Revistat e mjekësisë alternative si një mjet tjetër për glorifikim propagandistik të Rusisë
Te ne shiten disa revista ruse për mjekësi alternative: “Bari rus”, “Mjeku rus” dhe “Ilaçi rus”. Nëpërmjet tyre dërgohen mesazhe të tilla si: “Këshillë ruse, shëndeti vlen”, “Rusët kanë ilaçe” dhe “Ju pyesni, ju përgjigjen mjekët rusë”. Në këto revista mjekësia popullore është “Mjekësia popullore ruse”, receta të ndryshme popullore janë edhe “receta ruse”. Por pavarësisht përpjekjes për të krijuar një pamje të një vendi me shëndet të shkëlqyer, të dhënat nga institucionet përkatëse tregojnë se Rusia ka një nga statistikat më të këqija në këtë fushë, jetëgjatësia atje është dukshëm më e ulët se në vendet e zhvilluara.
Shkruan: Аna Anastasovska
Ndikimi i Rusisë në Ballkan është i rëndësishëm dhe përveç televizioneve dhe faqeve të ndryshme të internetit që ofrojnë përmbajtje me origjinë ruse, ndikimi rus përhapet edhe nëpërmjet revistave të mjekësisë alternative. Revista të tilla shiten edhe në vendin tonë. Ata vijnë nga Serbia, ku shpërndahen në vendet fqinje dhe audienca kryesore e tyre e synuar janë të moshuarit, gjë e cila shihet nga fotot e kopertinës, ku kryesisht shfaqen të moshuarit me flokë të bardha, si dhe nga zgjedhja e temave dhe reklamave që u kushtohen gjendjeve të lidhura me plakjen.
Në Maqedoninë e Veriut shiten disa revista të tilla ruse. Bëhet fjalë për “Bari rus”, “Mjeku rus” dhe “Ilaçi rus”. Nëse ndaloni para ndonjë dyqani, nuk mund të mos i shihni këto revista që rrisin dukshmërinë e simboleve ruse. Dizajni grafik i këtyre revistave përfshin përdorimin e ngjyrave të flamurit rus ose një version miniaturë të flamurit në pothuajse çdo faqe. Ata dërgojnë mesazhe të tilla si: “Këshilla ruse, shëndeti vlen”, “Rusët kanë ilaçe” dhe “Ju pyesni, ju përgjigjen mjekët rusë”.
Nëse shfletoni revistat, do të zbuloni se çdo këshillë e zakonshme shëndetësore – e cila mund të merret nga çdo mjek në botë – kualifikohet si “ruse”. Mjekësia popullore është “mjekësia popullore ruse”, dhe recetat e ndryshme popullore për disa sëmundje janë gjithashtu “receta ruse”. Për shembull, në mesin e pesë “çajrave të fuqishëm për parandalimin e kancerit”, në vend të parë është “çaji rus”. Në këto revista mund të gjeni edhe “eliksirin rus” për parandalimin e omikronit, të zbuluar nga shkencëtarët rusë, ndërsa përbëhet nga thithja e “vodkës ruse”. Ilaçi popullor për trajtimin e hemorroideve të jashtme me ndihmën e patateve, të cilat i gjeni kudo, është paraqitur këtu si “recetë popullore tradicionale ruse”.
Përmbajtja e këtyre revistave është kryesisht nga Rusia dhe varion nga këshillat e mjekëve, recetat për disa pjata, deri te promovimi i bimëve ruse dhe shëruesve shpirtërorë, të cilët kanë gjetur ilaçe “mrekulli” për të zgjatur jetën, për të kuruar kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe pothuajse çdo sëmundje tjetër. Sigurisht, nuk përjashtohen këshillat se si të luftoni koronavirusin.
Në këtë kontekst, është një tekst që përcjell përvojat e doktor Vladimir Zelenkos, i cili thotë se “Zinku vret koronën, dhe ivermektina hap qelizat e saj”.
Protokolli i trajtimit të Dr. Vladimir Zelenko shpesh promovohet nga antivaksinuesit si një “ilaç mrekulli” për koronavirusin. “Vërtetmatësi” ka shkruar tashmë për ilaçin e Dr. Zelenkos dhe dezinformatës që ai e ka plasuar – se kombinimi i hidroksilklorinës, zinkut dhe azitromicinas është magjik dhe shëron Kovid-19.
Reklama të dyshimta
Faqet komerciale të këtyre revistave janë të mbushura me reklama nga parashikues dhe shërues të ndryshëm lokalë dhe rajonalë, të cilët ofrojnë konsultime për horoskop ose premtojnë ilaçe mrekullibërëse. Kështu, për shembull, kur hapni revistën “Mjeku rus”, gjëja e parë që do të shihni është një “Doktor Cvetin” i cili “shëron kancerin dhe leukeminë” dhe të tjera “sëmundjet më të rënda kronike të pashërueshme” me ndihmën “Uni-lek-1” të tij, për të cilën thotë se “nuk e shëron vetëm vdekjen”. “Doktor Cvetin”, i cili për veten thotë se është “Mjeku nr. 1 në Ballkan”, drejton “klinikën e parë neuropatike në internet në mjekësinë hapësinore në Ballkan”. Ai thotë se “në bashkëpunim me një koleg rus” diagnostikon sëmundjet përmes Viber apo WhatsApp.
Në revistë ka reklama të tjera që përmbajnë terma që tingëllojnë shkencorë, por nuk kanë të bëjnë me mjekësinë. Kështu, terma të tillë si “terapia e informacionit”, “mjeksi kuantike” përmenden nga njerëz të fotografuar me pallto të bardha apo me tituj “akademik” – nga kompani që nuk janë as institucione shkencore dhe as mjekësore.
Dyshimi për besueshmërinë e reklamave vërtetohet nga fakti se gazeta ka përsëritur dy herë në faqen e tretë “informacionin plus” të mëposhtëm, ku thuhet se botuesi “Color Media Plus” dhe redaksia “nuk mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen dhe vërtetësinë” e reklamave, shpalljeve dhe promocioneve…“.
Të njëjtën gjë shkruan edhe në faqen e fundit të revistës “Mjekësia ruse”, por në gjuhën serbe.
Në këtë mënyrë, botuesi i revistave përpiqet të distancohet ligjërisht nga proceset gjyqësore, duke theksuar se:
Për autenticitetin e tyre janë përgjegjës vetëm ata që reklamojnë, si dhe për cilësinë e produkteve adekuate të sëmundjes përgjegjësi marrin ata që i rekomandojnë si ilaç. Gjithashtu, redaksia dhe kompania nuk janë të detyruara të japin shpjegime me shkrim, elektronik apo telefonik.
“Bari rus”, nga ana tjetër, paralajmëron lexuesit se “tekstet janë vetëm për qëllime informative dhe nuk duhet të pranohen si zëvendësim për terapinë dhe ilaçet e përshkruara nga mjeku juaj“.
Propagandë për shëndetin rus dhe jetëgjatësinë ruse
Ajo që është interesante është se këto revista theksojnë shëndetin rus, mjekësinë ruse, ilaçet ruse dhe sigurisht jetëgjatësinë ruse. Kështu në “Mjekun rus” nga “Rusia me dashuri”, lexuesve u ofrohet sekreti i jetëgjatësisë së popullit të Kaukazit. Teksti paraqet njerëz që jetuan mbi 100 vjet, dhe disa prej tyre hynë në librin e rekordeve ruse. Gratë e paraqitura në këtë tekst “nuk kanë shkuar kurrë te mjeku, kanë punuar vetëm në ferma dhe kanë lindur fëmijë në shtëpi, jo në maternitet“.
Por, pavarësisht përpjekjeve për të krijuar imazh të një vendi me shëndet të shkëlqyer, të dhënat nga institucionet përkatëse tregojnë se Rusia ka një nga statistikat më të këqija në këtë sferë. Jetëgjatësia atje është dukshëm më e ulët se në vendet e zhvilluara.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2016, jetëgjatësia mesatare në Rusi ishte 71.6 vjet, krahasuar me 82.3 vjet në Francë dhe 83.9 vjet në Japoni – që është mbi 12 vjet më shumë se në Rusi.
Një studim mjekësor i kryer në vitin 2014 tregoi se probabiliteti që një burrë në Rusi të vdesë para moshës së 55-të është 25 për qind, për shkak të dy faktorëve: alkoolizmit si shkaktar kryesor dhe duhanpirjes si shkaktar dytësor.
Vendet e Ballkanit, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, gjithashtu mbeten prapa Bashkimit Evropian për sa i përket avancimit të shëndetit, por megjithatë, janë shumë më mirë se Rusia.
Sipas të dhënave të mësipërme të Bankës Botërore nga viti 2016, në Serbi jetëgjatësia mesatare ishte 75.2 vjet, ndërsa në vend situata është pak më e mirë – 75.7 vjet. Vendet e ish-Jugosllavisë që iu bashkuan BE-së kanë një situatë edhe më të mirë – në Kroaci jetëgjatësia mesatare është 78 vjet, ndërsa në Slloveni 80,8 vjet, pra nëntë vjet më shumë se në Rusi.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari