Nuk ka përgatitje për luftë, pajisjet ushtarake blihen në përputhje me planin e modernizimit të ushtrisë
Është e vërtetë se Ushtria do të ripërtërihet me automjete dhe sisteme artilerie, por është dezinformatë e pastër se Maqedonia po përgatitet për luftë, dhe për këtë pajisje të reja ushtarake. Lidhur me këtë, Qeveria i është përgjigjur “Vërtetmatësit” se mjetet për prokurimin e pajisjeve ushtarake janë planifikuar në buxhetin e mbrojtjes për vitin 2022, i cili është në dispozicion të publikut dhe është në përputhje me planin afatgjatë dhe afatmesëm për zhvillimin e aftësive mbrojtëse.
Një postim në Facebook ka plasuar dezinformata se me blerjen e pajisjeve ushtarake Maqedonia po përgatitet për luftë, dhe vetë postimi në pyetje thotë: “a po bëhemi gati edhe ne?”.
Bëhet fjalë për manipulim në vetë titullin e tekstit të treguar në postim, i cili në momentin e recensimit tonë ka mbi 300 komente dhe 21 shpërndarje:
Maqedonia përgatitet për luftë? – Do të blejmë automjete dhe sisteme artilerie.
Është e vërtetë që ushtria do të pajiset me automjete dhe sisteme artilerie, por është dezinformatë e pastër se Maqedonia po përgatitet për luftë, andaj blen pajisje të reja ushtarake.
Në seancën e 36-të (05.04.2022), me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Informacionin dhe miratoi planin vjetor të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për lidhjen e kontratave për prokurim të mallrave, shërbimeve dhe punëve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me qeveritë e huaja për vitin 2022.
Plani përmban 8 projekte që do të realizohen nëpërmjet lidhjes së kontratave për prokurimin e mallrave, shërbimeve dhe punimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me qeveritë e vendeve anëtare të Aleancës, me të cilin sipas Planit të modernizimit të ushtrisë parashihet blerja e rrotave të mjeteve të blinduara të lehta (projekt në vazhdimësi), automjeteve për qëllime speciale, sistemeve të artilerisë 105 mm dhe municionit 105 mm, sistemit të mbrojtjes ajrore në lartësi shumë të ulëta, riparimit të helikopterëve transportues, pajisjeve të zbulimit dhe inteligjencës, pajisjeve të përbashkëta të kontrollit të zjarrit Joint Terminal Attack Controler (JTAC) dhe mjete të lehta luftarake të blinduara për forcat speciale. Me pajisjet në fjalë do të rritet gatishmërua e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe ndërveprimi i saj me ushtritë e vendeve aleate, thuhet në lajmin për blerjen e pajisjeve ushtarake, të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së RMV-së.
Lidhur me këtë, “Vërtetmatësi” iu drejtua Qeverisë, prej ku u përgjigjën se mjetet për prokurimin e pajisjeve ushtarake janë planifikuar në buxhetin e mbrojtjes për vitin 2022, i cili është në dispozicion të publikut dhe është në përputhje me planin afatgjatë dhe afatmesëm për zhvillimin e aftësive mbrojtëse.
Informacioni se në Buxhetin e Mbrojtjes për vitin 2022 mbi 30 për qind të fondeve parashikohen për modernizimin e Ushtrisë është publik dhe i përsëritur disa herë. Për këto 8 projekte të prokurimit, përmes lidhjes së marrëveshjeve me Qeveri me Qeveri, për këtë vit janë paraparë 48 milionë euro. Opsioni për lidhjen e kontratave Qeveri me Qeveri ofron transparencën më të lartë dhe eliminimin e hapësirës për korrupsion në lidhjen e kontratave, u përgjigjën nga Qeveria.
Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se ky është një titull pjesërisht i pasaktë. Është e vërtetë se ushtria do të blejë pajisje ushtarake, por nuk është e vërtetë, siç shkruhet në titull, se Maqedonia po përgatitet për luftë, duke vënë në kontekst blerjen e automjeteve ushtarake dhe sistemeve të artilerisë.
Është e qartë se përmes titullit të lajmit të postuar në Facebook, i cili është mjaft viral, i lexuar dhe i komentuar, kërkohet të përhapet frikë dhe panik në popullatë, e cila tashmë është e shqetësuar duke pasur parasysh ngjarjet në Ukrainë, se Maqedonia po përgatitet për luftë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari