Nuk ka të dhëna zyrtare se Vlladimir Pançevski është larguar nga vendi

 

Shkruan: Zhaklina Cvetkovska

Senzacionalist dhe i pambështetur me asnjë dëshmi është titulli i tekstit të publikuar në portalin maktel.mk, me titull „PLEHRA PANÇEVSKI IA MBATHI NË BUDAPEST TEK SHEFI I TIJ: Pançevski në arrati, policia nuk e ka gjetur në shtëpinë e tij?“, në të cilin janë shpalosur ofendime të pahijshme për punën profesionale gazetareske, si dhe pretendime për të cilat nuk ka kurrëfarë faktesh në publik.

Teksti, i cili është përcjellë duke e theksuar burimin, por pa link që të lidh deri tek ai, i referohet urdhëresës për arrest të ish kryetarit të Gjykatës penale, Vlladimir Pançevski, të cilit Gjykata themelore në Veles i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, sepse ai nuk u paraqit në seancën dëgjimore për seancën kryesore për lëndën “AKMIS”. Pançevski akuzohet për shpërdorim detyre gjatë shpërndarjes elektronike të çështjeve gjyqësore, ndërsa sipas informacioneve në dispozicion, Ministria e punëve të brendshme është ende në kërkim të tij.

Sidoqoftë, në titull, autori shpalos insinuata dhe konkluzione personale se Pançevski është arratisur në Budapest “„te shefi i tij”, duke aluduar për Nikolla Gruevskin, për çka nuk ka asnjë konfirmim nga autoritetet kompetente. Ai e bazon pretendimin e tij vetëm në faktin se policia nuk e gjeti Pançevskin në shtëpinë e tij.

Autori në titull ka përdorur edhe një kualifikim fyes dhe të papërshtatshëm për një figurë publike, të cilën ai e quan „plehrë”, e që është e papranueshme për profesionin e gazetarit dhe me çka bëhet shkelje e nenit 15 të Kodit etik të gazetarëve të Maqedonisë.

Në informacionet nga Ministria e punëve të brendshme, nga ana tjetër, askund nuk thuhet se Pançevski është larguar nga vendi, dhe aq më pak se ai është në Budapest. Ata vetëm konfirmojnë se ai nuk u gjet në shtëpinë e tij.

Ministria e punëve të brendshme vepron me urdhër gjykate për arrestimin e personit V.P. dhe në momentin kur do të krijohen kushtet, do të gjendet vendndodhja e tij dhe ai do të arrestohet, deklaruan nga Ministria e punëve të brendshme për Fokus”, thuhet në tekstin e recenzuar.

Detyrë e gazetarit është të informojë, dhe sidomos të jetë i kujdesshëm në përcjelljen e informacionit për vendimet dhe proceset gjyqësore dhe politike, ku nuk ka vend për „manovrim”, e aq më pak për konkluzione senzacionaliste. Nëse shpalos pretendime të caktuara, ato duhet të jenë të sakta dhe të konfirmuara nga burime zyrtare. Në këtë rast, gazetari nuk e ka bërë një gjë të tillë, që është një shkelje e rëndë e parimeve themelore etike të gazetarisë, dhe veçanërisht e nenit 1 të Kodit etik të gazetarëve.

Mungesa e sensit dhe joserioziteti nuk përkojnë me sjelljen elementare profesionale të një gazetari, i cili duhet të ruajë reputacionin dhe dinjitetin e profesionit dhe të mos e përdorë medien për konfrontim personal me persona të tjerë, siç thuhet në nenin nenin 16 të Kodit etik të gazetarëve.

Problematik dhe tendencioz është edhe vetë konstruksioni i titullit, i cili duhet të jetë informues dhe adekuat për lajmin që ai përcjell. Sidoqoftë, autori ka vendosur që t’i inkuadrojë edhe komentet e tij, duke mos bërë dallim midis fakteve dhe mendimit, e duke shkelur kështu nenin 13 të Kodit etik të gazetarëve.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.