Rrena rreth zbarkimit të ushtrisë Amerikane në Europë

 

Deklarata: “Marrëdhënie të ashpra me Rusinë, 20 000 ushtarë amerikanë “zbarkojnë” në Evropë”

Vlerësimi: Rrenë e kryptë

Raportimi është i pavërtetë dhe ngjallë panik tek qytetarët. Lajmet nëpër media nuk pasqyrojnë informacionin e plotë duke tentuar ta lidhin prezencën ushtarake amerikane me tensionet Rusi-ShBA dhe në kohën kur po përhapet virusi corona. Informacioni i plotë tregon që forcat ushtarake kanë vetëm një ushtrim të thjeshtë i cili kryhet sipas planeve të ushtrimeve ushtarake.

Artikulli

Ditëve të fundit në media vendore si dhe ndërkombëtare janë shpërndarë shumë lajme lidhur me zbarkimin e forcave ushtarake të ShBA-së në disa vende të Europës.

Por disa prej lajmeve të shpërndara nga këto media kanë përhapur informacion të pa saktë dhe kanë shkaktuar panik tek popullata.

Pretendimet dhe dyshimet e shpërndara nga këto media ishin se zbarkimi i forcave ushtarake të ShBA-së po bëhet me qëllim të fillimit të ndonjë konflikti, duke aluduar në luftën e tretë botërore në mes të ShBA-së dhe Rusisë.

Qytetarët përpos shqetësimeve të ditëve të fundit lidhur me përhapjen e pandemisë së coronavirusit u është dashur të përballen edhe me lajme të rrejshme të cilat kanë kontribuar në rritjen e panikut dhe shqetësimit tek ta.

“Lufta e tretë botërore” nëpër media të ndryshme ka marrë tituj senzacional si “Marrëdhënie të ashpra me Rusinë, 20 000 ushtarë amerikanë “zbarkojnë” në Evropë”, “Diçka po zihet! 40,000 forca speciale amerikane zbarkojnë në vendet e BE, përreth ballkanit!”, si dhe “’Të frenojmë Rusinë!’ Avionët luftarakë amerikanë ‘zbarkojnë’ në Europë”.

“Fenomeni i “coronavirusit” është një mënyrë e dobishme për të shpërqendruar dhe përgatitur një pjesë të madhe të qytetarëve të botës për diçka më të rëndësishme, e cila në këtë rast nuk ka asnjë lidhje me zgjidhjen e virusit”, ka shkruar protali “Presheva Jonë”.

Këto media kanë ngritur pretendimet se duke u bazuar në faktin se Kina dhe Rusia janë kundërshtare në tregti me ShBA-të, menjëherë pas krijimit të aleancës në mes të Kinës dhe Italisë për çudinë e këtyre portaleve, po në këto dy vende shpërtheu një pandemi.

Portali “Presheva Jonë”, ngriti dyshimin dhe pyetjen nëse shpërthimi i kësaj pandemie dhe mbyllja e njerëzve nëpër shtëpitë e tyre po bëhet me qëllim që të hiqet vëmendja e popullatës tek vendosja e trupave ushtarake amerikane nëpër Europë.

“Kina dhe Rusia kanë qenë kundërshtarë të padiskutueshëm të tregtisë amerikane për vite me radhë, pasi rëndësia e tyre zvogëlon ndjeshëm monopolin e dollarit në tregun botëror, duke rezultuar në humbje të konsiderueshme si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë gjeopolitik dhe gjeopolitik. Sigurisht, që nga momenti i aleancës midis Kinës dhe Italisë, ka një shpërthim të koronavirusit që më së shumti fillon të shkatërrojë dhe paralizojë Italinë dhe Kinën. Mbyllja e njerezve neper shtëpi a don te thote tmos shifet levizjet e trupave nga shteti ne nje shtet apo nga nje vend ne nje vend tjetër”, ka shkruar më tej portali “Presheva Jonë”.

Por cila është arsyeja e zbarkimit të forcave të armatosura të SHBA-ve?

E gjithë kjo lëvizje e trupave ushtarake të ShBA-ve drejtë disa qyteteve të Evropës, sipas U.S Army Europe, po bëhet me qëllim të realizimit të ushtrimit DEFENDER-Europe 20.

Sipas U.S Army Europe, Ushtrimi DEFENDER-Europe 20 është vendosja e një force të besueshme luftarake me madhësi ndarëse nga Shtetet e Bashkuara në Europë me lëvizjen e personelit dhe pajisjeve nëpër zona të ndryshme stërvitore.

Në bazë të këtij plani është e paraparë që pajisjet me bazë në ShBA të largohen nga portet në katër shtete dhe të vendosën në gjashtë vende evropiane, gjë e cila do të kërkoj mbështetjen e dhjetëra mijëra anëtarëve të shërbimit dhe civilëve në kombe të shumta.

Plani parasheh që anëtarët e shërbimit amerikan të përhapen më pas në të gjithë rajonin për të krijuar baza skene të ndërmjetme me forca shumëkombëshe dhe të marrin pjesë në ushtrime të ndryshme vjetore.

Këto ushtrime amerikane dhe evropiane thuhet se kryhen rregullisht dhe janë pjesë e një skenari të përbashkët ushtrimesh, komandës së koordinuar të misionit, qëndrimit të ndërsjellë dhe mjedisit të përbashkët të komunikimit.

Sipas U.S Army Europe, në më shumë se 25 vjet, kjo është vendosja më e madhe e forcave me qendër amerikane në Evropë, me qëllim të vetëm pjesëmarrjen në një stërvitje.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy - NED).

Your email address will not be published.