Parashikimet dhe fati nuk janë pjesë e punës së gazetarit

Shtimi i fjalëve “siç mësohet nga informatat jozyrtare” ose “ siç njoftojnë burimet jozyrtare” para ndonjë informacioni “paushall” nuk e amniston gazetarin nga përgjegjësia për vërtetësinë e tyre. Kurreshtjen e gazetarit mund ta zgjojnë shumë zëra por në opinion plasohen vetëm informacionet me peshë dhe të verifikuara, të paktën të jetë përpjekur. Artikulli që e recensojmë nuk përmbush parimet e profesionalizmit.

Linku deri te artikulli origjinal: “BDI dhe VMRO në opozitë, partitë tjera shqiptare dhe LSDM-ja formojnë qeverinë e re”

Data dhe koha e publikimit: 18.12.2019, ora 17:14

Data e recensionit: 19.12.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Kalkulimet politike për koalicione dhe bashkëpunime parazgjedhore kanë filluar prej kohësh. Deri tani, gjithçka mbetet në kuadër të shqyrtimeve dhe konsultimeve dhe akoma nuk ka pasur marrëveshje zyrtare për të këtilla hapa. Ndodh që një gazetar të ketë siguruar më shumë informacione për atë që planifikohet dhe, normalisht, të dojë të shfrytëzojë mundësinë për të plasuar ekskluziven. Megjithatë, kënaqësia profesionale si shpërblim për informacione ekskluzive nuk vjen pa përgjegjësi. Domosdoshmëria për respektimin e standardeve profesionale vazhdon të vlejë edhe në të tilla raste.

Titulli konstatues dhe mungesa e konfirmimit

Titulli të jep përshtypjen se skema “BDI dhe VMRO në opozitë, partitë tjera shqiptare dhe LSDM-ja formojnë” është punë e kryer, se bisedimet mes partive janë zhvilluar dhe janë sjellë vendime për bashkëpunime, zgjedhjet janë mbajtur, janë kryer dhe sapo është formuar qeveria e re. Deri në përfundim të këtij procesi ka edhe disa muaj (gjithmonë nëse zgjedhjet parlamentare mbahen vërtetë më 12 prill) kështu që duhet të jesh shumë supersticioz që të parashikosh një skenarë të këtillë.

Gazetaria nuk ka lidhje me parashikimet, ëndërrat dhe fatin por vetëm me situatat reale.

Nga informata jo-zyrtare për Gazetën Express – Maqedoni, tregojnë se LSDM ka dërguar oferta për koalicion parazgjedhor deri tek Alternativa e Gashit dhe PDSH-ja e Thaçit. Nëse arrihet marrëveshje, blloku opozitar do të përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e Kasamit. BDI dhe VMRO-DPMNE do të shkojnë të vetme në zgjedhje. – shkruan në tekstin që recensojmë.

Sigurisht, e drejta për burime anonime është e pakontestueshme, por puna nuk duhet të kishte përfunduar aty.

Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë. – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Nëse gazetari ka informacione që janë dërguar oferta për koalicione, duhet të kishte bërë përpjekje për konfirmimin e zërave në rrugë zyrtare. Të ishin kontaktuar të gjitha partitë që përmenden për verifikimin e këtyre të dhënave.  Edhe në qoftë se përpjekja do të ishte pa sukses, ai do ta kishte kryer obligimin e tij profesional dhe për këtë do të kishte shkruar publikisht.

Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur. – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.

Gjithçka që gazetari ka shkruar në tekst për të mbështetur pretendimet që ka në titull janë fjalë, skenare të tij dhe llogaritje në bazë të pritshmërive të tij.

Teknikat e manipulimit

“Prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë”, është njëra nga konceptet e manipulimit që, sipas Doracakut të Crithinkut, njihet si thirrje në mundësi. Mundësia që këto bashkëpunime dhe koalicione të ndodhin, për autorin e lajmit, është dëshmi se do të ndodhin.

Për lexuesit

Gjithmonë, më afër të vërtetës, janë informacionet për të cilat gazetari ka punuar mjaft për t’i verifikuar. Secila palë e përfshirë duhet ta ketë mundësinë ta konfirmojë ose ta hedhë poshtë atë që shkruhet. Burimet janë shumë të rëndësishme, qofshin ato edhe anonime, por nuk duhet kurrë të mjaftojë vetëm zëri i tyre. Nëse palët e tjera refuzojnë të flasin, edhe kjo është pjesë e lajmit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Your email address will not be published.