Nuk është e vërtetë që asnjë punonjës në Pfizer dhe Biontech nuk është vaksinuar kundër Kovidit

Фото: commons.wikimedia.org

Një deklaratë e Dr. Ugur Sahin, një nga themeluesit e kompanisë Biontech,  e dhënë kah fundi i vitit 2020, në postim është keqpërdorur për të pretenduar se punonjësit, pronarët dhe drejtorët e Pfizer dhe Biontech nuk janë vaksinuar. Kjo nuk është e saktë. Ugur Sahin dhe gruaja e tij Ozlem Tureci, gjithashtu themeluese e Biontek, në një intervistë të bërë në shtator të vitit 2021 thanë se ata ishin vaksinuar në janar të vitit 2021, si edhe punonjësit e Biontech. Drejtori i përgjithshëm i Pfizer, Albert Burla, u vaksinua plotësisht në mars të vitit 2021. Të gjithë punonjësit e Pfizer deri më 15 nëntor duhet të vaksinohen, përveç nëse kanë arsye mjekësore për të mos e bërë këtë, shkruan Vërtetmatësi.

Рo recenzojmë një postim në Facebook në të cilin thuhet se themeluesi i Biontech (kompanisë e cila bashkë me Pfizer e krijoi vaksinën mARN), Ugur Sahin, ka deklaruar se asnjë nga punonjësit në kompaninë e tij nuk e ka pranuar vaksinën.

Në postim gjithashtu thuhet se “asnjë punonjës në Pfizer nuk është vaksinuar me vaksinën e vet”, e pastaj thuhet edhe se:

Të gjithë personat që janë informuar për përmbajtjen e injeksioneve, ose të ashtuquajturave vaksina kundër koronavirusit të pretenduar Kovid-19, dhe veçanërisht punonjësit që prodhojnë ato, si dhe të gjithë politikanët, mjekët, gazetarët… që agjitojnë për vaksinim dhe që garantojnë për efikasitetin dhe sigurinë e supozuar të tyre normalisht nuk do të vaksinohen ose do të vaksinohen rrejshëm.

Kompania „Biontech“ u themelua në Gjermani në vitin 2008 nga shkencëtarët turko-gjermanë Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin. Biontech zhvillon barna aktive me një qasje specifike për pacientin për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Në vitin 2018, Biontech në bashkëpunim me Pfizer zhvilloi një vaksinë mARN për ta parandaluar gripin e derrit. Më vonë, vaksina e teknologjisë mARN e zhvilluar nga Pfizer dhe Biontech u bë vaksina e parë kundër Kovid-19, e cila mori miratim për përdorim emergjent nga OBSH më 31 dhjetor të vitit 2020.

Më 22 dhjetor të vitit 2020, Dr. Ugur Sahin në një intervistë për “Deutsche Welle” në pyetjen se pse ende nuk ka pranuar një vaksinë kundër Kovidit, deklaroi:

Në këtë moment ne ligjërisht nuk kemi leje të vaksinohemi. Sigurisht, ne mendojmë që duhet (të vaksinohen). Është më e rëndësishme që kolegët dhe partnerët tanë të vaksinohen. Qëllimi ynë është të prodhojmë mbi 1.3 miliardë doza deri në fund të vitit 2021 dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse vazhdojmë të punojmë çdo ditë pa asnjë ndërprerje. Duhet të kujdesemi që të mbrojmë kolegët dhe anëtarët tanë të ekipit nga infeksioni me Kovid-19, sepse kjo do të nënkuptonte ndërprerje, vonesa. Ne planifikojmë të prodhojmë vaksina si për punonjësit, ashtu edhe për partnerët korporativë dhe anëtarët e ekipit.

I pyetur se pse ligjërisht nuk i lejohet të vaksinohet, ai u përgjigj se nuk është në listën prioritare.

Ekziston një listë prioritare. Marrja e vaksinës jashtë asaj liste prioritare nuk është e lejuar. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ne dhe stafi ynë nuk kishim të drejtë të merrnim pjesë as në testimet klinike, sepse me ligj, njerëzit nga kompania nuk duhet të përfshihen në testime të tilla klinike, gjë që është në rregull. Por tani po përballemi me sfidën për të siguruar që kompania jonë mund të funksionojë dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje ligjore dhe të drejtë për këtë, theksoi ai.

Duam të përmendim se intervista  për “Deutsche Welle” është bërë në fund të vitit 2020, ndërsa postimi që po e recenzojmë një vit më vonë!

Kjo deklaratë nga fundi i vitit 2020 u keqpërdor në postim për të pretenduar në mënyrë të rreme se punonjësit, pronarët dhe drejtorët e Pfizer dhe Biontech nuk janë vaksinuar. Kjo nuk është e saktë.

Konkretisht, Ugur Sahin, themeluesi i Biontech, në një intervistë  të dhënë më vonë, në shtator të vitit 2021, konfirmoi se ishte ndër të parët që u vaksinua.

Jo vetëm ai, por edhe bashkëshortja e tij Ozlem Tureci është vaksinuar bashkë me punonjësit e Biontech. Të dy, siç thanë në një intervistë themeluesit e Biontech, janë vaksinuar në janar të vitit 2021, si edhe punonjësit e Biontech.

Edhe  artikuj  të publikuar në Reuters konfirmojnë se të gjithë punonjësve të Biontech iu është ofruar të vaksinohen vullnetarisht që në janar të vitit 2021, kur pjesa më e madhe e botës nuk kishte as akses në vaksinat!

Edhe Drejtori i përgjithshëm i Pfizer, Аlbert Burla, gjithashtu është vaksinuar plotësisht, me një dozë të dytë në mars të vitit 2021.

Të gjithë punonjësit  duhet të vaksinohen deri në 15 nëntor, përveç se nëse kanë shkaqe mjekësore për të mos e bërë këtë gjë.

Sa i përket  politikanëve  dhe gazetarëve, ata u vaksinuan publikisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa një pjesë e tyre edhe në Serbi.

Prandaj, vlerësojmë se nuk janë të vërteta pretendimet e bëra në postimin që po e recenzojmë se askush nga Pfizer dhe Biontech, si edhe as politikanët dhe gazetarët, nuk është vaksinuar.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari