Nuk është e vërtetë që seri të ndryshme të Pfizer kanë përbërje të ndryshme
Në video pretendohet se seri të ndryshme të vaksinës së Pfizer kanë përbërje të ndryshme dhe se ka një përqindje më të lartë të pacientëve që vdesin nga seri të caktuara të kësaj vaksine. Vaksina Pfizer është e njëjtë në të gjitha vendet, ajo prodhohet në procese të kontrolluara si nga qeveritë kombëtare ashtu edhe nga rregullatorët ndërkombëtarë, si dhe nga vetë prodhuesi. Sistemi VAERS nuk duhet të përdoret si tregues për përllogaritjen e shkallës së vdekshmërisë nga vaksinat, ose si një tregues i rrezikut nga një vaksinë, shkruan Vërtetëmatësi.
Рo recenzojmë një postim në Facebook në të cilin thuhet se vaksinat janë “helm” dhe ruleta ruse. Në postim është postuar një video në të cilën një burim i paidentifikuar thotë se vaksinat Pfizer janë të paketuara në seri të ndryshme. Sipas postimit, jo të gjitha dozat e serisë kanë përbërje të njëjtë, kështu që disa persona që marrin vaksinën kanë efekte anësore më serioze, e të tjerë nuk kanë asnjë efekt anësor, gjë që sipas logjikës së autorit të postimit, është dëshmi se përmbajtja e vaksinave është e ndryshme, edhe pse janë të të njëjtit prodhues.
Vetëm Pfizer ka me mijëra seri, doza me përmbajtje të ndryshme, kështu që disa njerëz sikur nuk kanë marrë asgjë, të tjerët sëmuren ose vdesin, thuhet në postimin që po recenzojmë.
Në videon në postim nga minuta e 2 dhe 30 sekonda deri më minutën e 2 e 40 sekonda burimi anonim thotë:
Seritë e vaksinave nuk kontrollohen ndërsa mjekët përdoren për një eksperiment të madh në të cilin provojnë diçka. Ata nuk e dinë se çfarë po provojnë dhe pse njerëzit po vdesin.
Pastaj nga minuta e 3 e 10 sekonda deri në minutën e 3 e 15 sekonda të videos thuhet:
Shanset që të hasni në një seri të rrezikshme janë 1 në 200. Po luani rulet.
Nga minuta e 3 e 34 sekonda deri në minutën e 3 dhe 42 sekonda vazhdohet me të njëjtin ton:
Mjekët budallenj mendojnë se ua japin të gjithëve të njëjtën injeksion. Nuk është e vërtetë. Po keqpërdoren për një eksperiment të madh ku nuk ka komision të etikës.
Si burim për këtë referohet VAERS, sistemi amerikan për raportimin e efekteve anësore pas vaksinimit. Siç ka shkruar tashmë „Vërtetmatësi“, fakti që dikush raporton një efekt anësor në VAERS, nuk është dëshmi për një lidhshmëri shkak-pasojë mes vaksinës dhe efektit anësor. Në VAERS çdokush mund të raportojë efekte anësore, përfshirë edhe vdekjen, pa dëshmi për një lidhshmëri shkak-pasojë mes vaksinës dhe efektit anësor. Më shumë për këtë mund të lexoni në këtë link.
A kanë vërtet përbërje të ndryshme vaksinat e Pfizer që kanë numra të ndryshëm të serive?
Në faqen zyrtare të Qendrës amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC) janë publikuar të gjithë përbërësit e vaksinës së Pfizer.
Ajo përmban mesinxher acid ribonukleik, lipide, kripëra dhe sheqerna dhe nuk përmban prezervues, antibiotikë, medikamente, nuk përmban inde qelizash fetale të abortuara, xhelatinë ose materiale shtazore, nuk përmban proteina ushqimore, metale e as lateks.
Kur i krahason këta përbërës me përbërësit e vaksinës “Pfizer” të publikuar nga MALMED, Agjencia për barna dhe pajisje mjekësore në Maqedoni, kuptohet se bëhet fjalë për përbërës identikë!
Vaksina e Pfizer është miratuar si nga OBSH, ashtu edhe nga EMA dhe rregullatorët amerikanë të barnave. Ka të njëjtën përbërje në të gjitha vendet. Në testimet klinike vaksinën e pranuan 23.000 njerëz mbi moshën 12 vjeçare dhe sipas testimeve klinike u vlerësua se ajo duhet miratuar, gjë që ndodhi në Shtetet e Bashkuara ku Pfizer ka marrë miratim për përdorim të përhershëm. Nga 11 dhjetori i vitit 2020 këtë vaksinë e kanë marrë miliona njerëz.
“Vërtetmatësi“ në këtë recenzion do prezantojë dy shembuj në të cilat shihet se si autoritete serioze kombëtare i kontrollojnë të gjitha seritë e vaksinave nga aspekti i rregullshmërisë dhe cilësisë, ndërkohë që ato kontrollohen edhe nga vetë prodhuesi “Pfizer”.
Këto kontrolle përfshijnë kontrolle në laboratorët kombëtarë dhe më pas vaksinat marrin certifikatën e tyre për secilën seri të lëshuar dhe prodhuar, gjë që tregon se rregullatorët kombëtarë në vendet ku administrohet vaksina gjithashtu i kanë kontrolluar dhe miratuar dozat për përdorim përpara se t’i administrojnë ato tek popullata e tyre.
Shembulli i parë është me organin rregullator të barnave në Australi (Тherapeutic Goods Administration). Australia teston në mënyrë të pavarur cilësinë e vaksinës Pfizer fillimisht me lëshimin e certifikatës dhe më pas me testim laboratorik të çdo serie të vaksinës Pfizer e cila administrohet në Australi.
Gjatë procesit të evaluimit për regjistrim, Rregullatori Australian i barnave shqyrton të dhënat për të konfirmuar se procesi i prodhimit është i kontrolluar mirë dhe kjo përcakton edhe se sa e mirë do të jetë vaksina edhe në seritë e ardhshme. Për t’u siguruar që këto standarde janë përmbushur, testohet çdo seri e vaksinave që është dorëzuar në Australi. Përpara se të lëshohet në përdorim, çdo seri duhet të kalojë kontrollet që realizohen në 2 hapa. Fillimisht analizohet dokumentacioni që përshkruan procesin e prodhimit, mënyrën se si prodhohet, testohet, shpërndahet dhe ruhet vaksina. Më pas bëhet testimi laboratorik që kryhet nga një laborator i pavarur i njohur nga Rregullatori Australian i barnave sipas disa standardeve të paracaktuara, sqarojnë nga TGА.
Testimi laboratorik përfshin një sërë testesh, përfshirë këtu edhe ato për identitetin, fuqinë, pastërtinë, kontaminimin me mikroorganizma.
Në këtë link mund të shihni se të gjitha vaksinat e Pfizer të administruara deri më tani në Australi, të cilat janë shpërndarë disa herë në data të ndryshme, e kanë kaluar këtë testim dhe janë certifikuar.
Australia nuk është vendi i vetëm që i bën këto kontrolle të çdo serie të vaksinave Pfizer (dhe të çdo prodhuesi tjetër).
Të njëjtin proces e bën edhe Маlajzia.
Në faqen e tyre zyrtare janë publikuar të gjitha seritë e vaksinave që kanë mbërritur tek ata, së bashku me certifikatat kombëtare që i kanë marrë. Në vazhdim keni një shembull të një certifikate që konfirmon se vaksinat Pfizer në këtë seri përputhen me standardet kombëtare të sigurisë dhe efikasitetit.
“Vërtetmatësi“ ka shkruar tashmë për rrugën që duhet ta bëjnë vaksinat kundër Kovid-19 në vend sa i përket procedurave administrative dhe kontrolleve të cilat i zbaton MALMED.
Në fund, do theksojmë se videoja pretendon se seri të ndryshme të vaksinës së Pfizer kanë përbërje të ndryshme dhe se ka një përqindje më të lartë të pacientëve që vdesin nga seri të caktuara të kësaj vaksine. Vaksina Pfizer është e njëjtë në të gjitha vendet, ajo prodhohet në procese të kontrolluara si nga qeveritë kombëtare ashtu edhe nga rregullatorët ndërkombëtarë, si dhe nga vetë prodhuesi. Sistemi VAERS nuk duhet të përdoret si tregues për përllogaritjen e shkallës së vdekshmërisë nga vaksinat, ose si një tregues i rrezikut nga një vaksinë. Duke pasur parasysh të gjitha këto, postimin e vlerësojmë si të pavërtetë.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari