Nuk është e vërtetë se Rusia teston armë bërthamore

Foto: Skrinshot

Përmbajtje e cunguar mediatike e cila keq informon dhe përhap huti e shqetësim në opinion, është materiali që recensojmë. Produkti mediatik është publikuar në një portal në gjuhën shqipe, gjatë përkthimit nga një gjuhë e huaj materiali është nxjerr nga konteksti madje nuk ka asnjë fakt apo burim relevant për ti bazuar informacionet që transmeton,  shkruan Portalb.mk.

“Çfarë po ndodh në Rusi? Shfaqen ‘kolona’ misterioze drite në qiell. A po testohen ar më bërthamore” është titulli i përmbajtjes që e recensojmë. Përmbajtja shoqërohet nga një kolazh fotografish ku shihet një kolon drite e verdh dhe përbëhet nga dy paragrafë. Përmbajtja e publikuar më 7 tetor të vitit 2022 nga portali “Instant” pretendon se “ushtria e Putinit mund të jetë duke testuar një armë të re”. Këtë pretendim portali e bazon te disa komentues në rrjetet sociale. Përmbajtja që recensojmë bëhet edhe më e çuditshme në paragrafin e dytë pasi bie në kundërshtim me vet “lajmin” që kanë publikuar.

“Nga ana tjetër, të shumtë janë dhe ata që mendojnë se ky mund të jetë një fenomen natyror, apo edhe rrezatim i lëshuar nga satelitë. Gjithçka nisi pas disa fotove që u postuan në rrjetet sociale, ku këto kolona drite ishin të qarta në qiellin e errët, ndërsa nuk ishte i dallueshëm burimi i tyre, pasi fushëpamja mbulohej nga shtëpitë. Ideja se këto mund të jenë krijuar si pasojë e një testi për krijimin e një ar me të re është më i besueshëm, duke qenë se ende vijon lufta me Ukrainën”, thuhet në përmbajtjen që recensojmë.

Nga një analizë sipërfaqësore mundet të vihet në përfundimin se kjo është një përmbajtje e cunguar mediatike e cila jo vetëm që nuk e informon publikun por mbi të gjitha shkakton shqetësim të panevojshëm tek lexuesit. Në të tilla raste lexuesit duhet të jenë shumë të kujdesëm për informacionet që konsumojnë.

Në fakt “lajme” për dritat “misterioze” në Rusi janë përhapur në më shumë mediume dhe gjuhë. Fotografi dhe përmbajtje e ngjashme janë shfaqur në rrjetet sociale edhe në gjuhën maqedonase. Një analizë e ekipit të visitinomer.mk ka verifikuar se: Nuk ka asnjë provë që dritat e verdha në qiellin e disa qyteteve ruse janë armë lazer 

Cila është e vërteta pas dritave “misterioze” që u shfaqen në Belgorod të Rusisë?

Banorët rusë në qytetin e Belgorodit, i cili ndodhet rreth 40 km larg kufirit me Ukrainën, thanë se ishin dëshmitar të një rreze e verdh drite e cila ngrihej nga sipërfaqja e tokës drejt qiellit. Më 4 dhe 5 tetor, fotografi dhe video u postuan në rrjetet sociale nga banorët në Belgorod. Rrjetet sociale u bombarduan me shpjegime të mundshme për të sqaruar paraqitjen e dritave, dikush pretendonte se dritën e kishte shkaktuar testimi i një arme të re ruse ndërsa dikush argumentonte se bëhet fjalë për një fenomen natyror.

Gazeta e përditshme ruse “Komsomolskaya Pravda” publikoi në në YouTube një video të fenomenit dhe shkroi:

“Një provë e një arme top-sekret apo një fenomen i zakonshëm natyror? Banorët e Belgorodit janë në humbje.”

Një sugjerim se dritat mund të jenë lazer u publikua nga gazeta e Moskës “Moskovskij Komsomolets” në një artikull në internet më 5 tetor. Artikulli pretendonte se korrespondenti ushtarak Andrey Rudenko kishte thënë se ushtria po përdorte “armët më të fundit të Federatës Ruse” atë ditë. Rudenko shtoi duke ngritur akoma më shumë dyshime se:

“Për shkak të rrethanave, nuk ka gjasa të zbulojmë, por shumë njerëz panë shkëlqimin në qiell sot.”

Kjo deklaratë mund t’i atribuohen përdorimit të laseri “Peresvet”, megjithatë për këtë armë ka shumë pak informacion dhe nuk ka asnjë burim që tregon nëse kjo armë do të prodhonte një rreze të verdhë. Sipas uebsajtit të lajmeve ushtarake “ArmyRecognition.com”, “Peresvet” aktualisht po me zhvillohet, kjo armë është njoftuar nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2018. Thuhet se laseri mund të ‘verbërojë’ satelitët në një distancë prej 1500 km. Megjithatë, ekspertë të fushës kanë deklaruar se nuk do të kishte gjasa që një rreze që synon një satelit hapësinor në lëvizje të fiksohej në pozicion dhe të drejtohej drejtpërdrejt lart.

Një ilustrim i aksioneve i cili përshkruan një laser me bazë tokësore që godet dhe shkatërron një satelit. Rusia pretendon se ka një laser me bazë tokësore që verbëron satelitët në orbitë

Një burim tjetër i mundshëm i dritave është një fenomen natyror i njohur ndryshe si një kolonë drite ose shtyllë drite. Ky shpjegim u parashtrua nga gazeta ruse e lajmeve RBC, e cila citoi Mikhail Leus, një specialist në qendrën e motit “Phobos”.

“Në fakt, shtyllat e dritës të vëzhguara në qiell janë një fenomen optik në atmosferë. që mban një emër të tillë ‘kolona e dritës’. Shtyllat e dritës në atmosferë janë një fenomen optik, një lloj halo i krijuar nga përthyerja e dritës në kristalet e akullit. Kjo mund të ndodhë kur dielli ose hëna janë të vendosura poshtë mbi horizont rreth lindjes së diellit ose perëndimit të diellit”, ka bërë të ditur Mikhail Leus.

Media shtetërore ruse RIA Novosti, duke cituar shkencëtarët në Universitetin e Belgorodit, gjithashtu arriti në përfundimin se “halos” ka të ngjarë të shkaktoheshin nga serrat në zonë. Ken Carslaw është profesor në Institutin për Shkencën e Klimës dhe Atmosferës në Universitetin e Leeds në Mbretërinë e Bashkuar. Duke folur për Newsweek, ai tha gjithashtu se ky fenomen natyror ishte një mundësi.

“Këto ndodhin në retë me kristale të sheshta akulli që janë të rreshtuara horizontalisht në mënyrë që të gjithë të reflektojnë poshtë në të njëjtin drejtim mbi një burim drite. Natyrisht për të parë këtë fenomen duhet akull. Aktualisht është rreth 11 C në Belgorod, që do të thotë se këto re duhet të jenë të paktën 1 km mbi tokë ose ndoshta më shumë – akulli në re zakonisht nuk formohet deri në temperatura shumë më të ulëta. Nëse do të kishte ndonjë imazh që tregonte këtë rreze në lartësi shumë më të ulëta, atëherë nuk do të kisha një shpjegim”, ka thënë Ken Carslaw për Newsweek.

Kolona të ngjashme drite mbi Belgorod janë raportuar më parë – kolona të verdha që shtrihen në qiell – dhe janë shpjeguar nga mediat lokale si një fenomen meteorologjik, një shpjegim që duket më i mundshmi edhe në këtë rast. I njëjti fenomen nga mediat ruse është raportuar më 16 shkurt të vitit 2020.

Rusia nuk ka përdorur armë bërthamore deri më sot

Deklarata e fundit e Stoltenberg është fakt se edhe përkundur kërcënimeve madje edhe pretendimeve, Rusia deri më sot nuk ka përdor armë bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg , ka paralajmëruar Rusinë se një “vijë shumë e rëndësishme do të kalohet” nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë. Stoltenberg tha se nuk do të zbulonte përgjigjen e mundshme të aleancës së mbrojtjes në një situatë të tillë, por tha se do të kishte “pasoja të rënda”.

Rrethanat në të cilat NATO mund të përdorë armë bërthamore janë “jashtëzakonisht të largëta”, tha ai gjithashtu në një konferencë shtypi. Aleatët e Ukrainës nga 50 vende janë takuar në selinë e NATO-s në Bruksel për një samit që Kievi e quajti “historik”.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.