RMV, qendrat për punë sociale punojnë në mënyrë aktive, dokumentacioni për dhënien e ndihmave është reduktuar
Qendrat për punë sociale funksionojnë në përputhje me ndryshimet në Ligjin për mbrojtje sociale nga maji 2019. Është zbatuar parimi i menaxhimit të rasteve, udhëheqësit e rasteve në parim territorial udhëheqin familjet që shfrytëzojnë të drejtat në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, por edhe shërbimet në përputhje me ligjin, thonë nga Ministria e Punës dhe politikës sociale për Portalb.mk. Gjithashtu, shtojnë nga kjo ministri, në bashkëpunim me Angjencinë për punësim përgatiten plane individuale për anëtarët e familjes më lehtë të punsueshëm, me qëllim integrimin e tyre në tregun e punës.
Në drejtim të përmirësimit dhe zvogëlimit të viktimave të dhunës në familje, nga Ministria informuan se rregullisht inspektohen familjet, për të konstatuar gjendjen aktuale në familje, me qëllim që, nëse është e nevojshme, familja të hyjë më lehtë në sistemin e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve.
Sa i përket dokumentacionit të kërkuar, pa dhënë më shumë detaje, nga kjo Ministri thanë se është reduktuar në minimum, kurse të gjitha të dhënat e tjera merren në mënyrë elektronike përmes rrugës zyrtare.
Sa i përket qendrave të strehimit është rritur numri i qendrave të strehimit, janë krijuar 13 qendra për gra viktima dhe fëmijë të dhunës në familje, ka 10 qendra të specializuara këshillimore për trajtimin psiko-social për autorët e dhunës në familje, shërbime të specializuara për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje në 7 rajone planore në territorin e RMV-së.
Nëpërgjithësi Komisioni Evropian në raportin e fundit e ka lavdëruar Maqedoninë e Veriut veçanërisht për miratimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje dhe ndryshimet në Ligjin për të drejtat e fëmijëve, me mbështetje ndërpartiake. KE, gjithashtu ka vënë re përmirësim për sa i përket integrimit gjinor dhe të drejtave të grave, megjithëse konsideron se gratë janë ndër kategoritë më të prekura nga pandemia.
Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore është vlerësuar kryesisht në përputhje me standardet evropiane.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, vlerëson raporti, po investon në shërbimet komunitare, duke përfshirë mbështetjen e viktimave të dhunës me bazë gjinore.
Këtë vit KE-ja në raport ka rekomanduar që vendi:
- të zbatojë të gjitha dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi
- të adresojë në mënyrë të shpejtë dhe më sistematike të rekomandimeve të organeve ndërkombëtare monitoruese, veçanërisht në lidhje me të drejtat e personave në paraburgim/burg;
- të promovojë, mbrojë dhe garantojë të drejtat e personave në situata të pafavorizuara ose të margjinalizuara;
- të përmirësoj më tej shërbimet komunitare për të identifikuar fëmijët në rrezik dhe për të ofruar mbështetjen e duhur për kategoritë vulnerabël të fëmijëve, veçanërisht fëmijët viktima të dhunës, fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.
Shoqëria civile, thuhet në raport, ka kontribuar ndjeshëm në sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, veçanërisht në lidhje me ndihmën e ofruar për kategoritë më të cenueshme.
Megjithatë edhe përkundër kësaj, rajone të ndryshme të vendit përballen me mungesë strehimoresh. Shoqata për Psikoterapi dhe Këshillim “Korteks” – Tetovë në bashkëpunim me Rrjetin Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje në anketën “Analiza e gjendjes me shërbime të specializuara të aksesueshme e që janë në dispozicion për të ndihmuar dhe mbështetur gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në bazë gjinore dhe në familje në rajonin e planifikimit të Pollogut”, theksoi nevojën për ekzistencën e një strehimoreje, gjegjësisht një qendër si strehimore, që mungon në të gjithë rajonin, si dhe rritje të numrit të këshillimeve të specializuara psikologjike, si dhe rritje të aksesit në shërbime si ndihma e parë falas dhe dispozicioni i SOS linjave.
“Aktualisht dhuna ndaj grave dhe ballafaqimi me të, edhe pse është detyrë ligjore, nuk është prioritet i komunave në rajonin e Pollogut sepse asnjë komunë nuk ndan mjete për mbështetjen e shërbimeve të specializuara. Edhe pse numri i rasteve të raportuara vitet e fundit po rritet, rajoni i Pollogut nuk ka qendër strehimi, as qendër për intervenim apo SOS linjë dhe asgjë nuk po bëhet për avancimin e të drejtave të grave viktima të dhunës në familje apo në bazë gjinore”, tha Ana Avramovska Nushkova nga Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Gjithashtu në Raportin Vjetor të “Amnesty International” në pjesën për Maqedoninë e Veriut janë analizuar disa fusha, duke përfshirë përgjegjësinë për veprat penale, tortura në burgje dhe abuzime të tjera, liria e shprehjes, liria e asociimit, dhuna ndaj grave dhe vajzave, të drejtat e migrantëve, diskriminimin ndaj romëve.
Në pjesën për dhunën ndaj grave dhe vajzave në këtë raport thuhet se misogjeneza dhe gjuha e urrejtjes janë rritur. Policia nuk arriti të hetojë ankesat e grave dhe vajzave, fotot e të cilave pa lejen e tyre u shfaqën në mesin e 7000 përmbajtjeve të përbashkëta – të shpërndara nga burrat në rrjetin social Telegram (rasti i njohur si Dhoma Publike). Aktakuzë për dy meshkuj për pornografi me fëmijë u hap në korrik.
Në prill, sektori joqeveritar rekomandoi një paketë për të mbështetur gratë viktima të dhunës në familje dhe bëri thirrje që femicidi të jetë krim në vete.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari