Paradoksale: RMV ka mungesë gjyqtarësh, pavarësisht se numri i tyre është mbi standardet evropiane

Основен суд Тетово. Фото, Порталб

Maqedonia e Veriut ka më shumë gjyqtarë se sa kërkojnë vetë standardet evropiane, por përsëri ka mungesë të tyre. Kjo në shikim të parë duket paradoksale, por në fakt arsyeja e mungesës së tyre, është për shkak të lëndëve të tepërta, të cilat nuk janë përpunuar ende dhe nuk kanë epilog përfundimtar, që mund të qojë në vjetërsimin e lëndëve. Ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski, konsideron se sipas standardeve evropiane për 100.000 banorë, duhet të ketë 21.5 gjyqtar, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me metodologjinë e re për vlerësimin e gjyqtarëve, ministri Tupançevski beson se do të japë rezultate dhe në këtë drejtim gjendja do të përmirësohet në mënyrë dramatike.

“Standardet evropiane për sa i përket numrit të gjyqtarëve janë të qarta – duhet të ketë 21.5 gjyqtarë për 100 mijë banorë dhe në vendin tonë sipas atij standardi kemi më shumë gjyqtarë se sa na duhen. Megjithatë, është fakt që gjyqësori duhet të optimizohet dhe racionalizohet, sepse barrën më të madhe për gjykatat e ka Shkupi si qyteti më i madh me numrin më të madh të banorëve”, tha Tupançevski, në debatin e organizuar nga Konventa Nacionale për BE.

Nga ana tjetër, zëdhënësit të Këshillit Gjyqësor, Ljubisha Arsiq për Portalb.mk, pranon se sipas kritereve evropiane për numrin e gjyqtarëve në krahasim me numrin e popullsisë, shifra është e saktë që mesatarisht për 100 mijë banorë duhet të kemi 21.5 gjyqtarë dhe nëse gjyqësori ynë përpiqet të përmbushë kriteret evropiane, atëherë ne duhet të ndjekim këtë mesatare.

Aktualisht, deklaron ai, në Maqedoninë e Veriut janë rreth 470 gjyqtarë dhe nëse i krahasojmë ata gjyqtarë me popullsinë e re të regjistrimit prej 1.800.000 banorësh, atëherë del se për 100.000 banorë kemi 26 gjyqtarë, ose pak më shumë se mesatarja evropiane prej 21.5 gjyqtarësh. Kjo do të thotë se kemi më shumë gjyqtarë se sa parashikojnë rregullat evropiane.

“Prandaj autoritetet politike dhe përfaqësuesit e tjerë relevantë përdorin këto shifra në deklaratat e tyre publike dhe nuk kanë konotacion të keq, por thjesht bëjnë një krahasim se sa gjyqtarë kemi aktualisht për 100 mijë banorë dhe sa duhet të kemi sipas sipas kritereve evropiane”, deklaron Arsiq.

Këshilli Gjyqësor, shprehet Arsiq, ka miratuar sistematizim të pozitave gjyqësore në vend qysh para se të zbatohet regjistrimit i popullsisë dhe sipas tij na nevojiten rreth 630 gjyqtarë dhe prandaj, nënvizon ai, themi se na mungojnë rreth 150 deri në 160 gjyqtarë kur e krahasojmë këtë numër të sistematizimit me atë ekzistues prej 470.

“Por ai numër prej 630 është marrë pas analizave të bëra në të gjitha gjykatat në vend, para së gjithash duke pasur parasysh sa lëndë kanë gjykatat në vit. Ne çdo vit kemi 90 deri në 100 mijë lëndë që transferohen në punë për vitin e ardhshëm kalendarik dhe nuk ka gjasa që ta kapërcejmë ndonjëherë atë fluks me numrin ekzistues prej 470 gjyqtarësh. Prandaj, është vlerësuar se numri prej 630 gjyqtarësh do të ishte më i përshtatshëm për të eliminuar të gjitha lëndët e mbetura dhe ta sjellim gjyqësorin në një gjendje ku nuk do të ketë aq shumë lëndë të pazgjidhura”, thekson Arsiq.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

Ajo që po ndodh aktualisht në Këshillin Gjyqësor, thotë zëdhënësi Arsiq, ndërsa duke marrë parasysh sistemimin me 630 gjyqtarë, dhe numrin ekzistues prej 470 gjyqtarësh, por edhe numrin e kritereve evropiane që thonë se mjaftojnë 400 gjyqtarë, janë bërë analiza funksionale për të gjitha gjykatat,  të gjitha gjykatat themelore, të larta, të apelit dhe administrative. Në mënyrë shtesë, nga Enti i Statistikave janë kërkuar shifra zyrtare lidhur me shifrat e reja të regjistrimit. E gjithë kjo do të ndihmojë në zbatimin e Strategjisë për zhvillim të burimeve njerëzore dhe rrjetit të gjykatave, dhe vetëm atëherë do të kemi një pasqyrë më të qartë të numrave me të cilët do të operojmë kur bëhet fjalë për numrin përfundimtar të gjyqtarëve të nevojshëm.

“Strategjia për zhvillimin e burimeve njerëzore dhe rrjetin e gjykatave nënkupton se numri i gjyqtarëve do të përcaktohet më konkretisht, ndërsa rrjeti i gjykatave domethënë numri i gjykatave. Rregullat evropiane kërkojnë që nëse një komunë ka më pak se 20 mijë banorë, nuk duhet të ketë gjykatë. Sipas të dhënave të regjistrimit kemi një dhjetra komuna ku kemi gjykata dhe nuk kemi mbi 20 mijë banorë, andaj dilema është nëse ato gjykata do të ekzistojnë në të ardhmen, si në Resnjë, Sveti Nikollë, Krushevë, Dellçevë e të tjera”, thotë Arsiq. 

Ndërkohë, arsye për mungesën e gjyqtarëve në vend ka qenë jofunksionimi i Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve për dy vite (përkatësisht klasa e re prej 97 kandidatësh për gjyqtarë dhe prokurorë filloi vetëm mësimin tek të mërkurën e kaluar, kurse trajnimi zgjat dy vite të plota), çka nënkupton se nuk ka pasur mundësi për gjykatës të rinj që do të plotësonin vendet vakante.

Pavarësisht këtij paradoksi, problemi i lëndëve të pazgjidhura, që kanë mbetur në labirintet gjyqësore, minon drejtësinë në vend, përkatësisht nga ndjekja penale mund të shpëtojnë persona me vepra të rënda penale, si dhe rezulton me joefikasitet në vendosjen e drejtësisë ndaj atyre që iu është bërë dëm. Kjo stagnon madje edhe rrugën drejt BE-së, pasi reformat në këtë sektor janë pjesë e procesit të vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.