Postimi dezinformon se vaksinat kundër Covid do të çojnë në variant të ri që do të vrasë 35 përqind të njerëzve

Dokumenti i lidhur në postim, përshkruan katër skenarë hipotetikë për të ardhmen e pandemisë me koronavirusin, që lidhen me vetë virusin. Skenari i parë përmend numrin e treguar në postim, por shkruan se ky skenar hipotetik do të ndodhte si rezultat i mutacionit të ri të koronavirusit, dhe jo të vaksinës, siç pretendohet në mënyrë të rreme në këtë postim në Facebook.

 

Recensojmë postimFacebook, në të cilin pretendohet se Komisioni i Mbretërisë së Bashkuar për Sëmundjet Infektive i ka dërguar një dokument qeverisë së këtij vendi, në të cilin thuhet se “pranohet” se kovid-vaksinat do të çonin në një variant të ri të koronavirusit që do të vriste deri në 35 përqind të njerëzve, sepse vaksinat nuk parandalojnë infeksionin me virusin dhe transmetimin e tij.

Në mbështetje të këtij pretendimi, është vendosur një lidhje që çon në një artikull i cili, nga ana tjetër, i referohet këtij dokumenti.

Pikërisht ky dokument, sipas asaj që u shkrua në postim, tregon se vaksinat kundër koronavirusit do të çonin në një variant të ri të koronavirusit që do të vriste deri në 35 përqind të njerëzve, sepse ato nuk parandalojnë infeksionin dhe transmetimin e tyre tek palët e treta nga të vaksinuarit.

Vërtetmatësi” rishikoi këtë dokument në detaje dhe arriti në përfundimin se ajo që thuhet në postim është dezinformatë.

Në dokument përshkruhen katër skenarë hipotetikë për të ardhmen e pandemisë që lidhen me vetë virusin. Në skenarin e parë që shpjegohet, përmendet numri i theksuar në postim, prandaj konkludojmë se postimi i referohet këtij skenari. Por dokumenti thotë se ky skenar (hipotetik dhe i parealizuar) do të ndodhte si rezultat i një mutacioni të ri të koronavirusit, jo vaksinës, siç është paraqitur në mënyrë të rreme në postim.

Në këtë dokument thuhet:

Skenari i parë do të ishte një variant që shkakton sëmundje më serioze në popullatën e përgjithshme sesa më parë, për shembull me shkallë të ngjashme vdekshmërie për koronaviruset e tjerë si Sars Cov (afërsisht 10 përqind e vdekshmërisë) ose Mers Cov (afërsisht 35 përqind vdekshmëri). Kjo mund të shkaktohet nga mutacionet ose rekombinimet me gjenet e tjera virale. Kjo mund të ndodhë duke ndryshuar gjenet e brendshme të Sars Cov 2 si proteina polimerazë. Këto gjene përcaktojnë rezultatin e infeksionit duke ndikuar në mënyrën e përpunimit të virusit në qelizë, shkallën në të cilën virusi përsëritet dhe përgjigjen antivirale të qelizës ndaj infeksionit. Është precedent për koronaviruset që të sigurojnë gjene ose sekuenca shtesë nga nikoqiri, ose vetë ose nga viruse të tjerë. Arsyeja e dytë që mund të ndodhë ky skenar është rikombinim midis varianteve beta dhe alfa ose delta.

Për të shmangur këtë skenar, ekziston një pjesë e dokumentit që i referohet zgjidhjeve, gjegjësisht si t’i përgjigjeni këtij skenari.

Në këtë pjesë (faqja 2 e dokumentit), thuhet se ajo që mund të bëhet për të shmangur këtë skenar është dhënia e një doze përforcuese të vaksinës për të siguruar mbrojtje kundër një sëmundjeje të rëndë, për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të Sars Kov 2 në Mbretërinë e Bashkuar, për të minimizuar rrezikun e prezantimit të varianteve të reja nga territoret e tjera, për të vazhduar zhvillimin e barnave terapeutike kundër Sars Cov 2.

Vihet re se nuk përmendet fare se vaksina do të shkaktonte këtë variant të ri, siç pretendohet në mënyrë të rreme në postim.

Sipas skenarit të dytë, në të ardhmen mund të shfaqet variant i koronavirusit që mund të jetë rezistent ndaj vaksinës aktualisht në përdorim. Kjo mund të shkaktohet nga ndryshime antigjene, gjegjësisht, të krijohet virus që do të jetë i aftë për nivele të larta të replikimit në qelizat njerëzore. Pasoja do të ishte virus që shkakton sëmundje të ngjashme me Sars Cov 2 kur u shfaq për herë të parë, por kundër të cilit vaksinat aktuale nuk do të funksiononin. Në pjesën për zgjidhjet, pra rekomandimet që mund të bëhen në një rast të tillë, shkruhet se duhet të krijohet vaksinë e ngjashme.

Për shkak të këtij argumentimi të ekspozuar, domethënë pas leximit të dokumentit të plotë që është i lidhur në postimin që po recensojmë, i vlerësojmë si pretendime të pavërteta se “kovid-vaksinat do të çonin në variant të ri që do të vriste deri në 35 përqind të njerëzve sepse vaksina nuk shërben për të parandaluar virusin“.

Ajo pjesë është keqinterpretuar, megjithëse vetë dokumenti është shumë i qartë dhe është e vështirë të bësh gabime në interpretimin e tij, veçanërisht përsa i përket faktit se këto janë skenarë hipotetikë që nuk realizohen në realitet dhe kjo është theksuar në mënyrë eksplicite dhe vendimtare.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.