Organizatat evropiane për verifikimin e fakteve miratojnë Kodin e Standardeve Profesionale – Fondacioni Metamorfozis nënshkrues nga Maqedonia e Veriut 

 Më shumë se 40 organizata për verifikimin e fakteve në të gjithë Evropën kanë miratuar një Kod profesional që i përcakton standardet e metodologjisë, etikës dhe transparencës së nevojshme për një luftë gjithëpërfshirëse dhe efikase kundër dezinformatave. 

“Kodi Evropian i Standardeve për Organizatat e Pavarura për Verifikimin e Fakteve”, i cili u publikua sot, u zhvillua përmes një projekti që përfshin organizata për verifikimin e fakteve nga më shumë se 30 vende nga Evropa. Ky Kod është rezultat i hulumtimeve, anketave, debateve dhe diskutimeve disamujore midis verifikuesve evropianë të fakteve, si dhe akademikëve dhe ekspertëve të tjerë të fushës. Versioni përfundimtar i Kodit u miratua nga 44 organizata nga gjithsej 45 që votuan. 

Standardet e paraqitura në Kod, që përfshijnë çështje që variojnë nga cilësia e burimeve, e deri tek përcaktimi jopartiak dhe transparenca financiare, duhet të respektohen në mënyrë që organizatat për verifikimin e fakteve të bëhen anëtarë të verifikuar të Rrjetit Evropian të Standardeve të Kontrollit gjatë Verifikimit të Fakteve (EFCSN), i cili do ta organizojë, mbështesë dhe përfaqësojë këtë komunitet. Anëtarësimi i një organizate të caktuar në këtë rrjet do të jetë shenjë për publikun se ajo organizatë për verifikimin e fakteve funksionon në mënyrë të pavarur dhe etike, por edhe se është e përkushtuar për t’i shërbyer interesit publik. 

Fondacioni Metamorfozis, botues i shërbimit për verifikimin e fakteve, Vërtetmatës që nga viti 2011, së bashku me partnerët e saj evropianë, ka marrë pjesë aktive në zhvillimin e Kodit si i vetmi nënshkrues dhe bashkëthemeluesi i vetëm i EFCSN nga Maqedonia e Veriut. Metamorfozis dhe Vërtetmatës janë gjithashtu nënshkrues të certifikuar të Kodit të Parimeve, i krijuar nga Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN) me bazë në Uashington, i themeluar nën kujdesin e Institutit Pointer, një lider global në gazetari. Këto angazhime ndërkombëtare na mundësojnë t’i forcojmë metodologjitë tona të verifikimit të fakteve, të jemi në ballë të kodifikimit të standardeve dhe parimeve të reja të verifikimit të fakteve, dhe kështu të jemi në gjendje t’i transferojmë njohuritë dhe praktikat e reja të fituara te gazetarët dhe mediat nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor. 

Me tekstin e Kodit tashmë të miratuar hapi i ardhshëm i Komunitetit evropian për verifikimin e fakteve është takimi në Madrid në fund të shtatorit, ku do të diskutohet për përcaktimin e misionit dhe strukturës së rrjetit, si dhe për një organ drejtues që do ta mbikëqyrë zbatimin e Kodit.  

Për më tepër, në muajt e ardhshëm, EFCSN do ta mbështesë komunitetin hulumtues evropian me burim të hapur në zhvillimin e një grupi specifik udhëzimesh të përshtatura për punën dhe misionin e tyre. 

Ky projekt është pjesë e Thirrjes për integritet në mediat sociale të Komisionit Evropian dhe drejtohet nga gjashtë organizata evropiane të fokusuara në luftimin e dezinformatave: Fundación Maldita.es (Spanjë), AFP (Francë), CORRECTIV (Gjermani), DEMAGOG (Poloni), Pagella Politica/ Fakta (Itali) dhe EU DisinfoLab (Belgjikë). 

Ndiqni profilet EFCSN në Twitter dhe LinkedIn për lajme të rregullta në lidhje me këtë projekt

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.