Postim i pavërtetë abuzon me brendin “Dove” në Facebook
“Dove” nuk shpërndan paketa dhuratë dhe kjo faqe në Facebook nuk ka lidhje me kompaninë. Bëhet fjalë për një mashtrim marketingu. Mos i lini të dhënat tuaja në këtë faqe.
Po bëjmë recensim të një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin shpërndahet një fotografi e një seti produktesh nga brendi i kujdesit “Dove” dhe shkruan:
Përgjigju disa pyetjeve dhe fito një kuti dhuratë falas nga Dove!
Kjo ofertë ekskluzive vlen në të gjithë MAQEDONINË!
Plotësojeni anketën sot dhe merrni setin tuaj të kujdesit vetëm për 3 ditë.
Bëhet fjalë për një postim të pavërtetë, i cili në asnjë mënyrë nuk është i lidhur me brendin kozmetik “Dove”. Para së gjithash, ai është shpërndarë nga një faqe në Facebook e krijuar vetëm me qëllim të përhapjes së këtij lajmi të rremë. Në faqe nuk ka përmbajtje të tjera, përveç postimit konkret me fotografitë e produkteve të “Dove”. Faqja nuk është e shënuar me shenjën zyrtare të verifikimit (shenja blu pranë emrit të brendit), pasi nuk bëhet fjalë për një faqe zyrtare, por për një faqe që imiton brendin dhe paraqitet rrejshëm në emrin e tij. Ajo ka vetëm 21 ndjekës, gjë që është tregues i qartë se bëhet fjalë për një faqe të pabesueshme, duke pasur parasysh se një kompani që ekziston që nga viti 1957 në Facebook ka shumë më tepër ndjekës nga e gjithë bota. Konkretisht, faqja e vërtetë dhe zyrtare, e verifikuar e brendit ka mbi 27 milionë ndjekës në Facebook.
Për më tepër, me shpërndarjen e premtimeve të rreme për sete dhuratash, në këtë mënyrë mund të dëmtohet imazhi i brendit, pasi dhuratat nuk do të arrijnë tek ata që mendojnë se do t’i marrin.
Në praktikën e mashtrimeve në internet, shpesh vërehet krijimi i faqeve të rreme “proxy” në Facebook të kompanive të mëdha, të njohura dhe prestigjioze nga fusha të ndryshme (në këtë rast kozmetikë dhe kujdes personal). Në emrin e tyre, rrejshëm premtohen shpërblime ose sete të ndryshme, por në këmbim u kërkohet qytetarëve të japin të dhënat e tyre personale dhe bankare, të lënë komente, të shpërndajnë postimin që ai të bëhet viral etj. Qëllimet janë mashtrime financiare, ridrejtim drejt faqeve të jashtme që duhet të marrin më shumë qarkullim, si dhe vjedhje e të dhënave personale përmes internetit.
Në rastin konkret, postimi që po recensojmë është nga ato që në seksionin e komenteve ka të publikuara dëshmi të rreme ose të ashtuquajtura “përvoja” nga qytetarë që kinse e kanë marrë tashmë setin e produkteve “Dove”. Profilët nga të cilët shpërndahen këto “përvoja pozitive” nuk u përkasin fituesve të vërtetë të paketave, por janë krijuar qëllimisht për të shërbyer si mbulesë e komenteve të pavërteta për kinse përvoja pozitive dhe produkte të marra.

Kjo është edhe një praktikë manipuluese, e cila synon të krijojë besim te përdoruesit naivë të rrjeteve sociale që të vazhdojnë të lënë të dhëna, të klikojnë mbi linkun e përfshirë në vetë postimin etj. Ky link çon drejt një faqeje të jashtme ku reklamohet një produkt dhe, në rastin konkret, postimi i pavërtetë ka për qëllim të tërheqë sa më shumë përdorues në atë faqe, me supozimin se sa më shumë njerëz të hyjnë, aq më të mëdha janë gjasat që disa prej tyre të lënë të dhënat e tyre personale dhe ato bankare. Kjo nuk rekomandohet, pasi bëhet fjalë për marketing të pavërtetë, për keqpërdorim të fotografive zyrtare, të brendit, logos, emrit dhe reputacionit të një kompanie të njohur e shumëvjeçare.
“Dove” nuk shpërndan paketa dhuratash dhe kjo faqe në Facebook nuk ka asnjë lidhje me kompaninë. Bëhet fjalë për një mashtrim marketingu. Mos i lini të dhënat tuaja në këtë faqe.
Për shkak të të gjitha fakteve të përmendura më sipër, postimin që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari