Objekti i shkollës në Sellcë, edhe pas 16 viteve i papërfunduar

Projekti: Përfundimi i ndërtimit të shkollës në Sellcë, Tetovë (afati i realizmit 2014-2018)

ARSYETIM:

Rreth 350 nxënës të fshatit Sellcë procesin mësimor e vijonin në kushte tejet të vështira, në një objekt të ndërtuar në vitin 1954 me gurë dhe baltë, me instalim të vjetër elektrik dhe me mungesë të kushteve më elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Punimet për ndërtimin e objektit kishin arritur deri në fazën karabina dhe aty ishin ndërprerë. Në programin politik të BDI-së (faqe 286), si afat për përfundimin e ndërtimit të shkollës ishte përcaktuar viti 2014, por pasi nuk u arrit ndonjë përfundim konkret, u caktua viti 2018. Deri më tani (13.10.2016) ky premtim është i parealizuar.

Nga drejtoria e kësaj shkolle, thuhet se janë bërë kërkesa të vazhdueshme për përfundimin e objekit të shkollës, por të gjitha këto, pa ndonjë rezultat.

Themelet e kësaj shkolle janë hedhur në vitin 2000 dhe nga ajo kohë e deri më sot, shkolla është në gjendje karabina. Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme qoftë me shkrim apo takimeve zyrtare që kemi pasur me Ministrinë e Arsimit, të gjitha këto përpjekje kanë hasur në veshë të shurdhër”. (burimi: Alsat-M, 12.11.2013)

Ndërkaq, më 17.11.2013  zv/ministri i arsimit, Safet Neziri, ishte në f. Sellcë për të parë nga afër gjendjen e objektit. Ai njoftoi se projekti i objektit të ri për shkollën ‘Rilindja’ ka dështuar dhe se punimet nuk mund të vazhdojnë aty për shkak të çarjeve që ka pësuar bazamenti dhe muret e objektit.

Në këtë objekt për momentin nuk mundë të vazhdojmë të ndërtojmë shkaku i plasaritjeve në bazament dhe deformimi i pllakës. Do bëhet revizioni komplet i dokumentacionit, do vijnë edhe ekspertët për të bë kontroll dhe mbikëqyrje të objektit… “.(burimi: Alsat-M, 17.11.2013)

Përkundër mosrealizimit të këtij projekti në vendin ku ishte përcaktuar, Neziri premtoi se do të angazhohen për të gjetur ndonjë vend tjetër në këtë fshat për të ndërtuar objektin e ri shkollor.

Më 27.12.2014 nga Televizioni Alsat-M, njoftuan se nuk ka ende asnjë zgjidhje konkrete lidhur me caktimin e lokacionit për ndërtimin e shkollës në Sellcë të Tetovës. Projekti paraprak, i nisur 14 vjet më parë ka mbetur në gjendjen e njejtë. Ndërsa, ish Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, vazhdoi me premtime duke thënë se lokacioni është caktuar dhe vetëm duhet të përgatiten projektet dhe dokumentacionin tjetër shtesë.

Jemi në komunikim me komunën e Tetovës e cila do duhet ta gjej lokacionin dhe më kanë njoftuar se lokacioni është i caktuar dhe po ashtu do duhet të përgatisin projektet dhe dokumentacionin tjetër shtesë”. (burimi: Alsat-M, 27.12.2014)

Ndërkaq, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk deklaroi qartë nëse lokacioni për ndërtimin e shkollës së fshatit Sellcë është gjetur vërtetë.

Ne do i përfundojmë shumë shpejtë kushtet e planifikimit, dhe Ministria mundë të vazhdojë, në qoftë se e ka buxhetin për të ecur me projektin sa më shpejtë”. (burimi: Alsat-M, 27.12.2014)

Së fundmi, (21.05.2016) edhe Minsitri i tanishëm i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu vazhdon me premtimin e gjetjes së truallit për objekt.

Ne si Ministri do të  angazhohemi për të gjetur një truall të sigurtë që nxënësit të mësojnë dhe të jenë të sigurtë. Presim përgjigje nga ekspertët që të bëjnë verifikim të ndonjë truallit në ndonjë lokacion tjetër dhe të mirren masat për ndërimin e shkollës“. (burimi: Alsat-M, 21.05.2016)

Nga ajo që mundemi të vlerësojmë, projekti paraprak, i nisur 14 vjet më parë ka mbetur në fazën e karabinasë dhe nuk ka ende asnjë zgjidhje konkrete lidhur me caktimin e lokacionit për ndërtimin e shkollës në fshatin Sellcë të Tetovës, ndërkaq që 300 nxënësit e shkollës “Rilindja” të fshatit Sellcë të Tetovës vazhdojnë ta ndjekin mësimin në kushte të mjerueshme. Sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, mundë të përfundojmë që projekti “Përfundimi i ndërtimit të shkollës në Sellcë, (Tetovë)”, deri më tani (13.10.2016) është i parealizuar. 

BURIME:

 Vlerësoi: Rabie Abazi

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.