Omikron nuk është një gënjeshtër, por një lloj i koronavirusit i konfirmuar në 63 vende të botës

Фото: pixabay.com

Për dallim nga gënjeshtrat e përhapura nga ky postim në Facebook, në Afrikë jo vetëm që është konfirmuar koronavirusi, por sipas OBSH-së me Kovid-19 deri më tani janë infektuar 6.564.819 njerëz dhe kanë vdekur 153.808. Të dhënat zyrtare tregojnë se përqindja e të vaksinuarve në Afrikë është shumë e ulët, 7.3 përqind, ndërsa deri më tani me dy doza atje janë vaksinuar rreth 101 milionë njerëz. Lloji i ri i koronavirusit – Omikron – u raportua në OBSH më 24 nëntor ndërsa për herë të parë u zbulua në mostrat e mbledhura më 11 nëntor në Botsvanë. Qendra Evropiane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve publikoi se deri më 11 dhjetor në Evropë janë raportuar gjithsej 766 raste të konfirmuara me llojin Omikron, shkruan Vërtetëmatësi.

Në një postim në Facebook shkruan:

Mutacioni i ri Omikron është një GËNJESHTËR!!

Loja vazhdon!!

Mediat dhe portalet mercenare në mbarë botën janë ato që përhapin lajmet e rreme dhe ngjallin panik dhe frikë!

Në Afrikë janë vaksinuar vetëm 5% e njerëzve, ndërsa autoritetet e atjeshme gënjejnë se janë 30%!

Në Afrikë NUK KA as Kovid-19, e jo më një lloj të ri!!

Omikron është një GËNJESHTËR!! PËRHAPNI KËTË INFORMACION!!

Postimi, me çdo fjali të re, plason dezinformatë pas dezinformate, në përpjekje për të dëshmuar se lloji i fundit i koronavirusit, i cili u zbulua në Afrikën e Jugut, nuk ekziston sepse në kontinentin afrikan nuk ka Kovid.

Në Afrikë NUK KA as Kovid-19, e jo më një lloj të ri!!, shkruan në postimin që ka marrë 55 pëlqime dhe që është ndarë 14 herë.

Në Afrikë jo vetëm që është konfirmuar koronavirusi, por sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ku publikohen të dhënat nga e gjithë bota, deri më tani kanë vdekur 153.808 njerëz (gjendja deri më 13.12.2021). Në 54 vendet e  kontinentit afrikan, ku jeton 16 përqind e popullsisë së botës, nga fillimi i pandemisë deri më 13 dhjetor të vitit 2021, janë infektuar 6.564.819 njerëz.

Vetëm brenda 24 orëve (07.12.2021) janë konfirmuar  29.210 raste të reja nga 29 vende dhe 143 raste të vdekjes nga 16 vende. Afrika e Jugut, vendi ku u zbulua për herë të parë lloji i ri Omikron, i cili po përhapet me shpejtësi, kryeson listën për kah numri i rasteve të reja në 24 orë (13.147 raste të reja).

Në postim gjithashtu thuhet:

Në Afrikë janë vaksinuar vetëm 5% e njerëzve, ndërsa autoritetet e atjeshme gënjejnë se janë 30%!

Përqindja e të vaksinuarve në Afrikë është shumë e ulët dhe është 7,3 përqind dhe deri më 2 dhjetor të vitit 2021 në Afrikë me dy doza janë vaksinuar rreth 101 milionë njerëz. Këto janë të dhëna zyrtare që vendet i raportojnë pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për krahasim, në Mbretërinë e Bashkuar me dy doza janë vaksinuar 68 përqind e njerëzve; 58 përqind në Shtetet e Bashkuara dhe 67 përqind në Bashkimin Evropian.

Në fund postimi përfundon:

Omikron është një GËNJESHTËR!! PËRHAPNI KËTË INFORMACION!!

Siç ka shkruar tashmë „Vërtetmatësi“, lloji i ri i SARS Cov-2, B.1.1.529 – Omicron, u raportua në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) më 24 nëntor të vitit 2021. Ky lloj i ri për herë të parë u zbulua në mostrat e marra më 11 nëntor të vitit 2021 në Botsvanë dhe më 14 nëntor të vitit 2021 në Afrikën e Jugut, publikoi Qendra Amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve.

Qendra Evropiane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve  publikoi se deri më 11 dhjetor të vitit 2021 në Evropë janë raportuar gjithsej 766 raste të konfirmuara me llojin SARS-CoV-2 Omicron VOC.

Raste të konfirmuara të Omikron ka në: Austri (17), Belgjikë (30), Kroaci (3), Qipro (3), Republikën Çeke (5), Danimarkë (195), Estoni (15), Finlandë (20), Francë (59), Gjermani (82), Greqi (3), Islandë (20), Irlandë (6), Itali (13), Letoni (5), Lihtenshtajn (1), Holandë (62), Norvegji (109), Portugali (49), Rumani (7), Sllovaki (3), Spanjë (36) dhe Suedi (23), sipas informacioneve nga burime zyrtare. Në disa vende janë regjistruar edhe nga disa raste të mundshme.

Tek ne ende nuk kemi një prezencë të konfirmuar të Omikronit, sepse ndarja e variacioneve bëhet herë pas here dhe jo gjatë gjithë kohës. Këtë e konfirmoi epidemiologu Dragan Koçinski nga Instituti i shëndetit publik, i cili beri të ditur se këto ditë do të bëhet sekuencionimi i llojit të ri.

Llloji Omikron nuk testohet në ISHP. Gjatë sekuencionimit të 48 materialeve në muajin e kaluar, tek të gjitha u vërtetua prania e llojit Delta. Këtë muaj do bëhet sekuencionimi i llojit Omikron, sqaroi epidemiologu Koçinski në bisedën online me gazetarët.

Lloji i ri Omikron, prania e të cilit  është konfirmuar në 63 vende të botës ngjalli shqetësim tek përfaqësuesit e OBSH-së. Michaela Hegerman Linderkron, Sekretare Teknike në Zyrën e OBSH-së për Evropëntha se kontinenti europian po bëhet territori ku po përhapet një lloj i ri pak i njohur. Brenda vetëm shtatë ditëve kanë vdekur 29.000 evropianë, ndërsa infeksioni po përhapet për shkak të grupimit të shpeshtë të njerëzve, llojit Delta, por edhe të pavaksinuarve që janë më të rrezikuar nga virusi.

Me ardhjen e dimrit, njerëzit gjithnjë e më shumë qëndrojnë në mjedise të mbyllura. Popullata u relaksua dhe nuk ju përmbahet masave. Ne ende nuk e dimë ashpërsinë e sëmundjes dhe sa efektive janë vaksinat kundër këtij lloji, por më shumë informacion do të kemi në javët në vijim”, tha Hegerman Linderkron.

Respektimi i masave dhe vaksinimi mbeten mbrojtja më e sigurt kundër koronavirusit, përfshirë këtu edhe llojet e fundit si Delta dhe Omikron, të cilët u treguan si shumë infektiv.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari