Romët dhe egjiptianët jetojnë në margjinat e shoqërisë

Фото: Официјален ФБ профил на Општина Шуто Оризари

Romët dhe egjiptianët përballen me një marrëdhënie të nënvlerësuar në komunikimin me institucionet, duke hasur në barriera për qasjen në kujdesin shëndetësor, por edhe me paragjykime arsimore dhe sociale. Në dy vitet e fundit që nga pandemia, ankesat më të shpeshta të romëve dhe egjiptianëve kanë qenë për shërbimet shëndetësore. Ata thonë se ndeshen me diskriminim kudo, edhe kur vizitojnë tregjet dhe objektet e hotelerisë

Romët dhe egjiptianët përballen me marrëdhënie të nënvlerësuar në komunikimin me institucionet, duke hasur në barriera në qasjen në kujdesin shëndetësor, por edhe me paragjykime arsimore dhe sociale. Në dy vitet e fundit që nga pandemia, ankesat më të shpeshta të romëve dhe egjiptianëve kanë qenë për shërbimet shëndetësore. Ata thonë se ndeshen me diskriminim kudo, edhe kur vizitojnë tregjet dhe objektet e hotelerisë

 

Shkruan: Sonja Rillkovska

 

Romët dhe egjiptianët janë komunitetet etnike më të margjinalizuara në vend. Si pjesëtarë të etnive më të vogla, ata janë kategoria më e cenueshme e qytetarëve. Ata përballen me çdo lloj diskriminimi në shoqëri, duke filluar nga institucional, deri tek paragjykimet shëndetësore, arsimore dhe sociale. Dëshmitë e tyre personale janë prekëse.

Ata ankohen se e kanë të vështirë të marrin kujdesin shëndetësor, se ndodh që presin me orë të tëra në dhomat e pritjes së spitalit dhe e marrin shërbimin shëndetësor të fundit.

Diskriminimi në baza etnike është i zakonshëm. Më shpesh, romët dhe egjiptianët janë të arsimuar pamjaftueshëm dhe hasin në barriera gjatë qasjes në institucione dhe për këtë arsye komunikimi është i ulët dhe me shumë më pak besim dhe respekt për këta qytetarë. Ka një zmbrapsje, pafuqi, mungesë mbështetjeje nga institucionet. “Ka thjesht diskriminim,” tha Vahid Memed, kryetar i Shoqatës për Integrim Multikulturor “Inkluzija”.

Në dy vitet e fundit që nga pandemia, ankesat më të shpeshta nga romët dhe egjiptianët kanë qenë për shërbimet shëndetësore.

Nuk mund të them vetë se jam i diskriminuar, jam i integruar në sistem dhe përmes OJQ-së sime mundohem të ndihmoj sa më shumë qytetarë, por shumë nga bashkëqytetarët e mi ankohen shpesh për nënvlerësim dhe probleme në marrjen e shërbimeve shëndetësore. Komuniteti ynë është ekonomikisht më i cenueshëm dhe kalon shumë më keq në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor,tha Memed.

Këta qytetarë përballen me diskriminim kudo në shoqëri. Madje edhe kur vizitojnë dyqane dhe restorante. Projekti i fundit i shoqatës “Inkluzija” ishte për njohje të ndërsjellë, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë mes të gjitha etnive në rajon.

Jemi përpjekur sa më shumë që të rinjtë e komuniteteve etnike të shoqërohen me njëri-tjetrin, të njihen më mirë, të kuptojnë se dallimet nuk janë pengesë, përkundrazi janë përparësi për bashkëjetesë. Jemi të vetëdijshëm se tejkalimi i paragjykimeve do të jetë një proces i gjatë për të cilin do të punohet dhe duhet të kemi mbështetjen e pushtetit lokal. Ne si shoqatë kërkuam që në Komunën e Ohrit të formohet Komisioni për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, i cili do t’i rregullojë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet dhe pakicat, por nuk ka pasur iniciativë. Shpresojmë që qeveria e re lokale të tregojë më shumë interes, shtoi Memed.

 

PARAGJYKIM DHE STIGMATIZIM

Këto bashkësi etnike gjithashtu e kanë të vështirë të gjejnë punë të denjë. Punëdhënësit kanë ende paragjykime. Është e rrallë që ata të depërtojnë në skenën politike. Në këshillin komunal në Ohër në përbërjen e mëparshme kishte vetëm një këshilltar egjiptian, në përbërjen e re të këshillit sërish vetëm një, këtë herë rom.

Hulumtimi i Shoqatës për Zhvillim Demokratik të Romëve “Sonce” tregon se romët në Maqedoni, përkundër rregullave të shumta ligjore që e ndalojnë shprehimisht diskriminimin, vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe stigmatizim që në moshë të vogël.

Ky komunitet etnik është ende i përjashtuar nga shoqëria dhe përballet me diskriminim pothuajse në çdo aspekt të jetës së tyre. Ankesat e paraqitura nga aplikantët romë kishin të bënin kryesisht me kujdesin shëndetësor, ndihmën sociale, financat, të drejtat e konsumatorit, gjyqësorin, të drejtat e fëmijëve dhe zhvillimin urban, theksohet në hulumtim.

Sipas regjistrimit të vitit 2002, 53,879 njerëz (2.7 përqind) e identifikuan veten si romë, megjithëse numri aktual është ndoshta dukshëm më i lartë. Këshilli i Evropës vlerëson se në vend ka nga 134,000 deri në 260,000 romë.

Barazia e qytetarëve në shoqëri garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë dhe më tej u forcua me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të miratuar në vitin 2001, e cila garanton parimin e përfaqësimit adekuat dhe të barabartë të komuniteteve. Në vitin 2020 u miratua Ligji i ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe në fund të janarit të këtij viti Kuvendi miratoi përbërjen e re të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Ligji ndalon çdo diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, kombësisë ose përkatësisë etnike, seksit, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, grupit të margjinalizuar, gjuhës, kombësisë, origjinës sociale, arsimit, fesë ose besimit, bindjeve politike, besimeve të tjera, aftësisë së kufizuar , moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes financiare, shëndetësore, gjendjes personale dhe statusit shoqëror ose në çfarëdo baze tjetër.

Në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2021 nënvizohet miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, për miratimin e të cilit theksohet se është ofruar mbështetje ndërpartiake. Raporti gjithashtu thekson rolin kyç të sektorit civil në monitorimin e punës së institucioneve dhe në pjesëmarrjen në vendimmarrje në fushën e anti-diskriminimit.

Komisioni Evropian mirëpret gjithashtu themelimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në veçanti emërimin e disa anëtarëve të sektorit të shoqërisë civile me përvojë relevante në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, thekson se pavarësia funksionale e këtyre organeve (Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit) duhet të garantohet vazhdimisht, ndër të tjera, duke siguruar burime të mjaftueshme financiare për funksionimin e tyre pa ndalesë dhe gjithëpërfshirës.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.