Recension: Brenda 4 viteve pakica bullgare mund të arrije pragun e 25 përqindëshit

Portalb-Brenda-4-viteve-pakica-bullgare-mund-të-arrije-pragun-e-25-përqindëshit-crop-resize

Teksti ngërthen në vete një temë që në kontinuitet ka qenë cak i manipulimeve të ndryshme. Brengos fakti që gazetari përgjegjës nuk i është qasur problematikës në parim me normat e gazetarisë së standarizuar. Një nga të metat kryesore të këtij informacioni është mosverifikimi, ose së paku servimi parcial i burimeve.  Andaj, mund të konstatohet se teksti në fjalë, e posaçërisht një pjesë e tij, nuk i përmbush standardet e duhura dhe nuk arrin të klasifikohet si kontribut serioz gazetaresk. Madje, duke u përqëndruar në këto lëshime, ky informacion ka baza për tu llogaritur si një i tillë që shpërfill dallimin mes fakteve dhe mendimeve, gjë që qartë është e përkufizuar me pikën 13 (trembëdhjetë) të Kodeksit të Gazetarëve të Maqedonisë, e cila thotë:

Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve.”


Portalb   Brenda 4 viteve pakica bullgare mund të arrije pragun e 25 përqindëshitLinku deri te artikulli original:  Brenda 4 viteve pakica bullgare mund të arrije pragun e 25 përqindëshit

Data dhe koha e publikimit: 20.10.2013

Data e recensionit: 13.11.2013

Recensues: Gent Mehmeti

Vërtetësia:  Vërtetësia e informacionit të publikuar në “Portalb”, është subjekt i një sërë kontestesh politike, si partiake dhe ndëretnike brenda kufinjëve të Maqedonisë, ashtu dhe atyre diplomatike dhe ndërshtetërore. Duke pasur parasysh mungesën e kontraargumenteve, në këtë rast, qëndrimi më i përshtatshëm do të ishte neutral me anim mbase nga e pavërteta. Edhe pse mundësitë që ky informacion të jetë i vërtetë ekzistojnë, mospërfillja e parimeve të profesionit, nuk lejojnë që të konsiderohet si i tillë.

Burimet e informatave: Burimet në këtë rast janë të paqarta dhe shkaktojnë konfuzitet shtesë tek opinioni. Për më tepër, ato nuk janë cituar brenda tekstit dhe prezenca e tyre nuk është dokumentuar. Gazetari ka cekur si burim një lajm të plasuar në servisin Publik Shtetëror, mirëpo nuk ka arritur të potencojë datën, protagonistin dhe një sërë pyetjesh esenciale që përbëjnë “pesë pyetjet bazë të gazetarisë”.

Përmbajtësia: Përmbajtësia e tekstit, në përgjithësi është e natyrës senzacionaliste. E gjithë ajo që është shënuar, përveç mungesës së verifikimit të burimeve, ballafaqohet edhe me problemin e mungesës së kredibilitetit të tyre. “Agjencitë turistike në shumë qytete të Maqedonisë“,  si që është shprehur autori i tekstit, nuk përbëjnë organe kompetente të cilat mund të japin informata të këtij kalibri. Brenda tekstit mungojnë prononcime nga organe të renomuara si Enti Shtetëror për Statistikë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme, që tradicionalisht kanë konfirmuar informacione të tilla.

Anshmëria: Anshmëria nuk është prezente në formë të dukshme, në rend të parë për shkak të mungesës së ballafaqimit të dy përfaqësuesve nga dy palët e “ndeshura” në tekst. Ajo mund të supozohet si pjesë e një intence perfide, por, duke pasur parasysh natyrën lajmëruese të informacionit në fjalë, nuk është korrekte ti mvishet një tendencë e tillë. Anshmëria në këtë rast mbetet të përcaktohet nga vetë mendja e spektatorëve.

Origjinaliteti/Plagjiatura: Duke marrë parasysh faktin se gazetari që në fillim ka potencuar se teksti bazohet në informacion paraprakisht të botuar në Servisin Publik, nuk mund ta ngarkojmë për plagjiaturë.

Kualiteti i titullit: Titulli gjithsesi përbën shtyllën e problemit në fjalë. Duke shpalosur esencën e tekstit të mëposhtëm, ai zëshëm dhe bindshëm plason informacionin e dyshimtë. Titujt çorientues mund të jenë bazë e manipulimeve në mediat elektronike, për shkak të mënyrës së paraqitjes në internet dhe rrjetet sociale.

Fotografia: Fotografia nuk tregon shumë. Në të vërtetë, ajo pasqyron vetëm dy pasaporta bullgare dhe sipërfaqësisht ilustron tekstin.

Përfundimi: Ky tekst nuk është konform rregullave të gazetarisë dhe në vete përmabn elemente të manipulimit latent. Ai anashkalon parimin e burimeve origjinale dhe si i tillë është i prirur për senzacionalizëm dhe dezinformim.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.