Nuk është e vërtetë që së shpejti vaksinimi do të ndërpritet në mbarë botën
Njoftimet aktuale nga organet rregullatore shëndetësore botërore nuk sugjerojnë asnjë ndërprerje apo reduktim të përdorimit të vaksinave kundër Kovid-19. Nga video e shfaqur në tekst nuk mund të verifikohet as identiteti i folësve dhe as adresa nga vjen thirrja. Video të tilla mund të fabrikohen lehtësisht me programet ekzistuese për redaktim të video dhe audio materialeve, megjithëse nuk mund të vërtetohet se është bërë një gjë e tillë. Nëse një profesionist mjekësor ka një qëndrim kundër vaksinimit, ky është një qëndrim personal i tiji dhe nuk mund të thuhet, siç pretendohet në video, se bëhet fjalë për “shkaqe mjekësore”. Mjekësia moderne vazhdon të mbajë anën e vaksinave si mbrojtje kundër Kovid-19, pra nga hospitalizimi dhe format e rënda të sëmundjes, shkruan Vërtetëmatësi.
Рo recenzojmë një postim në Facebook në të cilin është ndarë një tekst nga faqja “Kolovrt”, me një titull bombastik: “Video virale! Mjekja i thotë një pacienti të mos vaksinohet sepse së shpejti vaksinimi do të ndërpritet në të gjithë botën!”
Nga teksti në video, duket qartë se bëhet fjalë për një bisedë telefonike, e regjistruar mes dy femrave, identiteti i të cilave nuk dihet. Në video shihet se në telefonin e gruas që po regjistron, në ekran shfaqet edhe numri i telefonit, i cili sipas portalit që ka publikuar lajmin është i spitalit “St. Richards Hospital” në Angli.
Është e vërtetë, në internet ka informacion sipas të cilit numri i telefonit figuron të jetë i këtij spitali. Por ajo që nuk mund të vërtetohet është nëse kjo video është e montuar, kush flet në të dhe nëse personi në fjalë vërtet është mjek. Në disa komente për këtë numër telefoni shkruhet se nga ai nuk mund të bëhen telefonata, çka është e dyshimtë nëse vërtet bëhet fjalë për një spital. Përveç faktit që nuk mund të verifikohet qind për qind nëse telefonata është nga spitali, nuk mund të verifikohet as nëse telefonata është ndërmjet pacientes dhe mjekes. Mund të jetë një bisedë telefonike midis dy grave!
Për çfarë po flasin në atë bisedë telefonike? Mjekja e supozuar thotë se së shpejti vaksinat do të ndërpriten dhe e këshillon pacienten e supozuar që të mos pranojë një dozë përforcuese të vaksinës. Ajo thotë se deri më tani nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm, sidomos për të rinjtë me imunitet të fortë, por tani ato po bëhen të disponueshme.
Dhe shumë shpejt, të gjitha vaksinat do të ndërpriten plotësisht. Ky informacion sapo ka dalë dhe nuk do ta dëgjoni edhe për ca kohë në TV, sepse është një histori e gjatë, por… Njerëzit nuk e dinë këtë, thotë gruaja bashkëbiseduese në telefonatë.
Mjekja më pas e këshillon pacienten që të mos lejojë motrën e saj të marrë një dozë përforcuese të vaksinës.
Por, nga kjo video nuk mund të nxirret asnjë dëshmi se personi që flet është mjek. Nuk ka asnjë dëshmi që vaksina do të tërhiqet nga përdorimi. Përkundrazi, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se pandemia është larg përfundimit dhe bën thirrje për një shpërndarje më të drejtë të vaksinave.
Bashkimi Evropian kah fundi i vitit 2021, porositi 180 milionë doza të vaksinës kundër Kovid-19 pikërisht para fillimit të përhapjes së llojit Omikron.
Edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 ka porositur 500 mijë doza të vaksinës “Pfizer” prej të cilave 10 mijë për fëmijë. Ky vendim u mor më 14 dhjetor të vitit 2021.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga 11 janari i këtij viti tregojnë se vaksina nuk do të tërhiqet sepse siguron mbrojtje kundër vdekjes dhe formave të rënda të sëmundjes.
