Nuk është e vërtetë se Kroacia i ka mbyllur kufijtë, gazetari duhet të verifikoje informacionet
Lajmi të cilin e recensojmë ju bën thirrje qytetarëve që të mos shkojnë në Kroaci pasi siç thotë autori, “ky shtet i ka mbyllur kufijtë”. Madje, gazetari ju thotë lexuesve edhe në qoftë se kanë tranzit Kroacinë, të mos shkojnë duke ua shpjeguar gjendjen në kufij si të tmerrshme. Ky lajm është i rrejshëm dhe informacionet zyrtare as që janë marrë parasysh.
Linku deri te artikulli origjinal: Bllokohen mbi 1 mijë mërgimtarë në kufirin Serbi-Hungari, Kroacia bllokon kufirin
Data dhe koha e publikimit: 28.06.2020
Data e recensimit: 20.06.2020
Recensues: Ardit Ramadani
“Mësohet se janë bllokuar mbi një mijë shqiptar në kufirin Serbi-Hungari (Horgosh dhe Batrovci) pasi Kroacia ka mbyllur sot kufijtë” thuhet në lajmin që e recensojmë.
“Thonë disa të tjerë”, “Mësohet nga Bota.sot” janë burimet e vetme të këtij lajmi, që i bije i njëjti nuk ka ndonjë burim konkret. Edhe pse sipas Kodit Etik të Gazetarëve burimet anonime janë të lejueshme, por në raste të caktuara, jo në raste të këtilla kur punë e gazetarit është të bëje verifikimin e fakteve.
“Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë” shkruan në Kodin Etik të Gazetarëve.
Megjithatë, është punë e gazetarit të bëje verifikimin e fakteve apo informatave të cilat i posedon ai. E në qoftë se këtë nuk mund ta bëje, më e pakta është që në lajmin ta ceke se bëhet fjalë për supozim.
“Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur” thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.
Në vend të informimit, gazetari mund të shkaktojë dëm!
Autori pa asnjë burim zyrtar konkludon se shteti i Kroacisë i ka mbyllur kufijtë, si dhe ju thotë lexuesve që të mos shkojnë në këtë shtet, ai madje shton edhe në qoftë e lexuesit e kanë transit Kroacinë, të nisen nga kufiri i Hungarisë.
Kështu, duke keq-informuar mund të shkaktohet dëm qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë plane apo punë për tu nisur në Kroaci e që ky lajm mund të ua ndërroj mendjen për shkak të frikës të panevojshme, të cilën autori e ka prezantuar në lajm.
Si qëndron e vërteta?
Republika e Kroacisë nuk i ka mbyllur kufijtë për shtetasit e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, nga data 25 qershor secili person i cili dy javët e fundit ka vizituar Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë me hyrje në Kroaci do të duhet të vetizolohet për 14 ditë.
Në Kroaci të drejtë kanë të hyjnë të gjithë ata që kanë arsye relevante për ta bërë këtë, edhe atë: Personat me shtetësi evropiane, diplomatët, punonjësit shëndetësor, shoferët, punëtorët me vizë pune, shtetasit e RMV-së të cilët kanë garanci nga dikush në Kroaci se shkojnë për x punë dhe personat që kanë pronë (patundshmëri).
Ndërkaq, në qoftë se si destinacion të fundit keni ndonjë shtet tjetër ju lirisht mund të kaloni nga Kroacia për shkak se kufijtë janë të hapur dhe nuk do të ju kërkohet që të vetizoloheni.
Shkurt dhe qartë, në qoftë se keni arsye relevante, mund të hyni apo dhe kaloni nëpër Kroaci.
Në qoftë se nuk e keni problem të vetizoloheni për 14 ditë dhe harxhimet për këtë t’i siguroni vetë, ju mund të niseni që sot për në Kroaci sepse kufijtë janë të hapura për të gjithë ju që keni arsye relevante për të udhëtuar në këtë shtet, përkundër faktit se lajmi të cilin e recensojmë e thotë të kundërtën.
Inspektorët shëndetësor në Kroaci kanë të drejtë të ju gjobitin prej 8,000 kuna (1,050 euro) deri në 120,000 kuna (16,000 euro) në qoftë se ju nuk i respektoni rregullat e vetizolimit, gjegjësisht nuk rrini të mbyllur për 14 ditë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari