Rrjetet sociale u vërshuan me dezinformata rreth regjistrimit

Попишувач. Фото: ДЗС/вебсајт

Pas dy dekadash në Maqedoninë e Veriut, përfundimisht zbatohet regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare. Fatkeqësisht, ky operacion statistikor mori një sfond politik dhe ka shumë dezinformata dhe thirrje për bojkot në rrjetet sociale, si dhe fyerje për regjistruesit.

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

Regjistrimi filloi më 5 shtator dhe sipas informacioneve fillestare nga Enti Shtetëror i Statistikave, ai po zhvillohet në mënyrë të kënaqshme. Të dhënat e fundit tregojnë se deri më tani (14 shtator) janë regjistruar mbi gjysmë milion qytetarë.

Por, në rrjetet sociale flitet për diçka tjetër. Ndryshe nga viti 2002, kur kishte pak rrjete sociale dhe ato përdoreshin për argëtim në vend të shtyrjes së politikës, tani në vitin 2021 polemikat mbi regjistrimin e popullsisë janë duke u bërë në Facebook dhe Twitter, ku flitet për bojkot, ndërsa postimet e tilla përmbajnë manipulime dhe dezinformata.

Pra, në rrjetet sociale, pa dëshmi përkatëse, thuhet se pushteti përgatit falsifikim të regjistrimit. Gjithashtu thuhet që kur të vijnë regjistruesit, askush nuk duhet të jetë në shtëpi.

Me fyerje dhe manipulime të numrave, minohet procesi që po ndodh dhe është shumë i rëndësishëm për vendin. Shpërndahen thashetheme spekulative në lidhje me përpjekjet e supozuara të dështuara për regjistrimin. Tregime që nuk kanë të dhëna dhe dëshmi për t’u quajtur të vërteta. Qytetarëve u kërkohet të mos ua hapin derën regjistruesve, si dhe përhapen pretendime se nuk ka ndëshkim për këtë.

Në rrjetet sociale shpërndahen ofendime, si dhe ngatërrohen “lisat me plisat”, gjegjësisht situata të tjera politike shfaqen si pjesë e këtij operacioni statistikor. Disa nga qytetarët sillen në mënyrë agresive verbale me regjistruesit, i incizojnë dhe i postojnë në rrjetet sociale për të treguar se bojkoti funksionon.

E gjithë kjo bëhet për të bindur dhe motivuar qytetarët që të mos u hapin derën regjistruesve, të bojkotojnë regjistrimin me qëllim që regjistrimi të jetë i pasuksesshëm. Lëvizje joracionale për një proces që duhet të jetë statistikor dhe jo politik.

Prej nga vijnë thirrjet për bojkot?

Thirrja “Nuk e hap derën”, e cila po përhapet në rrjetet sociale për mospjesëmarrje masive në regjistrim, u nis nga partia “E Majta”. Ata mbrojnë hapur bojkotin e regjistrimit sepse, siç pretendojnë ata, “regjistrimi është kriminal dhe bazohet në ligj të miratuar me dhunë që shkel shumë nga parimet e rekomanduara nga OKB dhe EUROSTAT”.

Njoftime të tilla përhapen në rrjetet sociale edhe nga partia politike “Rodina Makedonija“, ku thonë se nuk i hapin derën “etnocidit, koronës dhe falsifikimit”.

Në shkurt, edhe partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE gjithashtu mblodhi nënshkrime kundër Ligjit për Regjistrimin, në fund të gushtit (25.08.2021) kërkuan regjistrim elektronik, dhe pastaj, një ditë pasi filloi regjistrimi (06.09.2021), kreu i partisë, Hristijan Mickoski, u tha qytetarëve që në mënyrë masive të marrin pjesë në regjistrim.

Mesazhi im është që qytetarët të dalin masivisht  të regjistrohen dhe mesazhi im për popullin maqedonas është që të mos i dëgjojnë dhe të mos u nënshtrohen elementeve jo-kombëtare dhe anti-maqedonase të skenës politike maqedonase, të cilët në këtë moment po përpiqen të krijojnë mosmarrëveshje në strukturën maqedonase dhe në mes të votave protestuese siç bënë gjatë zgjedhjeve presidenciale, kur më pas bënë thirrje për bojkot të kandidatit të atëhershëm të opozitës dhe praktikisht vazhduan karrierën e Zoran Zaevit dhe LSDM-së.

Çka është regjistrimi dhe pse është i rëndësishëm për çdo vend?

Regjistrimi është proces i përgjithshëm i mbledhjes, përpunimit, vlerësimit, analizës dhe shpërndarjes së të dhënave mbi popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat në një vend në një interval të caktuar kohor (zakonisht çdo dhjetë vjet).

Regjistrimi i popullsisë siguron të dhëna bazë mbi të cilat bazohet krijimi i politikave dhe strategjive të zhvillimit në fusha të ndryshme – ekonomi, politik sociale, politika arsimore, shëndetësi, zhvillimi rajonal, bujqësi, sistemi politik, etj.

Rezultatet e grumbulluara statistikore të marra nga të dhënat e mbledhura nga regjistrimi, përveç qëllimeve statistikore, përdoren gjithashtu për planifikimin makroekonomik, hartimin e politikave të zhvillimit, analiza shkencore dhe kërkime të tjera.

Regjistrimi është detyrim ligjor që rrjedh nga Ligji i Regjistrimit 2021, dhe çdo person që është njësi e regjistrimit është ligjërisht i detyruar të pranojë regjistruesin dhe të jep të dhënat e kërkuara. Refuzimi për t’u regjistruar pason me fillimin e procedurës për kundërvajtje dhe gjobë në shumat e përcaktuara në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021 (“Gazeta Zyrtare e RMV-së”, nr. 19 e 25.01.2021).

Sipas Ligjit për Regjistrimin, ESHS është e obliguar t’i publikojë të dhënat 6 muaj pas përfundimit të aktiviteteve në terren, por drejtori i ESHS -së, Apostol Simovski thotë se të dhënat përfundimtare do të jenë në dispozicion deri në fund të vitit.

Besojmë se do të arrijmë të përfundojmë përpunimin shumë më herët dhe deri në fund të vitit, më së voni në janar 2022 t’i publikojmë të dhënat. Ndryshe nga më parë, kur kishim të dhënat fillestare, pastaj  kishim proces të vendosjes së të dhënave, tani do të publikohen vetëm të dhënat zyrtare përfundimtare.

Regjistrimi përveç nevojës është edhe detyrim

Shtetet anëtare të OKB-së janë të detyruara të bëjnë regjistrim të popullsisë dhe banesave në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, të përgatitura nga Komisioni Ekonomik për Evropën i Kombeve të Bashkuara dhe Eurostat.

Regjistrimi është gjithashtu pjesë shumë e rëndësishme e rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian. Në raportet e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut, regjistrimi i popullsisë përmendet si detyrim i rëndësishëm i vendit tonë që duhet të realizohet. Kapitulli i statistikave është një nga kapitujt e parë në grup në negociatat me BE-në.

Komisioni Evropian një ditë pas fillimit të regjistrimit inkurajoi të gjithë të marrin pjesë në këtë proces, duke shtuar se regjistrimi është pjesë e anëtarësimit në BE.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero, tha se në Bruksel ekziston kënaqësi për zhvillimin e regjistrimit në Maqedoninë e Veriut.

Ky është një ushtrim i rëndësishëm. Të dhënat e sakta për numrin dhe karakteristikat e popullsisë janë thelbësore për zbatimin e politikave të përshtatshme sociale, demografike dhe ekonomike për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, tha Pisonero.

Edhe kryeministri, Zoran Zaev, nëpërmjet Facebook-ut bëri thirrje për bashkëpunim me regjistruesit në mënyrë që të merren të dhënat e nevojshme pas 20 vitesh, të cilat duhet të jenë baza për krijimin e politikave në të ardhmen.

Që ky operacion të jetë i suksesshëm, përveç profesionalizmit të punonjësve të Entit Shtetëror të Statistikave dhe instruktorëve dhe regjistruesve të punësuar, është i nevojshëm bashkëpunimi nga të gjithë qytetarët. Prandaj ju bëj thirrje që të jeni partner në këtë proces, sepse vetëm në këtë mënyrë qeveria, institucionet publike, pushteti lokal dhe komuniteti i biznesit do të mund të sigurojnë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, tha Zaev.

Regjistrimi jep të dhëna statistikore, të cilat përveçse tregojnë popullsinë dhe strukturën e saj, janë kyçe për ndërtimin e strategjive dhe politikave për zhvillimin e suksesshëm dhe të parashikueshëm të vendit, japin pasqyrë mbi të cilën planifikohen fondet buxhetore, si dhe fondet e BE -së.

Për këtë arsye regjistrimi është i rëndësishëm, nuk duhet të politizohet dhe të përhapen manipulime që do t’i bindin qytetarët ta bojkotojnë, dhe në fund, vendi pas 20 vjetësh të largohet nga shoqëria e vendeve si Ukraina, Republika Qendrore e Afrikës, Kongo, Somalia , Iraku, Pakistani, Afganistani, Uzbekistani, të cilët nuk kanë bërë regjistrim për më shumë se 10 vjet.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.