RMV, me fakte të njëanshme qytetarëve ju sugjerohet të jenë pro agresionit rus në Ukrainë

Фото: колаж Порталб

Me apo pa vetëdije, nga persona dhe faqe të caktuara, në rrjetet sociale në mënyrë indirekte përhapet propagandë pro-ruse rreth konfliktit aktual Rusi-Ukrainë. Duke mos i paraqitur të gjitha faktet, gjuha e urrejtjes ndaj Ukrainës, përhapet në pretendimet se Ukraina ka dërguar mercenar për të vrarë popullin shqiptar në Kosovë, gjatë viteve 1998/99, ka mbështetur bombardimet e shqiptarëve në Maqedoni gjatë vitit 2001 dhe kundërshton pavarësinë e Kosovës, shkruan Portalb.mk. Transmetimi i informacioneve të tilla është i njëanshëm dhe nuk e paraqet realitetin faktik me qëllim që opinioni publik të ketë hapësirë vetë të vlerësojë se çfarë mendimi të ketë rreth situatës në Ukrainë.

Në rrjetet sociale, kryesisht në “Facebook” është shpërndarë një fotografi ku shikohet një avion ushtarak i cili bombardon një territor të banuar. Fotografia shoqërohet me përshkrimin si më poshtë:

“Kështu Ukraina i bombardonte shqiptarët e Maqedonisë në vitin 2001, ku mbetën të vrarë shumë gra shtatzëna, nëna, fëmijë, të moshuar dhe mbetën shumë invalid tjerë.”

Vetëm pak orë pas publikimit, postimi është shpërndarë nga dhjetëra profile tjera dhe është komentuar nga qindra të tjerë. Shqetësues është niveli i urrejtjes që nxit një postim me informacion të cunguar i bërë nga persona të panjohur dhe nxjerrja nga konteksti e fotografisë së përdorur.

Nga kërkimi për burimin e fotografisë në Google Images figuron se fotografia e përdorur në postin e lartpërmendur është publikuar nga mediat ruse për të raportuar mbi konfliktin në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2001, megjithatë askund nuk theksohet fakti se avioni që duket në fotografinë në fjalë është një avion ukrainas. Të dhënat nga verifikimi i fakteve tregojnë se fotografia është shkrepur mbi fshatin Vaksincë të Kumanovës, gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, në rrjetet sociale dhe ueb-portalet shqipfolëse me fakte të njëanshme në masë të madhe shpërndahet propagandë pro ruse. Në “Facebook” dhe “Instagram” qindra herë janë shpërndarë fotografi ku radhiten disa “fakte” të cilat në opinion kanë tendencë të nxisin urrejtje ndaj shtetit dhe popullit ukrainas.

Marrëveshja ishte mes qeverisë së Ukrainës dhe Maqedonisë

Është e vërtetë se gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 Ukraina, bashkë me Rusinë, ishte ishte një ndër mbështetësit kryesor të ushtrisë maqedonase. Gjatë konfliktit të vitit 2001, Ukraina mori përsipër trajnimin e piloteve maqedonas në akademitë e saj, mbështeti fuqinë ajrore dhe ofroi ndihmë për stërvitje të policisë dhe forcave speciale maqedonase.

Ukraina madje ofroi ndihmë për servisimin e pajisjeve ushtarake të Maqedonisë dhe ka dorëzuar në atë kohë më shumë helikopterë, transportues Mi-8 dhe Mi-17 dhe luftarak Mi-24, katër avionë SU-25 dhe pajisje tjera për ushtrinë tokësore, pasi që në atë kohë Republika e Maqedonisë i ka paguar me paratë nga shitja e Telekomit dhe me eksport të mallrave tjera. Nën trysni të SHBA-së dhe NATO-s, Ukraina ra dakord të “pezullonte” dërgesat e saj të armëve ushtarake në Maqedoni gjatë kohës së operacionit paqësor të NATO-s për çarmatosje pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në pranverën e vitit 2001, policia dhe parlamenti e qeveria e Maqedonisë, në të cilat participonin partitë politike maqedonase (VMRO-DPMNE dhe PLD) dhe ajo shqiptare (PDSH), ndërmorën masa të armatosura duke përfshirë dhe marrëveshjet me Ukrainën e cila në atë kohë ishte pro-ruse.

Populli ukrainas i cili tani është duke u bombarduar dhe me pasojë viktimash, nuk është përgjegjës për marrëveshjet e atëhershme para më shumë se 20 vite të bëra nga krerët e këtij vendi. Nuk duhet të mbahet mëri mbi civilët që janë duke u shpërngulur në masë të madhe duke ikur nga agresioni rus.
Mos-solidarizimi me to, e vendos secilin në anën e agresorit, Vladimir Putin.

Për kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, zërat mbi animin që duhet të mbajnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në luftën mes Rusisë dhe Ukrainë dalin nga qarqe pro ruse, dhe se kjo nuk mund të jetë parametër për të vlerësuar përcaktimin e një shteti.

“Qarqe pro ruse që duan ta arsyetojnë mbështetjen që e kanë , gjithsesi që në situata krize shtete furnizohen pre ngado dhe nuk mund të jetë ajo parametër mbi të cilin duhet ta bëjmë vlerësimin. Vlerësimi ynë është, deshët gjatë rilindjes, deshët para rilindjes dhe mbas, orientimi ynë është perëndimor. Prej nga të duash merre kontestin historik të raporteve Rusi-shqiptarë, s’ka mbështetje. Përpos interesit dhe shfrytëzimit”, tha mes tjerash Xhaferi në ClickPlus në TV21.

Udhëheqësit shqiptar në RMV, Kosovë dhe Shqipëri dënojnë agresionin rus

Maqedonia e Veriut, zyrtarisht e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe është bërë pjesë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Madje, edhe Kuvendi i Kosovës e miratoi Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë. Sa u përket zërave se Ukraina refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, autoritet ukrainase i arsyetojnë e mosnjohja e Kosovës vjen vetëm për shkak të paralelizmave që Rusia heq mes saj dhe Krimesë.

“Arsyeja se pse Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, padyshim ka të bëjë me Rusinë, e cila qartësisht manipulon pa asnjë bazë politike apo ligjore, duke gjetur ngjashmëritë mes aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe përpjekjen e kosovarëve drejt të ardhmes së tyre. Por në qëndrimin tonë, në asnjëherë nuk kemi bllokuar asnjë përpjekje të Kosovës për t’ju bashkuar organizatave ndërkombëtare. Madje ne luajmë futboll me Kosovën, kështu që është një lloj shenje nga ana jonë që nuk është mënyra e qëndrimit tonë të posaçëm politik, është thjesht mënyra për të mos lejuar Rusinë për të manipuluar më tej këtë çështje”, pati deklaruar ish ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, gjatë një vizitë zyrtare në Tiranë.

Ndërkohë pak ditë më parë deputetja Iryna Friz ka thënë se është momenti që Ukraina ta njeh shtetësinë e Kosovës. Në një shkrim në Facebook, Friz thekson se në këto kohë të vështira të vendit të saj, Kosova është rreshtuar karshi miqve të Ukrainë.

Kuchma dhe Putin, foto arkiv

Në çfarë rrethanash politike vepronte Ukraina gjatë vitit 2001?

Ka fakte shumë të rëndësishme të cilat nuk paraqiten për lexuesit gjatë trumbetimit se Ukraina ka mbështetur “vrasjen e shqiptarëve”. Një ndër faktet primare është politika pro-ruse në krye me lider ukrainas të zgjedhur dhe mbështetur fuqishëm nga pushteti rus gjatë asaj periudhe. Në këto raportime nuk përmendet aspak elementi esencial se ka një ndryshim drastik të politikës ukrainase në vitin 2001 dhe asaj aktuale.

Gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, president i Ukrainës ishte Leonid Danylovych Kuchma, udhëheqja e të cilit njihet për një sërë aferash korruptive, censurim të fjalës së lirë dhe bashkëpunëtor i RusisëKuchma nënshkroi “Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit” me Rusinë dhe rusishtes i referohej si “gjuhë zyrtare” në Ukrainë. Publikimi i disa përgjimeve nga opozitari ukrainas Oleksandr Moroz, të bëra nga viti 1998 deri në vitin 2000, zbuloi krimet e shumta të ish presidentit Leonid Kuchma. Në veçanti, miratimi i tij për shitjen e sistemeve të radarëve Sadam Huseinit (bashkë me shitje tjera të paligjshme të armëve).

Pas Leonid Kuchmas në krye të Ukrainës erdhi politikani Viktor Jushçenko“Banditët do të shkojnë në burg!” ishte motoja kryesore e fushatës presidenciale nga Jushçenko, megjithatë me të marrë në dorë pushtetin ai dështoi ti përmbush pritshmëritë e popullit ukrainas, të cilët e shikonin atë si shpëtimtarë të Ukrainës. Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë në vitin 2004 ishin mjaftë të bujshme, bashkë me Jushçenkon në garën për të parin e vendit ishte edhe Viktor Janukoviç .
Në fakt, Janukoviç ishte trashëgimtari i zgjedhur nga vet Leonid Kuchma, i cili në vitin 2002 e kishte emëruar Juanukoviçin kryeministër të Ukrainës, duke i dhënë në dispozicion aparatin shtetëror dhe buxhetin për të luajtur gjatë fushatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli fitues Viktor Janukoviçin, kjo situatë ngjalli revoltë të madhe tek populli ukrainas të cilët nuk e pranonin një rezultat të manipuluar nga pushteti.

Në fund të nëntorit të vitit 2004 në Kiev filluan protesta masive në mbështetje të Jushçenkos, e cila më pas do të njihet si “Revolucioni Portokalli“. Jushçenko fitoi dhe u inaugurua si presidenti i tretë i Ukrainës më 23 janar 2005. Viktor Jushçenko mbajti postin e presidentit deri në vitin 2010 dhe në histori ai mbahet mend si një udhëheqës i cili jo vetëm dështoi në përmbushjen e premtimeve të tij por vazhdoi traditën e paraardhësit të tij duke ndihmuar pasurimin e oligarkëve aktual si dhe shfaqjen e oligarkëve të rinj të cilët ishin njerëzit e tij më të afërt.

Në vitin 2010 president i Ukrainës u bë Viktor Janukoviç i cili në opinion njihet si mbështetës i madh i politikave të presidentit rus Vladimir PutinGjatë mandatit të Janukoviçit Rusia dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje për çmimin e gazit në këmbim të zgjatjes së qirasë për marinën ruse në një port ukrainas të Detit të Zi. Transparency International emëroi Presidentin Janukoviçin si shembullin më të lartë të korrupsionit në botë. Në vitin 2013 Qeveria e Janukoviçit pezulloi bisedimet e tregtisë dhe asociimit me BE-në dhe vendosi të ringjallë lidhjet ekonomike me Moskën, duke shkaktuar tubime masive në Kiev për muaj të tërë. Protestat që kishin për qëllim rrëzimin e presidentit Viktor Janukoviçit, u bënë të dhunshme ku si pasojë vriten dhjetëra protestues.

Nga viti 2014 vullneti i popullit dhe orientimi politik i Ukrainës ndryshoi kahje

Vala e demonstratave të dhunshme në Ukrainë mori emrin “Euromadian” dhe çuan në revolucionin ukrainas të vitit 2014, i njohur si “Revolucioni i Dinjitetit”. Në shkurt të vitit 2014, parlamenti ukrainas votoi për largimin e Janukoviçit, i cili arratiset drejt Moskës. Sipas politikanit rus Oleg Mitvol, Janukoviç bleu një shtëpi në Barvikha për 52 milionë dollarë më 26 shkurt 2014. Ndërkohë në Ukrainë brenda pak ditësh, njerëz të armatosur kapin parlamentin e rajonit ukrainas të Krimesë dhe ngrenë flamurin rus. Moska e anekson territorin e Krimesë pas një referendumi të mbajtur më 16 mars. Në prill, separatistët pro-rusë në rajonin lindor të Donbasit shpallin pavarësinë. Luftimet shpërthejnë dhe kanë vazhduar në mënyrë sporadike, pavarësisht armëpushimeve të shpeshta, deri në vitin 2022.

Ukraina në javët dhe muajt pas Euromaidanit ishte një komb në prag të katastrofës. Rusia, e alarmuar se Euromaidan do ta largonte Ukrainën nga Kremlini dhe do ta afronte drejt Bashkimit Evropian, aneksoi shpejt Krimenë dhe ndezi një konflikt separatist në rajonin e Donbasit. Dekada korrupsioni e kishin lënë ushtrinë ukrainase të papajisur mirë për të mbrojtur sovranitetin e vendit. Ndërkohë, presidenti i rrëzuar nga lëvizja Euromaidan, Viktor Janukoviç, iku në Rusi dhe la pas një thesar bosh.

Presidenti i ardhshëm i Ukrainës ishte biznesmeni Petro Proshenko, i cili u inaugurua më 5 qershor të vitit 2014. Gjatë fushatës zgjedhore, Poroshenko premtoi se gjërat do të ndryshonin. Përderisa ndërtonte perandorinë e tij të biznesit, Proshenko kishte pozicione politike gjatë udhëheqjes së tre nga katër paraardhësit e tij presidencialë. Poroshenko u përball me akuzat për përfitim nga të qenit në pushtet, qoftë duke marrë kontrata fitimprurëse furnizimi, duke lobuar për firmat e tij, ose duke përdorur sistemin e drejtësisë në dobi të tij dhe të partnerëve të tij.

Më 20 maj të vitit 2019, Volodymyr Zelensky u inaugurua si presidenti i gjashtë i Ukrainës, një emër i ri në politikën ukrainase i cili kishte ndërtuar imazhin dhe pasurinë e tij si humorist, aktor dhe personazh televiziv. Zelensky i fitoi zgjedhjet presidenciale me premtimet se do i jap fund korrupsionit në vendin e tij dhe se do të zgjidh konfliktin e tensionuar në Ukrainën lindore. Lidershipi i ri në Ukrainë kishte presidentin më të ri në historinë e saj (41-vjeç), parlamentin më të ri (mosha mesatare 41), kryeministrin më të ri (35) dhe kabinetin më të ri në Evropë (mosha mesatare 39). Kabineti i ri u quajt gjithashtu shpejt “më liberali” në historinë e Ukrainës dhe udhëheqësit e qeverisë u zotuan një rritje prej 40 për qind të PBB-së gjatë pesë viteve. Presidenti aktual i Ukrainës njihet si mbështetës i politikave pro-perëndimore dhe anti-ruse.

Lidershipi politik Ukrainë-Rusi, burimi: www.aljazeera.com
Lexuesit duhet të kenë kujdes nga ku informohen, gazetarët të raportojnë profesionalisht

Krizat gjithmonë kanë qenë burim i fuqisë së makinerive propaganduese. Thelbi i gazetarisë është i shumëanshëm, por bërthama përbëhet nga dy gjëra: faktet dhe e vërteta. Nëse një informacion nuk i përmban këto dy elemente atëherë kemi të bëjmë me fenomenin që quhet propagandë dhe qëllimi i propagandës është që të luhet me ndjenjat e opinionit publik dhe ti imponohet mendim pozitiv apo negativ kundrejt një pale të caktuar. Zgjedhja e burimeve të besueshme të informimit është shumë e rëndësishme për opinionin publik ndërsa për ata që transmetojnë lajme është e rëndësishme mbi të gjitha ti respektojnë parimet e Kodit Etik dhe të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat negative në shoqëri nga dezinformimi apo keqinformimi.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM), pas fillimit të luftimeve në Ukrainë, u bëjnë thirrje mediave që të informojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm maksimal, duke mos kontribuar në përhapjen e spekulimeve dhe të pavërtetave në opinion.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.