Premtime vetëm në letër për pikë të përbashkët doganore Maqedoni e Veriut – Shqipëri

Pika e përbashkët doganore Maqedoni – Shqipëri, e tipit “One Stop Shop”, është një nga premtimet që diskutohet vetëm në tryezat e zyrtarëve të të dyja vendeve, por, ndër vite nuk ka asnjë aksion konkret në terren. Pika e përbashkët doganore përveç se do i përforcojë marrëdhëniet bilaterale mes shteteve fqinje, do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë, lehtësimin e procedurave doganore, lehtësimin e lëvizshmërisë së qytetarëve të të dyja vendeve, dhe shumë të tjera, shkruan Portalb.mk.

Me qëllim që të përforcohet bashkëpunimi mes dy shteteve fqinje, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në vitin 2017 në Samitin e Triestes u miratua një plan veprimi për krijimin e një zone ekonomike rajonale. Plani parashikonte fillimin e zbatimit të projektit për kontroll të përbashkët të kufijve, sipas sistemit “One Stop Shop” ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si shtete nënshkruese të Konventës Ndërkombëtare për Thjeshtësimin dhe Harmonizimin e Procedurave Doganore.

Foto nga Samiti i Ballkanit Perëndimor në Trieste, Itali – korrik 2017 (Burimi: European Western Balkans)

Saga e premtimeve

Në takimin e parë në nivel qeveritar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, më 15 dhjetor 2017 në Pogradec, ndër tjerash u theksua rëndësia e vendosjes së një pike të përbashkët doganore mes dy vendeve.

“Në të u përfshinë intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes shtimit të dialogut dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat e bashkëpunimit, mobilizimi i përpjekjeve për të çuar deri në fund angazhimet në kuadër të integrimit në strukturat Euro-Atlantike, puna për të lidhur akoma më shumë Shqipërinë dhe Maqedoninë përmes zhvillimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike, përmirësimi i standardeve të qarkullimit të lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit duke ndjekur modelin e doganave kufitare sipas One-Stop-Shop”, theksohet në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Foto nga mbledhja e dy Qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Pogradec – Dhjetor 2017 (Burimi: punetejashtme.gov.al)

 5 shtator 2018, ministri i Ekonomisë së RMV, Kreshnik Bekteshi, ri-premtoi se Maqedonia e Veriut do të krijojë “One Stop Shop” sistemin për kontrollim të përbashkët doganor me Shqipërinë. Kjo deklaratë bëri mjaftë bujë në mediat shqipfolëse të të dyja vendeve.

“Maqedonia është plotësisht e angazhuar që të rrisë bashkëpunimin me vendet e rajonit, duke krijuar një zonë të përbashkët ekonomike, e cila do të rrisë konkurrencën e kompanive tona”, tha mes tjerash ministri Bekteshi. 

Përderisa kokretisht për realizimin e këtij projekti në terren nuk ka kurrfarë lëvizje, vazhdonin takimet e zyrtareve të cilat gjithmonë përfundonin me premtimin e njëjtë, pikë e përbashkët doganore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë!

Në fillim të janarit të vitit 2019 u realizua një takim mes ish ministrit të Brendshëm të RMV-së, Oliver Spasovski, dhe homologut të tij shqiptar, Sandër Lleshaj. Në fokus të këtij takimi ishin diskutimet për bashkëpunimin ndërkufitar dhe policor.

“Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në qëllimin e përbashkët për ngritjen e modelit ‘One Stop-Shop’ në kufirin e përbashkët, një model të cilin Shqipëria e ka aplikuar tashmë me Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa Maqedonia e ka në fuqi me Serbinë”, theksohet në njoftimin e MPB-së. Më tej, në të theksohet se palët u zotuan të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të vendosur këto pika të përbashkëta kufitare më datë 1 prill 2019.  

Foto nga takimi i ish ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski dhe homologut të tij shqiptar Sandër Leshaj, Pogradec -15 janar 2019

I njejti premtim nga dy ministrat u përsërit edhe gjatë takimit të tyre në Pustec më 30 gusht 2019. Gjatë këtij takimi, ish ministri i Brendshëm i RMV-së, Oliver Spasovski u shpreh:

“Kishim mundësi që të bisedojmë edhe një herë për bashkëpunimin tonë të përbashkët në të ardhmen. Është e nevojshme që të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë qarkullimin e lirë të njerëzve në mes dy shteteve. Kjo ishte tema e bisedimeve. Të fillojmë të nënshkruajmë marrëveshje për menaxhim të përbashkët të kufirit në Qafë Thanë.” tha Spasovski.

Më 18 shtator 2019 në Tiranë u zhvillua takim një takim mes ministrit të Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj. Në këtë takim ku u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve fqinje theksi përsëri u vendos në krijimin e një pike të përbashkët kufitare.

Foto nga takimi i ministrit Kreshnik Bekteshi dhe ministres Anila Denaj, Tiranë – 18 shtator 2019 (Burimi: ata.gov.al)

Në fund të dhjetorit të 2019, në takimin e tretë për avancimin e bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor, gjatë diskutimit për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale Maqedoni e Veriut-Shqipëri u bë e ditur se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje për pikë të përbashkët doganore në Qafë Thanë.

“Me nxitje të nismës së bashkëpunimit në rajon, negociatat midis Republikës së Serbisë dhe Maqedonisë Veriore kanë përfunduar dhe së shpejti do të fillojë ndërtimi i vendkalimit të ri kufitar Llojan-Miratovc, deri në mbledhjen tjetër të kësaj nisme në Beograd, drejtorit Doganore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të nënshkruajnë marrëveshjen “One Stop Shop” për vendkalimin kufitar Qafë Thanë, siç kemi me Serbinë në vendkalimin kufitar Tabanovc.
Qëllimi kryesor i këtyre “One Stop Shop”, gjegjësisht kontrollet kufitare me një ndalesë të bëhen së shpejti – Non Stop Shop, d.m.th. kalime pa ndalesë, dhe si kontribut për realizimin e realizimit të kësaj procedure do të jetë edhe vendosja e sistemit pa letra që do të thjeshtojë procedurat doganore”thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.

Foto nga takimi i tretë për avancimin e bashkëpunimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor në Tiranë – Dhjetor 2019.

Edhe përkundër gjithë këtyre premtimeve se dy shtetet fqinje do të zbatojnë sistemin në fjalë në pikën kufitare Qafë Thanë, me qëllim lehtësimin e qarkullimit e të gjithë qytetarëve por edhe zhvillimin e ekonomisë në dy vendet, funksionimi në kët venkalim kufitar vazhdon pa asnjë ndryshim.

Për të mësuar se cilat janë pengesat që kanë bllokuar realizimin e këtij premtimi dhe deri ku është puna për realizimin e planit “One Stop Shop” në Qafë Thanë, redaksia jonë u drejtua te Drejtoria e Doganave.

“Është në progres e sipër harmonizimi përfundimtar i tekstit të Marrëveshjes midis dy qeverive për “Vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare midis Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Shqipërisë dhe zbatimi i aktiviteteve të përbashkëta të kontrollit të kufirit”, i cili parashikon zbatimin e konceptit One-Stop-Shop të vendkalimet kufitare  Kafasan – Qafë Thanë.”, thanë për Portalb.mk nga Drejtoria e Doganave të RMV-së.

Çfarë rëndësie ekonomike ka pika e përbashkët doganore RMV- Shqipëri?

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) vlerësojnë se me vendosjen e sistemit “One Stop Shop” do të hapërohet drejt shpalimit të potencialit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, potencijal i cili deri tani është thuajse i pashfrytëzuar tërësisht. Sipas OEMVP, edhe më i rëndësishëm është fakti se në këtë mënyrë bizneset e RMV-së mund të përfitojnë nga përmirësimi i qasjes deri te porti i Durrësit, ku si alternativë është më e volitshme në aspekt financiar por edhe kohor.

Është i pakontestueshëm fakti se shkëmbimi tregtar me Republikën e Shqipërisë është në nivel shumë të ulët duke konsideruar faktin që jemi shtete fqinje. Çdo iniciativë e cila përmirëson aspektin e shkëmbimit tregtar dhe të përmirësimit të qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, vlerësojmë se duhet mbështetur dhe përshpejtuar. Sipas Bankës Botërore, me funksionimin e sistemit One Stop Shop në Qafë Thanë kostot për import-eksport do të ulen  për 10%, mirëpo OEMVP vlerëson se aplikimit të këtij sistemi duhet t’i bashkangjitet edhe infrastrukturë adekuate rrugore. Përskaj faktit se R. e Shqipërisë është alternativë më e volitshme e daljes në port detar, ndërlidhja infrastrukturore me atë shtet është në nivel shumë të ulët dhe jo e modernizuar. Që e gjithë kjo të merr kuptim të plotë, duhet krijuar edhe këto parakushte infrastrukturore, kështu edhe përshpejtojmë procesin e realizimit të korridorit të VIII Pan Europian” – theksojnë mes tjerash nga OEMVP për Portalb.mk.

Nga aspekti ekonomik OEMVP, vlerëson se realizimi i pikës së përbashkët doganore me shtetin fqinj, Shqipërinë, duhet të bëhet sa më shpejtë, gjë e cila do të ndikonte edhe në ballafaqimin me pasojat e krizës globale me pandeminë COVID-19.

“Duhet pasur parasysh se projektet nuk janë të dobishme nëse të njejtat nuk zbatohen. Qeveria në periudhën e ardhshme duhet të përballet me zbutjen e dëmeve të pësuara nga pandemia, dhe mënyra më e mirë është nëpërmjet realizimit të projekteve kapitale të cilat do nxisin zhvillim dhe përfitime edhe në plane afatmesme dhe afatshkurte. Shkëmbimi tregtar me Republikën e Shqipërisë, është skajshmërisht i ulët nëse krahasohet me vendet tjera fqinje, ku pjesërisht si problematikë paraqitet infrstruktura, në këtë pjesë i një rëndësie mjaft të madhe është Korridori VIII Pan-Europian, barrierat tarifore dhe jo tarifore. Republika e Shqipërisë nuk paraqet një partner të rëndësishëm, duke zënë vendin e 18-të në eksporte dhe vendin e 26-të në importe, pra shkëmbimi tregtar në çdo parametër ngel i ulët. Mirëpo, ka hapësirë të konsiderueshme që ky bashkëpunim të përmirësohet dhe fqinjësia të përdoret si një anë e fortë për bashkëpunime të frytshme.”- shtojnë nga OEMVP. 

Pse sistemi “One Stop Shop” është i rëndësishëm për lëvizshmërinë e qytetarëve? 

Pika kufitare në Qafë Thanë frekuentohet nga mijëra qytetarë. Pritjet e gjata në kufi shpesh janë të lodhshme dhe irrituese për qytetarët. 

“Në ditët e sotme kur lëvizja përtej kufijve është diçka tepër e domosdoshme, krijimi i pikës së përbashkët kufitare Shqipëri-RMV vjen si detyrim për të dyja palët. Si studente dhe si qytetare e Republikës së Shqipërisë unë pohoj nga eksperienca, se ekzistenca e dy pikave kufitare është goxha e lodhshme, pasi shkakton pritje të gjata dhe trafik. Dokumentat duhet të kalohen në të dyja doganat (dalëse-hyrëse) dhe si pasojë kjo sjellë vonesa të cilat herë pas here kanë ardhur edhe si pasoje e problemeve teknike të skanimit. Shpesh herë kemi hasur edhe bllokimin për disa orë, si shkak i detyrimeve të ndryshme ekonomike – ligjore që kanë personat të cilët bëjnë kalimin e mallrave me mjete të rënda transporti. Në rast se do krijohej vetëm një pikë e përbashkët doganore kjo do shmangte radhët e gjata, trafikun, formalitetet në dokumenta, kostot ekonomike dhe rrugën që sot përshkrohet nga njëra doganë te tjetra.”- u shpreh Suela Kapo, studente nga Shqipëria në Strugë.

E megjithatë, deri sa të ketë hapa konkret në realizimin e premtimit për të pasur një pikë të përbashkët kufitare me Shqipërinë qytetarët do vazhdojnë të jenë peng i pritjeve të gjata dhe problemeve tjera administrative. Në të njëjtën kohë peng do të vazhdojë të mbetet edhe zhvillimi i ekonomisë si dhe përforcimi i marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari