Nuk është e vërtetë se funksionarët e lartë shtetëror janë vaksinuar pa radhë

Në një postimFacebook nën maskën e një pyetësori, vendoset dezinformata në lidhje me vaksinimin e zyrtarëve të lartë qeveritarë kundër Covid-19, pa radhë dhe në kundërshtim me planin kombëtar të imunizimit. Postimi është mjaft viral, gjegjësisht është shpërndarë mbi 50 herë. Edhe pse njoftimi fillon në formë pyetjeje, ai vazhdon të bëjë pohim të qartë se zyrtarët në fjalë janë vaksinuar në disa vende të caktuara:

A janë vaksinuar këta njerëz nga qeveria ????
Ljupço Nikollovski – (i vaksinuar në Dubai)
Dragi Rashkovski – (i vaksinuar në Serbi)
Zoran Zaev – (në vend me vaksina serbe)
Radmila Shekerinska – (në vend me vaksina serbe)
Artan Grubi – (i vaksinuar në Shqipëri)
Nazim Bushi – (i vaksinuar në Shqipëri)
Për Ljupço Nikollovskin, në këtë postim në mënyrë të rreme thuhet se ai dyshohet se është vaksinuar në Dubai. Atje nuk zbatohet turizmi me vaksina, madje edhe nëse Nikollovski do të kishte një dëshirë të tillë, nuk do të ishte e mundur.

“Deutsche Welle” shkruan se në Emiratet e Bashkuara Arabe për momentin nuk ka turizëm vaksinor. Përveç kësaj, për t’u vaksinuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, duhet të keni kartë identiteti nga ky vend, së bashku me kartë të sigurimit shëndetësor, të cilën Nikollovski nuk e ka.

Ndërsa sa u përket vaksinave të dhuruara nga Serbia, të cilat ishin pak më shumë se 8,000 nga prodhuesi “Pfizer”, me ato u vaksinuan mbi 5,300 punonjës shëndetësorë që punonin në qendrat kovide. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se çdo abuzim me vaksinimin, pa radhë, edhe nëse është dikush që nuk është punonjës shëndetësor, do të dënohet. I tillë ishte rasti me sekretarin e spitalit në Ohër.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë për TV “Sitel” në janar, kur u pyet nëse do të vaksinohet, u përgjigj:

Sigurisht që do të vaksinohem, por pa thyer protokollet, të mos jem para mjekëve, pensionistëve dhe të sëmurëve kronikë, unë do të jap shembullin dhe do të vaksinohem për të dërguar mesazh se vaksina është e shëndetshme dhe e sigurt. Dhe tani e shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë qytetarët, që sipas ekspertëve botërorë është e sigurt dhe të gjithë duhet ta marrim, përveç atyre grupeve për të cilat mjekët do ta përjashtojnë, tha kryeministri Zaev i cili shtoi se vaksinimi do të kryhet së pari në punëtorët mjekësorë, pensionistët, të sëmurët kronikë dhe më pas qytetarët tjerë.

Ndryshe, pasi ky status u publikua në Facebook, në portalin “Lider”, u plasua lajmi në të cilin pretendohet se ministrat dhe zyrtarët tjerë janë vaksinuar pa radhë, por nuk ka emra të veçantë. Ky medium pretendon se informacioni në lidhje me zyrtarët qeveritarë të përmendur se janë vaksinuar pa radhë është informacion i klasifikuar dhe për këtë arsye nuk mund të publikojë emrat të cilët pretendohet se janë vaksinuar. Sidoqoftë, Qeveria i ka mohuar këto akuza, duke i quajtur të rrejshme.

Qeveria ashpër i mohon pretendimet e rreme në tekstet në lidhje me vaksinimin e pretenduar të zyrtarëve. Ne kategorikisht pohojmë se ministrat dhe zyrtarët qeveritarë NUK janë vaksinuar pa radhë, siç keqinformuan disa portale. Pretendimet e bëra në këtë tekst janë të RREJSHME dhe synojnë vetëm të dëmtojnë reputacionin dhe dinjitetin e ministrave dhe mbajtësve të funksioneve publike të qeverisë. Ne kategorikisht DEMANTOJMË dhe kërkojmë nga mediat që ta publikojnë këtë demant, duke kërkuar FALJE nga Qeveria, si dhe të tërheqin plotësisht tekstet e tilla, dhe nëse nuk ndodh kjo, ne do të marrim të gjitha masat ligjore dhe gjyqësore, shkruan në llogarinë zyrtare në Twitter, zëdhënësi i Qeverisë së RMV

Duke pasur parasysh të gjitha këto, pretendimi i bërë në postimin se zyrtarë të lartë të qeverisë vaksinohen pa radhë, e vlerësojmë si të pavërtetë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari