Publiku beson në teoritë konspirative sepse nuk ka besim tek institucionet

Фото: pixabay.com

Rrjetet sociale “vlojnë” nga dezinformata dhe teori konspirative të cilat bëhen virale. Chemtrails, çipa në vaksina dhe testet PCR, “demoni” Bill Gates, 5G, janë vetëm pjesë e narrativit të fushatës së fuqishme kundër vaksinave që po ngjall gjithnjë e më shumë vëmendje dhe interes në rrjetet sociale. Sipas analizës së Institutit për Demokraci  “Societas Civilis” dhe Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, shfaqja, aktualiteti dhe besimi në teoritë e konspiracionit janë rezultat i nivelit të lartë të mosbesimit të qytetarëve në institucionet demokratike, shkruan Vërtetëmatësi

Jo, avionët nuk na spërkasin me koronavirus

Edhe pse teoria konspirative sipas të cilës “nga qielli po na spërkasin me virusin” bazohet në dezinformata dhe ka prova që e hedhin poshtë këtë pretendim, sërish atë e besojnë pothuajse gjysma e qytetarëve, pra 46 përqind. Këtë e dëshmon hulumtimi i fundit i mendimit publik (faq.21)  i realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Qendrën Presidenciale për Edukimin Politik (QPEP), e ku duket qartë se publiku është i prirur të besojë në teoritë konspirative, sidomos në ato që kanë të bëjnë me koronavirusin.

Anketa gjithashtu nxorri në pah se qytetarët besojnë në shumë teori të tjera konspirative. Pra, 72 përqind e të anketuarve besojnë se bota drejtohet nga disa familje të fuqishme, 65 përqind mendojnë se Kovid-19 është krijuar në një laborator për të arritur një kontroll mbi njerëzimin, 46 përqind besojnë se klima kontrollohet nga satelitët dhe radarët, 44 përqind janë të bindur se raportohet një numër më i madh i të vdekurve nga Kovid-19 sepse Ministria e shëndetësisë jep para, 29 përqind mendojnë se ndryshimet klimatike janë një trillim dhe 57 përqind e qytetarëve mendojnë se mediat e mëdha përhapin gënjeshtra.

Gazetarët e „Vërtetmatësit“ për çdo ditë hasin dhe zbardhin teoritë e këtilla konspirative dhe dezinformatat që publikohen në rrjetet sociale e që pastaj bëhen virale. Chemtrailsçipat në vaksina dhe testet PCR, „demoni“ Bill Gates5G, janë vetëm pjesë e narrativit të fushatës së fuqishme kundër vaksinave që po ngjall gjithnjë e më shumë vëmendje dhe interes në rrjetet sociale.

Sipas analizës së Institutit për Demokraci  “Societas Civilis” dhe Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, shfaqja, aktualiteti dhe besimi në teoritë e konspiracionit janë rezultat i nivelit të lartë të mosbesimit të qytetarëve në institucionet demokratike.

Niveli i lartë i mosbesimit në institucionet demokratike dhe rregullat e lojës ndikon gjithashtu edhe në rritjen e vullnerabilitetit ndaj teorive konspirative, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në mbarë botën. Tendenca gjithnjë e në rritje për të besuar në teoritë e konspiracionit flet për një abuzim të mundshëm të vullnerabilitetit të qytetarëve për përfitime politike nga politikanët populistë, të cilët shpesh përdorin retorikë nxitëse për të fituar pikë politike, thuhet në analizë.

 Ballkani tokë pjellore për teori konspirative

Personat që kanë një besim të luhatur tek institucionet janë më të prekurit nga teoritë konspirative, thuhet në hulumtimin „Virusi i dyshimtë: teoritë konspirative dhe Kovid-19 në Ballkan“, i cili u realizua nga Grupi Këshillues i Politikave Publike për Ballkanin dhe Evropën (BiEPAG) tetorin e kaluar.

Analiza vuri në dukje se Ballkani është tokë pjellore për teoritë konspirative që bëjnë që individët të refuzojnë shkencën, vaksinat, ta dëmtojnë shëndetin publik, zvogëlojnë besimin tek institucionet dhe përbëjnë një kërcënim për demokracinë në rajon.

Si krahasim, në Evropë në teoritë konspirative për koronavirusin beson një e katërta deri në një e treta e popullsisë, ndërsa në Ballkanin Perëndimor më shumë se 75% e të anketuarve besojnë në një ose më shumë nga gjashtë teoritë konspirative për koronavirusin – që virusin e ka krijuar qeveria kineze, se përgjegjëse është industria farmaceutike, se ekziston një lidhje midis teknologjisë 5G dhe Kovid-19, që virusin e ka krijuar ushtria amerikane, se Bill Gates donte që të “fuste” çipa tek njerëzit përmes vaksinimit kundër virusit, që Kovid-19 “ka dalë”  nga një laborator në Kinë”, thuhet në analizë.

Mbështetja për teoritë konspirative është dukshëm më e përhapur midis euroskeptikëve, sesa midis përkrahësve të integrimit në BE. 60.6 përqind e atyre që kundërshtojnë anëtarësimin në BE kanë qëndrime të forta në favor të njërës prej teorive konspirative, krahasuar me 48.9 përqind të atyre që janë “pro” anëtarësimit në BE.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian mbi përparimin e vendit në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE thekson se “ekziston një problem në rritje me dezinformatat”.

Duhen bërë përpjekje shtesë për trajtimin e çështjes së dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes, duke përfshirë këtu edhe mediat elektronike. Lufta kundër dezinformatave dhe aktiviteteve në lidhje me edukimin mediatik kryhet kryesisht nga shoqëria civile. Nevojiten përpjekje intensive dhe bashkëpunim ndërinstitucional nga ana e organeve përkatëse, thuhet në Raport.

Në Udhëzuesin e shkurtër për teoritë konspirative të cilin e publikoi Fondacioni „Меtamorfozis“, thuhet se teoritë konspirative janë një largim i organizuar dhe i strukturuar nga e vërteta, një iluzion i përhapur, dhe disa madje krijojnë narrativa krejtësisht të reja të rreme dhe shërbejnë si bazë për cikle të reja dezinformimi për vite, dekada dhe madje edhe shekuj të ardhshëm.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet atyre teorive konspirative që mohojnë faktet e pamohueshme shkencore që kanë të bëjnë me shëndetin e njeriut. Rreziku nga ndryshimet klimatike dhe sëmundja infektive si pasojë e koronavirusit të ri janë problemet më të rëndësishme dhe teoritë konspirative që i mohojnë ato ndikojnë tek rritja e dyshimit, pasigurisë, hezitimit, mohimit, rezistencës, madje edhe kundërshtimit të drejtpërdrejtë ndaj masave për zbutjen ose zgjidhjen e tyre, thuhet në Udhëzuesin.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.