Nuk ka dëshmi shkencore se vaksina kundër koronës shkakton sterilitet

Posti që recensojmë

Postimi të cilin e recensojmë është treguesi më i mirë i faktit që personat të cilët nuk janë të thirrur apo ekspert të një lëmie të caktuar, nuk duhet të shkruajnë për atë, sidomos kur bëhet fjalë për diçka tejet serioze siç është shëndeti i njeriut. Përderisa hoxha Hubejb Numan ju thotë qytetarëve se vaksina kundër Kovid-19 shkakton sterilitet, shkenca e thotë krejtësisht të kundërtën, shkruan Krithink.

Postimi që recensohet

Linku deri te postimi origjinal: Hubejb Numan.

Data e postimit: 22.03.2021

Data e recensimit: 03.04.2021

Me ose pa vetëdije, dëmi të cilin ky postim e shkakton është i madh

Përveç problemeve me shëndetit fizik, nga shpallja e gjendjes së pandemisë deri sot njerëzit janë përballur edhe me një sërë dezinformatash dhe konspiracionesh nga persona të ndryshëm, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejtë dhe vazhdon të ndikojë në shëndetin mendor të qytetarëve.

Duhet si lexues të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm se ku informohemi për çështje të caktuara me rëndësi të veçantë, siç është shëndeti dhe vaksina kundër virusit korona dhe në mënyrë absolute të shmangim të gjithë ata, të cilët japin “ekspertizën” e tyre për këtë, pa qenë ekspert fare.

Çfarë duhet të keni parasysh kur lexoni postime për virusin dhe vaksinën?

Asnjëherë nuk duhet të merren si të mirëqena informacionet në lidhje me pandeminë të cilat i lexoni përmes faqeve të ndryshme në internet, lexuesi gjithmonë duhet të jetë dyshues dhe të bëje atë që quhet verifikim qytetar i fakteve, edhe atë:

  • Kush është personi që ka postuar atë informacion? A është i thirrur për atë temë?
  • Kush është burimi i informacionit? (Kërkoni link të studimit konkret)
  • A ka mundësi që postimi të jetë në baza konspirative dhe jo shkencore?
  • Shikoni kredibilitetin e mediumit dhe faqes ku do ta gjeni informacionin, sa profesional janë dhe cili është misioni i tyre?

Këto janë hapat më të pakta që çdo qytetarë duhet ti bëje në momentin kur haset me informacione shqetësuese si postimi të cilin e recensojmë ne, në mënyrë që të shmangen shqetësimet e panevojshme të nxitura nga lajmet e rreme dhe konspirative.

Cila është e vërteta, a ka mundësi që “vaksina” të të bëj steril?

“Vaksina e covidit përmban një proteinë spike e quajtur syncytin-1, e cila është jetike për formimin e placentës njerëzore te gratë. Nëse vaksina funksionon, ajo formon një përgjigje imune kundër proteinës spike, ajo mëson trupin femëror për të sulmuar syncytin-1, gjë që mund të çojë në infertilitet te gratë me një kohëzgjatje të paspecifikuar. Kjo është edhe arsyeja pse nuk lejohet të mbetet shtatzënë 2 muaj pas vaksinimit, kjo shkruhet në udhëzimin e vaksinës” shkruan hoxha Hubejb Numan në postimin të cilin e recensojmë.

Nuk ka dëshmi shkencore se vaksina shkakton sterilitet

Spekulimi se vaksina anti-COVID shkakton sterilitet te femrat fillimisht u shfaq në fillim të dhjetorit në një faqe informimi në gjuhën angleze, të quajtur “Health and Money News”. Sipas këtij artikulli, udhëheqësi i hulumtimit në kompaninë “Pfizer”, Michael Yeadon, ka deklaruar se vaksina do të shkaktojë sterilitet te femrat. E vërteta është se ky person nuk punon në kompaninë “Pfizer” që nga viti 2011.

Yeadon dhe mjeku gjerman Wolfgang Wodarg i dërguan një letër Agjencisë Evropiane të Barnave, nga ku kërkuan të ndalen provat klinike të vaksinës COVID-19 nga “Pfizer”. Sipas pretendimit të Wodarg dhe Yeadon në letër thuhet se vaksina “Pfizer” bllokon një proteinë që është thelbësore në formimin e placentës tek gjitarët dhe se ata mendojnë se është e mundur që gratë që marrin vaksinën mundet ta humbasin fertilitetin. Por, ata në asnjë moment nuk deklaruan fakte shkencore se si vaksina shkakton sterilitet.

Ekspertët thonë se nuk ka asnjë provë se vaksina do të rezultojë në sterilizimin e grave.

Rebecca Dutch, kryetare e departamentit të biokimisë molekulare dhe qelizore të Universitetit të Kentucky, sqaron për AP se:

“Edhe pse syncytin-1 dhe proteina s kanë disa karakteristika të ngjajshme, ato janë krejt të ndryshme në detajet që njohin antitrupat. Për më tepër, vaksina që po zhvillohet nga Moderna, Pfizer dhe BioNTech, kanë për bazë përcjelljen e ARN-së , i cili i tregon trupit se si të prodhojë proteina s dhe trajnon sistemin imunitar për të identifikuar virusin e vërtetë. Ato nuk përmbajnë synctyn-1”- shpjegon Dutch.

“Ideja që qendron pas kësaj teknologjie është se të dy vaksinat përmbajnë sekuenca të ARN-së e cila bënë kodifikimin për proteinën s të virusit SARS-COV2”- shprehet Matthew Frieman, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Meriland.

Jacob Yount, profesor në Universitetin e Ohios është njohës dhe studiues i proteinave syncytin, ai madje studion edhe proteinat syncnytin që gjenden në virusin SARS-CoV2. Shkencëtari thotë se vaksinat anti-COVID19 nuk përmbajnë proteina syncyn1.

Pretendimet se vaksina anti-COVID19 mundet të shkaktojë sterilitet janë hedhur poshtë edhe nga kompania “Pfizer” duke u thirrur në studimin e bërë për këtë çështje.

Përndryshe, Wodarg dhe Yeadon në opinion njihen si figura të cilët kanë përhapur dezinformata lidhur me COVID-19 edhe më herët.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari