Regjistri i spiunëve rusë identifikon 42 persona të arrestuar derisa vepronin në Evropë

 

Regjistri i spiunëve rusë në Evropë, i publikuar në Twitter, identifikon 42 persona që vepronin në vendet e tyre, dhe merrnin para nga Federata Ruse. Ky regjistër u krijua në bazë të të dhënave të hapura dhe informacioneve rreth arrestimeve ose gjyqeve të këtyre spiunëve rusë të identifikuar gjatë pesë viteve të fundit.

 

Shkruan: Vesna Kollovska

 

Bullgaria është vendi i dytë pas Polonisë me numrin më të madh të rasteve – 8, me pesë akuza të ngritura, dy më pak se Polonia.

Vizualizimi: Numri i aktakuzave të ngritura kundër spiunëve të dyshuar rusë sipas vendeve

Sipas të dhënave në regjistër, në Poloni në mesin e atë arrestuarve ka edhe një gazetar dhe një zyrtar, si dhe tre sipërmarrës. U arrestua edhe politikani Janusz Niedzwiecki, i cili drejton një parti të ekstremit të djathtë në Poloni me interesa të afërta me ato të Kremlinit.

Në Bullgari, në mesin e të arrestuarve të akuzuar për spiunazh është edhe shefi i Lëvizjes Kombëtare “Rusofilët”, Nikolaj Malinov.

Gazeta bullgare “Sega” shkruan se aktakuza ndaj Malinovit është ngritur në vitin 2019, por ende nuk ka vendim përfundimtar. Sipas aktakuzës, Malinov komunikoi me dy organizata me bazë në Rusi, nga të cilat mori detyra për të krijuar parti proruse për të riorientuar Bullgarinë drejt Lindjes, një kanal televiziv dhe faqe interneti që do t’i shërbenin këtyre qëllimeve, si dhe një OJQ dhe qendër analitike. Gjyqi nuk ka nisur deri në vitin 2021 dhe çështja është kthyer një herë nga Gjykata e Specializuar Penale për mos respektim të afateve. Pas mbylljes së gjykatës speciale, rasti vazhdoi në Gjykatën e qytetit – Sofje.

Rasti tjetër nga Bullgaria është i marsit 2021 kundër gjashtë personave të akuzuar për spiunazh në dobi të Rusisë. Pastaj zyra e prokurorit të shtetit publikoi video dhe regjistrime audio të takimeve mes të dyshuarve, dhe sipas aktakuzës, ish-shefi i inteligjencës ushtarake bullgare, 74-vjeçar, i cili u diplomua në GRU-në ruse para vitit 1989, formoi dhe drejtoi një grup spiunazhi prej gjashtë anëtarve. Në grup përfshihet edhe gruaja e tij, ish-vartësja dhe drejtuesja aktuale e zyrës sekrete të parlamentit bullgar dhe zëvendësdrejtori i administratës së buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjyqi, siç shkruan “Sega”, është ndërprerë vitin e kaluar në mars dhe të gjithë të akuzuarit për aferën e spiunazhit janë të lirë me kusht.

Në regjistrin e publikuar të spiunëve rusë, e treta është Gjermania, ku në vitin 2022, katër persona u arrestuan për spiunazh. U zbuluan dhe u ndaluan dy oficerë të inteligjencës, si dhe një shkencëtar dhe një biznesmen rus që luanin rol në spiunazhin teknologjik.

Katër persona u arrestuan në Suedi vitin e kaluar, nga të cilët u gjetën prova se punonin për agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake GRU. E fundit në listë është Norvegjia, ku në vitin 2022 u ndalua studiuesi nga Universiteti i Tromso, Mihail Mikushen, i cili, sipas aktakuzës, punonte për GRU nën identitetin e rremë të një shtetasi të Brazilit.

Përdoruesi i llogarisë në Twitter, i cili publikoi Regjistrin, analizoi se më shumë se 30 raste të spiunazhit për të mirën e Rusisë janë zbuluar në pesë vitet e fundit në të gjithë Evropën. Personeli i ushtrisë dhe shërbimet e tjera të uniformuara dominojnë mes kandidatëve për rekrutim. Rastet aktive përfshijnë kryesisht agjentë të lindur në Rusi.

Vizualizim: Spiunët rusë sipas kombësisë

Duket se puna për inteligjencën ruse është jo vetëm e rrezikshme, por edhe jo shumë fitimprurëse. P. Buçka, rektor i Akademisë së Forcave të Armatosura Sllovake, ka marrë 46 mijë euro për 9 vite “shërbim”. Aksi bullgar rezultoi shumë më mirë me 3,000 dollarë amerikanë për agjent. Çfarë të presim në vitin 2023? Ndoshta kohë më të vështira për rrjetet e inteligjencës ruse në Evropë. Më shumë se 400 diplomatë janë dëbuar nga vendet perëndimore që nga pushtimi. Kjo ndikon seriozisht në aftësinë e Rusisë për të punuar me burime në terren dhe për të rekrutuar të reja, shkruan autori i Regjistrit.

Mediat bullgare e konsiderojnë këtë dokument të publikuar si bazë të mirë për analizë për praninë e shërbimeve ruse në tokën bullgare. Ata e konsiderojnë indikative deklaratën e shefes së kabinetit të ish-kryeministrit Kiril Petkov, Lena Borislavova, e cila në korrik të vitit të kaluar deklaroi se Rusia u paguan 4000 leva në muaj “zëdhënësve” të saj. Sipas saj, bëhet fjalë për “folës publikë dhe politikë”, përfshirë gazetarë, politologë, politikanë dhe personazhe publike, të cilët formojnë publikisht qëndrime në mbështetje të shtetit rus. Mirëpo, nuk dihet për opinionin nëse pas pretendimeve të tilla të Borislavova është bërë hetim i plotë nga Prokuroria dhe Shërbimi i Sigurisë Kombëtare.

Ish-ambasadorja bullgare në SHBA dhe nënkryetarja e Klubit Politik, Elena Poptodorova, në një prononcim për TV Nova nga Bullgaria, tha se shërbimet ruse kanë një pozicion komod në Bullgari, si dhe pikënisjen në rajon, kjo është arsyeja pse ka një numër të madh spiunësh rusë. Poptodorova ka komentuar edhe qëndrimin e presidentit maqedonas Stevo Pendarovski për operacionin e prishjes së marrëdhënieve maqedono-bullgare nga shërbimet ruse.

Të gjithë politikanët që për qëllimet e tyre politike dhe komerciale sulmojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut vërtet i shërbejnë interesit rus, por është pasqyrë më komplekse sesa të flasim për lidhje spiunazhi. Padyshim që ata eprorë të cilët i tregon zotri Pendarovski janë të lidhur me shërbimet ruse, sepse ata kanë agjendën e tyre, gjenezën e tyre, e cila mund t’i shërbejë interesit rus, por është shumë e vështirë të gjesh lidhje me shërbimet ruse, termat e udhëzimeve, financimit etj. Megjithatë, teza në vetvete është e saktë – të gjithë politikanët dhe partitë politike në Bullgari, të cilët synojnë Maqedoninë për qëllimet e tyre shumë politike dhe tregtare, i shërbejnë interesit rus. Megjithatë, pasqyra është më e gjerë se ajo e përcjellë nga Pendarovski, tha ish-ambasadorja bullgare në SHBA.

Ikonografik: Numri i diplomatëve rusë të dëbuar

Në Regjistrin e publikuar të spiunëve rusë nuk ka asnjë informacion për Maqedoninë e Veriut.

Të dhënat për diplomatët e dëbuar që kanë shërbyer në ambasadën ruse në Shkup janë të njohura publikisht. Në vitin 2021, dy diplomatë rusë u shpallën persona non grata, njëri në maj dhe i dyti në gusht, pas çka u dëbuan. Rusia ka reaguar duke dëbuar diplomatët e Maqedonisë nga Moska.

Në mars të vitit 2022, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë (MPJ) shpalli persona non grata pesë diplomatë të tjerë rusë. Sipas MPJ-së, diplomatët kanë kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.