Postimi po përhap teori konspirative për zvoglimin e qëllimshëm të popullsisë
Përveç teorive të konspiracionit, ky postim nuk ofron asgjë tjetër. Në të nuk ka asnjë provë mjekësore apo shkencore që i mbështet pretendimet që përmban. Shpërndarja e këtyre dezinformatave zakonisht vjen nga video të paverifikuara në internet, nga persona që nuk dinë të lexojnë analiza shkencore, nga ‘xhirime laboratorike’ të rreme ose nga propaganda të qëllimshme.
Po analizojmë një postim në rrjetin social Facebook, i cili ndër të tjera thotë:
“…karboni nuk është armiku ynë. Klima gjithmonë ka ndryshuar. Por geo-inxhinieria e krijuar nga njeriu është kërcënimi i vërtetë për mjedisin dhe njerëzimin. Geo-inxhinieria, duke përfshirë edhe spërkatjet Chemtrail në qiell, përdoret për të modifikuar motin dhe mjedisin. Operacionet janë sekrete dhe synojnë depopullimin. Dhe këto operacione të liga me të vërtetë shkaktojnë vdekje dhe sëmundje te bimët, kafshët dhe njerëzit.
Ja ku e keni dëshminë, një video (linku është në koment) në të cilën tregohet se me anë të një mikroskopi elektronik që mundëson skanimin dhe identifikimin e përbërjes së materialit që shihet (gjakut njerëzor), janë gjetur përbërës tronditës si: nano-teknologji, si dhe stroncium, barium, cezium radioaktiv 137, etj. Të gjithë këta përbërës përdoren për prodhimin e bio-armëve dhe sigurisht – shkaktojnë sëmundjet më të rrezikshme në trupin e njeriut. Nga kanë hyrë këto në gjakun e njeriut? Sigurisht që nuk kanë ardhur me lejen e njerëzve, por pa vetëdije, përmes thithjes ose injektimit…”
Postimi promovon teorinë për ekzistimin e “chemtrails” dhe “spërkatjes së qëllimshme” me metale të rënda dhe substanca helmuese – një teori konspirative që përsëritet vazhdimisht, edhe pse është hedhur poshtë shumë herë nga shkenca. Pretendimi se ekziston një program i fshehtë në shkallë të gjerë për spërkatje nga avionët nuk bazohet në asnjë fakt real. Ajo që dikujt i duket se “gjurmët e avionëve janë të ndryshme” nuk mbështetet me asnjë provë. Gjurmët që shihen pas avionëve janë contrails, dhe për to ekziston shpjegim shkencor se si formohen.
Vijat e bardha që avionët lënë pas tyre krijohen atëherë kur avulli i ujit dhe grimcat e imëta nga djegia e karburantit reaktiv të avionit ngrihen dhe shndërrohen në kristale akulli. Kur lagështia e ajrit është e ulët, kristalet shpërbëhen. Kur lagështia është më e lartë, ato qëndrojnë më gjatë dhe përfundimisht krijojnë një gjurmë të dukshme në sipërfaqe të mëdha të qiellit.
Për formimin e contrails duhen tre elemente: avull uji, ajër i ftohtë dhe grimca mbi të cilat avulli i ujit mund të kondensohet. Avulli i ujit prodhohet nga vetë avioni, pasi hidrogjeni në karburantin e tij reagon me oksigjenin në ajër. Jo të gjithë avionët lënë gjurmë të bardha – vlerësohet se kjo ndodh vetëm në rreth 18 për qind të fluturimeve. Ajri duhet të jetë mjaft i ftohtë që uji të ngrijë, prandaj këto gjurmë zakonisht shfaqen vetëm mbi një lartësi të caktuar – zakonisht mbi 6 kilometra mbi nivelin e detit.
Sipas këtij hulumtimi, arsyeja pse gjurmët e avionëve mbeten të dukshme është sepse ato fluturojnë në lartësi më të mëdha se më parë, gjë që rezulton me gjurmë kondensimi që zgjasin më gjatë.
Postimi përhap edhe teorinë e njohur të konspiracionit për depopullimin e njerëzve, pra zvogëlimin e numrit të popullsisë. Teoria e konspiracionit për disa “satanistë”, për një “shtet të thellë” dhe për ndonjë plan për depopullim është një teori shumë e njohur, për të cilën Vërtetmatësi ka shkruar disa herë, dhe është produkt i lëvizjes QAnon. Sipas kësaj teorie, një grup i vogël dhe i papërcaktuar politikanësh drejton botën, i dëshiron të keqen shumicës së popullsisë, përkrah depopullimin dhe merret me pedofili.
Sa i përket pjesës së dytë të postimit, që pretendon se me ndihmën e një mikroskopi elektronik që mundëson skanimin dhe identifikimin e përbërjes së materialit që shihet (gjak njeriu) janë gjetur përbërës “tronditës” si nano-teknologji, stroncium, barium, cezium radioaktiv 137, etj., edhe kjo nuk është e vërtetë.
Asnjë studim shkencor i rishikuar nga ekspertë, asnjë institucion shëndetësor (OBSH, CDC, EMA, NIH etj.) nuk ka gjetur ndonjëherë materiale të tilla në gjakun e popullatës së përgjithshme — as pas vaksinimit, as pas thithjes së ajrit.
Mikroskopët elektronikë shfaqin struktura, por nuk mund të identifikojnë vetë “nanoteknologji”. Kërkohet analizë e veçantë (EDS) për përbërjen kimike – dhe nuk ekzistojnë analiza të tilla që kanë treguar barium, stroncium apo cezium në gjakun e njeriut.
Në trup natyrshëm ekzistojnë grimca në shkallë nano: proteina, eksozome, produkte të mbetjeve, kripëra dhe minerale. Disa njerëz i interpretojnë gabimisht këto struktura natyrale si “nanorobotë”.
Nuk ka prova se dikush po injekton diçka në mënyrë të paautorizuar në gjakun e njeriut, siç pretendon postimi. Të gjitha vaksinat kanë përbërje të publikuara publikisht, kontrolle rregullatore dhe analiza laboratorike të pavarura. Asgjë që i ngjan “nanoteknologjisë së fshehtë” nuk është gjetur askund.
Nuk është e vërtetë se përmes “agjentëve biologjikë dhe vaksinave” dikush po përpiqet të shkaktojë depopullimin. Armë biologjike ekzistojnë – shumë shtete i kanë studiuar gjatë shekullit XX (p.sh. në Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e Ftohtë). Por marrëveshje ndërkombëtare, si Konventa për Armët Biologjike (1972), e ndaluan zhvillimin dhe përdorimin e tyre. Nuk ka prova të konfirmuara që ndonjë qeveri apo organizatë kohët e fundit ka përdorur agjentë të tillë kundër civilëve.
Nga të gjitha sa u përmend më sipër, mund të konkludojmë se postimi, përveç teorive të konspiracionit, nuk ofron asgjë tjetër. Në të nuk ka asnjë provë mjekësore apo shkencore për pretendimet që përmban. Përhapja e këtyre dezinformatave zakonisht buron nga video të paverifikuara në internet, nga persona që nuk dinë të lexojnë analiza shkencore, nga “xhirime laboratorike” të rreme ose nga propagandë e qëllimshme.
Për këtë arsye, postimin që po analizojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari