Nuk është etike të pretendohet se po informon duke nxitur patriotizëm të rremë

Në lajmin që zgjodhëm për ta recensuar, spikasin nëpërkëmbje të disa çështjeve me rëndësi në gazetari. Në këtë artikull nuk ka aspak informacion, ka reagime të rreme të maskuara si burime anonime. Veç kësaj, në këtë tekst, nxitet një patriotizëm i rremë, përçarje ndëretnike, për çka nuk ka nevojë vendi ynë, i cili shpesh është vënë në provë për (pa)qëndrueshmërinë e brishtë ndëretnike. Këto janë probleme të mëdha etike, të cilat autori duhet t’i vendosë mirë në peshoren e ndërgjegjes. Pasojat mund të jenë të mëdha, shkruan Krithink.

Foto nga lajmi që recensojmë

Linku origjinal i artikullit: Bujar Osmani revolton diasporën e Zvicrës, i takon vetëm me flamur maqedonas, pa flamurin kuq e zi! (Video)

Data e publikimit: 22.03.2021

Data e recensimit: 03.04.2021

Titulli i lajmit është përgjithësues, përmes së cilit nuk përçohet në mënyrë të saktë informacioni. Veç kësaj, autori me titullin dhe vetë tekstin, nxit revoltë dhe përçarje brenda dhe ndëretnike për të cilat demokracia dhe vendi ynë i brishtë ka më së paku nevojë.

Kur flitet për përqindjen e diasporës duhen fakte

Autori jep vetëm opinionin e vet, kur thotë se gati 100% e diasporës në Zvicër është shqiptare dhe për këtë nuk ka asnjë fakt. Por, harron se regjistrimi akoma nuk është kryer për të verifikuar numrin e saktë të etnisë në diasporë. Edhe pse nuk mund të mohojmë faktin se ka një numër të lartë shqiptarësh që ndodhen jo vetëm në Zvicër, por në shumë vende evropiane dhe mbarë botërore, por ata janë nga vende të ndryshme si Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë etj, ndaj, akoma nuk është koha të flasim për përqindje. Çështja e përqindjes mbetet akoma pikëpyetje dhe gazetari nuk guxon të flasë mbi bindjet e veta, por as edhe mbi bindjet e gjithë botës kur nuk ka prova për të njëjtën.

“Edhe pse diaspora nga Maqedonia e Veriut në Zvicër është gati 100 për qind shqiptare, kjo si duket nuk i bën shumë përshtypje ministrit të punëve të jashtme, Bujar Osmani. Në një takim në qytetin Sion të Zvicrës, ai i është drejtuar diasporës fillimisht në gjuhën maqedonase, e pastaj në gjuhën shqipe, thonë për gazetën Lajm disa shqiptarë prezentë, por që janë larguar nga takimi në shenjë revolte. Ata thonë se Osmani nuk ka treguar fare respekt ndaj tyre, sepse në tavolin ka vendosur vetëm flamurin maqedonas, duke mos e parë të nevojshme të vendosë edhe flamurin kuq e zi”, thuhet në tekst.

Autori përsëri këtu është përpjekur të manipulojë lexuesin. Bujar Osmani ka shkuar si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut dhe nga cilësia e të parit të diplomacisë së Maqedonisë, ai e ka për obligim që të bëjë thirrje për të gjithë diasporën pa dallim etnie.

Sa i takon ‘revoltës së diasporës’, autori nuk ka sjellë asnjë dëshmi bindëse. Në videon e publikuar nga Osmani, nuk mund të shohësh hiç më shumë se një reagim të tipit për të cilin flet media në fjalë. Por, asgjë më tepër se kaq nuk ka ofruar autori, qoftë edhe një dëshmi vizuale, mesazhe të ardhura në emailin e redaksisë, të cilat mund të screenshot-ohen për të dëshmuar vërtetësinë e pretendimit. Përsërisim edhe njëherë, se, burimet ose reagimet anonime, mediat nuk duhet t’i keqpërdorin, pasi lexuesi humb besimin edhe të mediave kredibile, që ofrojnë informacione të sakta dhe në një moment të caktuar kur vërtetë është i nevojshëm anonimiteti, për shkakun e mediave të tilla, nuk mund ta përdorin dot.

Çështja e flamurit- autori fillimisht duhej të informohej

Për sa i përket flamurit, autori përpara se të hedhë akuza, duhet të lexojë se çka parashikon Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive, ku përdorimi i flamujve të tjerë përveç të atij të RMV-së është i cunguar brenda dhe jashtë territorit në raport me përqindjen e etniteteve.

Në nenin 6 të këtij ligji ndër të tjera thuhet:

Në njësinë e vetë-administrimit lokal, në të cilën jetojnë qytetarë të përkatësisë së bashkësisë dhe janë shumicë në atë njësi të vetë-administrimit lokal, në pajtim me nenin 2 të ketij ligji, nëse vendoset flamuri i asaj bashkësie, vendoset edhe flamuri i Republikës së Maqedonisë.

-Gjate takimeve ndërkombetare, garave dhe takimeve të tjera (politike, shkencore, kulturore-artistike, sportive dhe takime të tjera) për të cilat njësia e vetë-administrimit lokal është organizator, merr pjesë ose është e prezantuar, në pajtim me rregullat dhe praktiken e mbajtjes së atyre takimeve”.

Pra përdorimi i tij vlen gjatë takimeve ndërkombëtare, kur organizohen nga pushteti lokal, në të cilin jetojnë qytetarë të përkatësisë së bashkësisë së caktuar dhe janë shumicë në atë njësi.

Por, dallimi është shumë rrënjësor, pasi Osmani në këtë rast nuk është përfaqësues i pushtetit lokal, por është ministër, gjegjësisht përfaqësues i pushtetit qendror.

Retorika nacionaliste

Autori përdor dhe nxit retorikë nacionaliste, çka siç e përmendëm edhe më lartë, nxit përçarje etnike.

“Habia e tyre është e madhe se si një shqiptar nga Shkupi ka rënë aq shumë nën ndikim të maqedonasve. Bujar Osmani ka publikuar në facebook vetëm pjesën e fjalimit në gjuhën shqipe, por duke konfirmuar se është drejtuar edhe maqedonisht”, thuhet në tekst.

Për shkeljet si në këtë rast, Kodi Etik i Gazetarëve këshillon:

Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij.

Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Koncepti i manipulimit – “Thirrja e emocioneve”

Autori ka përdorur një gjuhë subjektive, të bazuar në bindjet e veta në vend të fakteve, me qëllimin e vetëm që të ngjallë sa më shumë emocione tek lexuesit. Duke i maipuluar ata, autori i thirr në patriotizëm të rrejshëm, i cili nuk i bën asnjë dobi. Duke thirrur këto emocione, autori fillimisht është përpjekur që të ndikojë te lexuesi duke theksuar faktin e përdorimit të gjuhës maqedonase nga Osmani. Pastaj, autori përpiqet të ndikojë në mungesën e përdorimit të flamurit shqiptar. Dhe në fund, ajo që bën përçarje ndër-etnike, është kur autori përmes “habisë” së mërgimtarëve, pretendon se ‘Osmani, një shqiptar nga Shkupi ka rënë kaq shumë nën ndikim të maqedonasve’.

Nëse jeni “patriot”, ky autor ju ka targetuar 

Mediat e internetit duke pasur parasysh se çështjet e karakterit etnik janë me interes të madh te shoqëria jonë, shpeshherë i përdorin këto tema si karrem për të kapur sa më shumë lexues. Vendosja e një titulli tendencioz, përshkrimi i “revoltës” pa ofruar asnjë deklaratë dhe pa e vërtetuar me fakte dhe keqpërdorimi i paraqitjes së një flamuri janë një mënyrë e thjeshtë për të manipuluar me lexuesit. Injorojini mesazhet përçarëse! Nëse hasni në tekste të tilla ku tentohet thellimi i përçarjes ndëretnike, injorojini. Mos pranoni mesazhe përçarëse nga dikush, të cilit po i kontribuoni me klikime, ndërkohë që ju ofron zhgënjim, manipulon me ju dhe nuk ju jep aspak informacion!

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.