Recension: Kroacia legalizon marihuanën, kroatët nisen për turizëm në Lazarat (VIDEO)

Lajm i bazuar në komente të thjeshta në ueb sjatin për shkëmbim të video materialeve, YouTube. Pothaujse të gjitha informatat që sillen në këtë artikull si burime, nuk janë asgjë tjetër pos komente pa kredibilitet për të bazuar një informacion gazetaresk.Mirëpo, një nga shkeljet kryesore që ky artikull u bën normave të gazetarisë, gjendet pikërisht në titullin, i cili jo vetëm që dezorienton opinionin, por është një trillim i krejtësishëm i autorit. Pohimi kinse “Kroacia legalizon marihuanën”, jo vetëm që nuk gjendet në tekst, por është një informacion që nuk është liferuar në asnjë nga mediat vendase dhe të rajonit. Bie poshtë edhe pjesa tjetër e titullit, ku theksohet se “kroatët nisen për Lazarat”. Kjo, përskaj tendencës për të gjeneralizuar një thënie të vetme të një shfrytëzuesi anonym të rrjeteve sociale, përbën edhe shpifje me qëllim për të krijuar senzacionalizëm.

Gazeta LAJM   Kroacia legalizon marihuanën  kroatët nisen për turizëm në Lazarat  VIDEOLinku deri te artikulli original: Kroacia legalizon marihuanën, kroatët nisen për turizëm në Lazarat (VIDEO)

Data dhe koha e publikimit: 22.11.2013

Data e recensionit: 27.11.2013

Recensues: Gent Mehmeti

Vërtetësia:  Është më se e qartë se lajmi ka pak të përbashkët me të vërtetën. Që në fillim, paragrafi bartës bën të ditur se Kroacia është e gatshme për të legalizuar marihuanën. Kjo në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë, për shka se në mediat kroate kishte qarkulluar lajmi vetëm për dekriminalizim të bimës narkotike. Terminologjia juridike bën distinkcion thelbësor midis këtyre dy kategorive. Më tej, si bazë merret nëj film dokumentar kushtuar kultivimit të marihuanës në fshatin Lazarat të Shqipërisë për të cilin thuhet se është realizuar nga Deutsche Ëelle, ndërsa në linkun më poshtë servohet një reportazhë amatoreske e dy turistëve holandez.

 Burimet e informatave: Burimet janë irelevante për një pohim të kalibrit të tillë. Që të gjitha deklaratat e transmetuara janë komente që nuk munden të klasifikohen madje as si burime anonime. Një sërë komentuesish në rrjetet sociale nuk guxon të përbëjnë themelet faktike të artikujvegazetaresk, aq më pak kur ato trajtonë çështje kontroverze.

 Përmbajtësia: Përmbajtësia është e pakompletuar. Vërrehet prania e komenteve anonime nga njëra anë, por jo edhe prononcime të autoriteteve zyrtare nga tjetra. Kjo assesi nuk kontribuon drejt eksplorimit të mëtutjeshëm të çështjes, që në praktikë duhet të jetë parim i rëndësishëm drejt rrënimit të observimit sipërfaqësor dhe të cekët. Sa u përket komenteve të cilat janë transmetuar si deklarata në këtë artikull, duket se ato janë transmetuar  në mënyrë korrekte dhe pa ndonjë intervenim në kontekst.

 Anshmëria: Në një pjesë të artikullit, autori ka komentuar mbi praktikën e akuzave  entike në Ballkan. Ai ka gjeneralizuar situatën duke cekuar se debatet në Balllkan çdoherë përdoren për akuza etnike.  Më tej është theksuar prania e komentuesve serb në video materialin e vendosur në YouTube. Duket se autori mjeshtërisht ka renditur replikat e shfrytëzuesve me etnitet të ndryshëm, të cilat kanë qenë pjesë e polemikave të ashpërsuara në tekst. E gjithë kjo, në opinion krijon pasqyrën e anshmërisë etnike.

 Origjinaliteti/Plagjiatura: Artikulli nuk ka elemente të plagjiaturës. Ai është kontribut original i autorit.

 Kualiteti i titullit: Titulli i këtij artikulli është cak i vërejtjeve më serioze gjatë këtij recensioni. Në titull janë plasuar informata të pavërteta që në asnjë pjesë të artikullit nuk vërtetohen. Madje, ai është vendosur në mënyrë aq provokative, sa që krijon senzacionalizëm të pashmangshëm.

 Fotografia: Fotografia e disa grave që duket se përpunojnë bimë që ngason me bimën narkotike, kanabis sativa, e cila trajtohet në tekst, nuk korrespondon me informacionin. Në fotografi janë të paraqitura disa gra, por askund nuk ka shenja që mund të vërtetojnë se kjo është duke ndodhur në fshatin Lazarat të Shqipërisë.

 Përfundimi:  Çështjet kontroverze disponojnë me kapacitet të madh për të pushtuar vemendjen e opinionit. Andaj, punonjësit mediatik duhet t’u qasen me kujdes të veçantë çështjeve të tilla. Një praktike e tillë nuk mund të vërtetohet edhe në artikullin e recensuar, ku në vazhdimësi vërrehen elemente jo profesionale. Mbi të gjitha, ky artikull është një përpjekje e qartë për të fituar lexueshmëri në krah të senzacionalizmit.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.