Punimet në rrugën ‘Xhon Kenedi’ në Çair mbeten të papërfunduara pesë muaj pas afatit
Në fund të muajit qershor 2016, Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Komunën e Çairit filluan projektin për ndërtimin e kanalizimit atmosferik në rrugët “Xhon Kenedi” dhe “Kemal Ataturk”. Në fillimin e punimeve ndërtimore mori pjesë edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, si dhe përfaqësues të komunës së Çairit. Sipas tyre, kjo rrugë duhej të ishte gati pas tre muajsh, gjegjësisht në muajin shtator 2016.
“Me këtë projekt ndërtimor, përgjatë rrugës “Xhon Kenedi” dhe “Kemal Ataturk” do të ndërtohet kanalizim i ri atmosferik me gjatësi të përgjithshme prej 800 metra, ku do të vendosen gypa me profil prej 1.200 milimetër. Kanalizimi i ri atmosferik do të përfundojë në pusetën kyçëse në rrugën “Cvetan Dimov”. Afati për realizimin e këtij projekti është tre muaj, por realizuesit e projektit na kanë premtuar se punimet ndërtimore do të jenë më intensive dhe se të njëjtat do të përfundojnë deri në fillim të vitit shkollor”. (burimi: Portalb, 29.06.2016)
Premtimi që rruga do të jetë e përfunduar pas tre muajve, nuk u përmbush. Në shtator kur rruga duhej të ishte gati, punimet ishin ndërprerë. Për këtë, nga Qyteti i Shkupit ishin arsyetuar me kushtet e këqija klimatike.
“Kompania që po merret me punimet premtoi që nëse kushtet atmosferike janë të mira, ky projekt do të ndërtohet në afatin e paraparë, mirëpo kjo gjë u prolongua shkaku i kohës me shi”. (burimi: Portalb, 21.09.2016)
Ashtu siç njoftojnë nga Portalb, projekti për ndërtimin e kanalizimit atmosferik nuk është përfunduar as edhe në fillim të këtij viti, 2017. (Portalb, 01.02.2017)
Vërtetmatësi ishte në terren për ta parë nga afër gjendjen e kësaj rruge. Aty ku ishte caktuar të përfundojë kanalizimi atmosferik, pra në pusetën kyçëse në rrugën “Cvetan Dimov”, sipas asaj që kemi arritur të sigurojmë nëpërmes fotografive, mund të vlerësojmë që punimet në këtë rrugë ende nuk kanë përfunduar. Sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, nga e gjithë kjo mundë të përfundojmë që afati për ndërtimin e kanalizimit ka skaduar dhe këtë premtim e vlerësojmë si i parealizuar.
BURIME:
- |29.06.2016| Shkup, filloi ndërtimi i kanalizimit atmosferik në rrugët Xhon Kenedi dhe Kemal Ataturk premtojnë 3 muaj për realizim (Portalb, shikuar më 09.02.2017)
- |21.09.2016|Shtyhet afati për përfundimin e kanalizimit atmosferik në Çair (Portalb, shikuar më 09.02.2017)
- |01.02.2017| Qytetarët ankohen, punimet zvarriten në Çair (Portalb, shikuar më 09.02.2017)
Vlerësoi: Rabie Abazi
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari