose ndoshta burimi prej nga ajo e ka marrë “lajmin”.

Në Ukrainë ka shtatë vendbanime me këtë emër (në rusisht: Александрополь, në ukrainisht: Олександропіль), por asnjëri prej tyre nuk është qytet – të gjithë janë fshatra (lidhje me vendndodhjen e tyre gjeografike: 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7). Më parë ka pasur edhe më shumë fshatra me këtë emër, por ato janë riemëruar.

Tre nga fshatrat që aktualisht mbajnë këtë emër ndodhen në Rajonin e Donetskut, pra në territorin për të cilin pretendon e ashtuquajtura DNR. Ministria ruse e Mbrojtjes është treguar skajshmërisht joprofesionale, duke mos e specifikuar fare se cilin nga këto fshatra ka pushtuar (“çliruar”).

Javoreja propagandistike ruse Argumenty i Fakty pretendon se bëhet fjalë për fshatin Aleksandropol në Rajonin e Kramatorskut të Oblastit të Donetskut, të cilin madje e përshkruan objektivisht si të vogël. Në të njëjtën vendndodhje drejton edhe Aleksandr Koc, korrespondent ushtarak i gazetës Komsomolskaya Pravda, gjithashtu propagandist rus, sipas të cilit fshati kishte rreth 150 banorë para luftës. Për shkak të luftës, vitin e kaluar u krye evakuimi i detyruar i fëmijëve dhe prindërve të tyre nga ky fshat, çka me shumë gjasë ka kontribuar që fshati të jetë boshatisur në masë të madhe. Ky vendbanim më parë e përmendëm si nr. 4.

Pra, edhe vetë propagandistët rusë pranojnë se bëhet fjalë për një fshat të vogël dhe pak të banuar, ndërkohë që faqja maqedonase e përmendur raporton për “pushtimin e një qyteti”, gjë që tingëllon si një fitore e madhe ushtarake – duke e bërë këtë, ajo në fakt del të jetë më propagandë ruse sesa vetë propaganda rusë. “Vërtematësi” edhe më parë e ka evidentuar këtë faqe për shpërndarjen e lajmeve të rreme që vijnë nga Kremlini.

Duke marrë parasysh të gjitha faktet e përmendura deri më tani, këtë postim e vlerësojmë si të pavërtetë. Përmbajtje pothuajse identike është publikuar edhe nga media të tjera maqedonase: këtu dhe këtu, prandaj ky vlerësim vlen edhe për to.



Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.