Putini nuk е përmendi aspak Pendarovskin dhe Vuçiqin në fjalimin e tij

Фото: kremlin.ru

„Vërtetmatësi” analizoi fjalimin e presidentit rus, Vlladimir Putin të datës 24 shkurt të vitit 2022, të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, dhe në të në asnjë kontekst ai nuk e përmend presidentin e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Serbisë.

 

Teksti me titull:Putini e paralajmëroi Pendarovskin, Vuçiqin dhe liderët ballkanik që të mos ndërhyjnë? NËSE DIKUSH TENTON TË NA PENGOJË DO TË KETË PASOJA TË RËNDA”, përcjell një pjesë të fjalimit të presidentit rus Vlladimir Putin nga data 24 shkurt të vitit 2022, dita kur Rusia e sulmoi Ukrainën.

Teksti në titull pretendon se në fjalimin e tij Putini e ka pralajmëruar presidentin maqedonas dhe serb, Stevo Pendarovski dhe Aleksandar Vuçiq, si dhe liderët e tjerë ballkanik, që të mos ndërhyjnë në ofanzivën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Kjo nuk është e vërtetë, Putini në fjalimin e tij nuk e ka përmendur askund Pendarovskin dhe Vuçiqin.

Edhe pse fillimisht thuhet se teksti e përcjell të gjithë fjalimin e Putinit, i cili u publikua në faqen e Kremlinit, kjo nuk është realizuar. Janë përcjellë vetëm dy paragrafë nga fjalimi i tij hyrës dhe kjo është e gjitha. Nuk ka asnjë link që të lidh me faqen zyrtare të Kremlinit, ku lexuesit do mund të lexonin të gjithë fjalimin e Putinit dhe të shohin nëse ai vërtet e ka përmendur Pendarovskin dhe Vuçiqin.

„Vërtetmatësi“ e analizoi fjalimin e presidentit rus  dhe nuk konstatoi një gjë të tillë. Në fillim, ai flet për zgjerimin e NATO-s në lindje dhe afrimin e infrastrukturës ushtarake të Aleancës Veriatlantike në kufijtë e Rusisë.

Dihet se tashmë 30 vjet me këmbëngulje dhe durim po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me vendet kryesore të NATO-s mbi parimet e sigurisë së barabartë dhe të pacenueshme në Evropë. Si përgjigje të propozimeve tona, ne vazhdimisht jemi përballur ose me mashtrime dhe gënjeshtra cinike, ose me tentativa për presion dhe shantazhim, ndërkohë që Aleanca Veriatlantike, edhe krahas gjithë protestave dhe shqetësimeve tona, vazhdon të zgjerohet. Makineria ushtarake po lëviz dhe, e përsëris, po u afrohet kufijve tanë”, thotë Putin.

Në vazhdim ai i referohet qëndrimit të vendeve perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur edhe bombardimin e Serbisë nga NATO:

 

Natyrisht, në jetën praktike, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në rregullat për rregullimin e tyre, ishte e domosdoshme të merren parasysh ndryshimet në situatën botërore dhe vetë ekuilibri i fuqisë. Por kjo duhej bërë në mënyrë profesionale, pa probleme, me durim, duke pasur parasysh dhe respektuar interesat e të gjitha vendeve dhe duke kuptuar përgjegjësinë tonë. Por jo, euforia nga superioriteti absolut, një lloj absolutizmi modern dhe niveli i ulët i kulturës së përgjithshme dhe arrogancës së vendimmarrësve kishin si rezultat përgatitjen, miratimin dhe realizimin e vendimeve të cilat ishin të dobishme vetëm për ata. Situata filloi të zhvillohej sipas një skenari ndryshe.

Ju nuk keni pse të kërkoni larg për shembuj. E para, pa asnjë sanksion nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ata kryen një operacion të përgjakshëm ushtarak kundër Beogradit, duke përdorur avionë dhe raketa mu në qendër të Evropës. Bombardime të vazhdueshme disa javore të qyteteve civile, të infrastrukturës për mbështetje jetike. Ne duhet t’i kujtojmë këto fakte, edhe pse disa kolegë perëndimorë nuk duan t’i kujtojnë ato ngjarje dhe kur flasim për këtë ata parapëlqejnë që të mos i theksojnë normat e së drejtës ndërkombëtare, por rrethanat që ata i interpretojnë siç u konvenon atyre.

Presidenti rus vazhdon pastaj me situatën në Irak, Libi, Siri, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se pa asnjë bazë ligjore, me gënjeshtra, kanë kryer ofanziva ushtarake në këto vende:

 

Megjithatë, një vend të veçantë në këtë serial zë, natyrisht, pushtimi i Irakut, edhe ai pa asnjë bazë ligjore. Si justifikim ata zgjodhën informacione të besueshme që me gjasë janë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara për praninë e armëve të shkatërrimit masiv në Irak. Si dëshmi për këtë, publikisht, para syve të gjithë botës, Sekretari Amerikan i Shtetit tundi një epruvetë me një pluhur të bardhë, duke i siguruar të gjithë se kjo ishte një armë kimike që po zhvillohej në Irak. Edhe atëherë doli sheshit se e gjithë kjo ishte një mashtrim, një bllof: në Irak nuk ka armë kimike. E pabesueshme, befasuese, por fakti mbetet. U thanë gënjeshtra në nivelin më të lartë shtetëror dhe nga foltorja e lartë e OKB-së. Dhe si rezultat – numër i madh viktimash, shkatërrime, një valë e jashtëzakonshme e terrorizmit.

 

Presidenti rus thekson se edhe atë e kanë mashtruar në lidhje me zgjerimin e NATO-s në lindje. Edhe pse i ishte premtuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhte, premtimi ra në ujë.

 

Sa i përket vendit tonë, pas rënies së BRSS-së, me gjithë hapjen e paparë të Rusisë së re moderne, gatishmërinë për të punuar me ndershmëri me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë perëndimorë dhe në kushte të çarmatimit praktik të njëanshëm, ata menjëherë tentuan të na shtypin, që të na japin fund dhe të na shkatërrojnë plotësisht. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në vitet 1990, në fillim të viteve 2000, kur i ashtuquajturi Perëndim Kolektiv mbështeste në mënyrë më aktive separatizmin dhe bandat mercenare në Rusinë jugore. Çfarë sakrificash, çfarë humbjesh na kushtoi e gjitha kjo atëkohë, çfarë tundimesh u desh të kalonim përpara se të thyenim përfundimisht shtyllën e terrorizmit ndërkombëtar në Kaukaz. Ne e kujtojmë këtë dhe nuk do ta harrojmë kurrë”, thotë ai.

Ndër të tjera, Putin thekson se zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në territoret e Ukrainës është i papranueshëm për Rusinë.

Dhe tani, ndërsa NATO po zgjerohet në lindje, situata për vendin tonë për çdo vit po përkeqësohet dhe po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Përveç kësaj, ditëve të fundit, udhëheqësia e NATO-s po flet hapur për nevojën për përshpejtim, për përshpejtimin e avancimit të infrastrukturës së Aleancës deri në kufijtë e Rusisë. Me fjalë të tjera, ata po e përforcojnë pozicionin e tyre. Ne nuk mund të vazhdojmë vetëm të shikojmë atë që po ndodh. Kjo do të ishte absolutisht e papërgjegjshme nga ana jonë. Për ne është i papranueshëm zgjerimi i mëtejshëm i infrastrukturës së Aleancës Veriatlantike, zhvillimit ushtarak të nisur në territoret e Ukrainës. Kuptohet që problemi nuk është vetë organizata e NATO-s, – ajo është vetëm një instrument i politikës së jashtme të SHBA-së. Problemi është se në territoret pranë nesh, do theksoj, në territoret tona historike po krijohet një „anti-Rusi” armiqësore, e cila është vënë nën kontroll të plotë të jashtëm, po banohet intensivisht nga forcat e armatosura të vendeve të NATO-s dhe po mbushet me armët më moderne.

Për sa i përket situatës në Donbas, Putin thotë se Rusia që nga viti 2014 është përpjekur ta zgjidhë konfliktin në mënyrë paqësore, me mjete politike, por pa sukses.

Siç thashë në fjalimin tim të mëparshëm, ajo po ndodh atje nuk mund të shihet pa dhembshuri. Ishte e pamundur të durohet e gjithë kjo. Ishte e domosdoshme të ndalohej menjëherë ky makth – gjenocidi kundër miliona njerëzve që jetojnë atje, të cilët mbështeten vetëm te Rusia, mbështeten vetëm tek ne. Pikërisht këto aspirata, ndjenjat, dhimbja e njerëzve ishin motivi kryesor që ne të merrnim vendimin për t’i njohur republikat popullore të Donbasit”, thotë Putin.

 

Presidenti rus tha se Rusia do të vazhdojë t’i trajtojë me respekt të gjitha vendet e sapoformuara në hapësirën post-sovjetike, por vuri në dukje se nuk mund të ndihet e sigurt, të zhvillohet, të ekzistojë me kërcënimin e vazhdueshëm që buron nga territori i Ukrainës moderne“.

Më lejoni t’ju përkujtoj se në vitet 2000-2005 ne u bëmë rezistencë ushtarake terroristëve në Kaukaz, mbrojtëm integritetin e vendit tonë, shpëtuam Rusinë. Në vitin 2014, ata mbështetën banorët e Krimesë dhe Sevastopolit. Në vitin 2015, forcat e armatosura ngritën një barrierë të sigurt për depërtimin e terroristëve nga Siria në Rusi. Nuk kishim mënyrë tjetër për tu mbrojtur. E njëjta gjë po ndodh edhe tani. Ju dhe unë thjesht nuk kemi zgjidhje tjetër për ta mbrojtur Rusinë, popullin tonë, përveç asaj që do të detyrohemi të përdorim sot. Rrethanat kërkojnë që ne të ndërmarrim veprim vendimtar dhe urgjent. Republikat Popullore të Donbasit iu drejtuan Rusisë për ndihmë.

 

Ai theksoi se planet e Rusisë nuk përfshijnë pushtimin e territoreve të Ukrainës. Ne nuk do t’i imponojmë askujt asgjë me forcë,” tha Putin.

Duke iu drejtuar personelit ushtarak të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Putin u bëri thirrje që të dorëzojnë armët.

Të nderuar shokë! Etërit, gjyshërit, stërgjyshërit tuaj nuk i luftuan nazistët, nuk e mbrojtën atdheun tonë të përbashkët, që neonazistët e sotëm të marrin pushtetin në Ukrainë. Ju jeni betuar për besnikëri ndaj popullit ukrainas, jo ndaj juntës antikombëtare që po plaçkit Ukrainën dhe po keqtrajton popullin e saj. Mos ndiqni urdhrat e saj kriminale. Ju bëj thirrje që të lini menjëherë armët dhe të shkoni në shtëpi. Më lejoni të shpjegoj: të gjithë ushtarët e Ushtrisë ukrainase që e plotësojnë këtë kërkesë do të jenë të lirë të largohen nga zona e luftimit dhe të kthehen tek familjet e tyre. Edhe një herë, insistoj me këmbëngulje: e gjithë përgjegjësia për gjakderdhjen e mundshme do të bie tërësisht në ndërgjegjen e regjimit që sundon territorin e Ukrainës.

Para përfundimit të fjalimit të tij, presidenti i Rusisë, iu drejtua edhe „atyre që mund të tundohen për të ndërhyrë në ngjarjet aktuale“.

Kush do të përpiqet të na pengojë, e aq më shumë të krijojë kërcënime për vendin tonë, për popullin tonë, le ta dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e momentale dhe do ju shkaktojë pasoja të tilla që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj. Jemi të përgatitur për çdo zhvillim të ngjarjeve. Janë sjellë të gjitha vendimet e domosdoshme në lidhje me këtë. Shpresoj se do më dëgjojnë.

Me sa duket mesazhin e këtillë autori i shkrimit të cilin po e analizojmë e ka interpretuar si mesazh dërguar Pendarovskit dhe Vuçiqit. Është fakt se në fjalimin e tij Putini nuk e përmend presidentin e Maqedonisë dhe të Serbisë.

Në këtë mënyrë gazetari e ka shkelur Nenin 1 rë Коdit etik të gazetarëve i cili thotë:

Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.