Me vaksinat që kemi në dispozicion kundër Kovid-19, fokusi vazhdon të mbetet në zbutjen e formave të rënda të sëmundjes dhe në uljen e vdekshmërisë, si dhe në mbrojtjen e sistemeve shëndetësore. Vaksinat e miratuara nga OBSH ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjeve të shkaktuara nga llojet shqetësuese. Për llojin Omikron, profili i mutacionit dhe të dhënat paraprake tregojnë se efikasiteti i vaksinës sa i përket sëmundjes simptomatike të shkaktuar nga lloji Omikron do të bjerë, por mbrojtja kundër formave të rënda të sëmundjes ka më shumë gjasa të mbetet. Megjithatë, nevojiten më shumë informacione mbi efektivitetin e vaksinës, veçanërisht sa i përket hospitalizimit, formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjes. Prandaj, mbështesim shpërndarjen urgjente dhe të gjerë të vaksinave aktuale kundër Kovid-19 tek grupet prioritare të qytetarëve në mbarë botën, për të krijuar mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes dhe vdekshmërisë globalisht dhe në plan afatgjatë, për të parandaluar llojet e reja shqetësuese duke i reduktuar infeksionet. Praktikisht, edhe pse disa vende do të rekomandojnë doza përforcuese për vaksinimin, prioriteti për botën është që të përshpejtohet menjëherë aksesi në vaksinimin parësor, veçanërisht për ata që janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar një sëmundje të rëndë”, thuhet në kumtesën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nga kjo del se vaksinat jo vetëm që nuk do të tërhiqen, por edhe që inkurajohet shpërndarja e tyre sa më e shpejtë për të parandaluar format e rënda të sëmundjes dhe vdekjen.
Drejtori i Pfizer, Albert Burla, paralajmëroi se deri në muajin mars do jetë gati vaksina kundër llojit Omikron.
Nga Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve thonë se vaksinat aktuale pritet që të ofrojnë mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjes nga infeksioni me Omikron. Por ka mundësi që të infektohen edhe njerëzit e vaksinuar dhe ato që e kanë kaluar sëmundjen.
Sa i përket llojeve të tjera, si delta, vaksinat janë efektive në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjes. Shfaqja e llojit Omikron e thekson edhe më shumë rëndësinë e vaksinimit dhe pranimin e dozave përforcuese, shkruan në uebfaqen e organit rregullator amerikan.
Ata shtojnë se vaksinat mbeten masa më e mirë publike për të mbrojtur njerëzit nga Kovid-19, përhapja e tij dhe për të zvogëluar mundësinë e shfaqjes së llojeve të reja. Vaksinat kundër Kovid-19 janë efektive në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes, shtrimit në spital dhe vdekjes. Shkencëtarët aktualisht po bëjnë hulumtime për llojin Omikron, për të parë se sa të mbrojtur janë personat e vaksinuar nga infeksioni, shtrimi në spital dhe vdekja.
Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve rekomandon që çdo person mbi moshën 5 vjeçare të mbrohet nga Kovid-19 me dy doza të vaksinës. Për personat mbi 16 vjet CDC rekomandon edhe dozë përforcuese, pas përfundimit të vaksinimit bazë me dy vaksina kundër Kovid-19.
Doza përforcuese mund të pranohet në SHBA, 5 muaj pas pranimit të dozës së dytë të Pfizer, 6 muaj pas vaksinës Moderna dhe 2 muaj pas vaksinës Jensen, thuhet në uebfaqen e CDC.
Për shkak të gjithë informacionit të mësipërm, pra për shkak të njoftimeve aktuale të rregullatorëve shëndetësorë botërorë, të cilët nuk sugjerojnë asnjë ndërprerje apo reduktim të përdorimit të vaksinave kundër Kovid-19, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që vaksinimi kundër Kovid-19 në botë së shpejti do të ndërpritet. Nga video e shfaqur në tekst nuk mund të verifikohet as identiteti i folësve dhe as adresa nga vjen thirrja. Video të tilla mund të fabrikohen lehtësisht me programet ekzistuese për redaktim të video dhe audio materialeve, megjithëse nuk mund të vërtetohet se është bërë një gjë e tillë. Nëse një profesionist mjekësor ka një qëndrim kundër vaksinimit, ky është një qëndrim personal i tiji dhe nuk mund të thuhet, siç pretendohet në video, se bëhet fjalë për “shkaqe mjekësore”. Mjekësia moderne vazhdon të mbajë anën e vaksinave si mbrojtje kundër Kovid-19, pra nga hospitalizimi dhe format e rënda të sëmundjes.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari