Një pjesë e madhe e mediumeve ende janë të varura nga paratë publike

Фото: meta.mk

Financimi i mediave private me para publike është ende një problem i theksuar në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 dhe formimit të koalicionit politik, që e drejton vendin që nga viti 2017, u arrit marrëveshje dhe u premtua se një praktikë e tillë do të merrte fund. Kjo ndër të tjera thuhet në Raportin e “Metamorfozis” për reformat në sektorin mediatik me titull: Reformat në gjysmë të rrugës – vullneti politik herë është, herë nuk është”.

 

 

Koalicioni i fundit qeverisës (2008-2016), për një periudhë disa vjeçare, derdhi shuma të konsiderueshme të buxhetit në mediat private, kryesisht te radiodifuzuesit, nëpërmjet metodës së financimit të drejtpërdrejtë qeveritar, përmes pagesave për transmetimin e fushatave publike, të cilat qeveria vlerësonte se duhej t’i udhëhiqte. Shuma ka arritur në 38 milionë euro, sipas burimeve qeveritare, ndërsa vetëm pesë televizionet me koncesion me burime të kufizuara (tokësore), nga viti 2010-2017, kanë marrë 25 milionë euro nga ish-qeveria e Nikolla Gruevskit.

Koalicioni aktual qeverisës njoftoi dhe solli përfundim se Qeveria dhe pushteti lokal nuk duhet të shpenzojnë para për media në aspektin e reklamave politike, edhe atë në vitin 2017, dhe më pas iu qas synimit të qartë për ndryshimin e nenit 102 të Ligjit për ASHMAA, me të cilin diçka e tillë ishte ose duhej të përjashtohej.

Por, sikurse qeveria e kaluar e Gruevskit në vitin 2015 vendosi moratorium të reklamave qeveritare, dhe nuk e respektoi, edhe kjo qeveri e ndryshon qëndrimin. Fillimisht lejoi që paratë publike të përfundojnë në mediat private përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor në vitin 2018, përmes të cilit u vendos reklamimi politik me pagesë (RPP), më pas në vitin 2019 vendosi të reklamonte vetëm në rrjetet sociale, si Facebook, që në vitin 2021 disa herë të propozojë ndryshime në nenin 102 të ASHMAA-së dhe të lejojë fushata qeveritare me pagesë.

Në vitin 2021, mund të konstatohet se paraja publike në mediat private mbetet problem (i madh) në Maqedoninë e Veriut. Vetëm prej vitit 2018 deri në vitin 2021 janë shpenzuar dhjetëra milionë euro para buxhetore në mediat private, shumica e të cilave janë shpenzuar përmes RPP, gjatë kohës së referendumit të vitit 2018, zgjedhjeve presidenciale të 2019 dhe zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. “Metamorfozis” duke monitoruar këto situata në kuadër të projekteve të saj dhe platformave mediatike raportoi në detaje mbi këto procese.

Kjo praktikë është konstatuar edhe nga ekspertët në fokus-grupin për këtë raport. Ata janë të bindur se Qeveria po shkel konkluzionet e saj të vitit 2017, dhe dëshira për të ndryshuar nenin e 102 të ASHMAA (të cilin vetë qeveria e pranoi ta propozojë dhe ta inkorporojë në ligj), dhe që përmes RPP shkelet thelbi për të shmangur kapjen e mediave të lira – situatë kjo që u konstatua në raportin e parë të ekspertit të BE-së, Reinhard Priebe në vitin 2015.

Për këtë gjendje, në një farë mënyre kontribuojnë edhe vetë transmetuesit. Ata po përballen me rënie të vazhdueshme të të ardhurave nga tregu i reklamave, të cilat nga dhjetëra milionë euro deri para disa vitesh, në vitin 2020 kanë rënë në rreth 18 milionë euro (për transmetuesit), sipas analizës së ASHMAA. Analiza e tregut për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale 2020, thotë se në të gjithë industrinë e televizionit dhe radios në vend në vitin e 2020, të ardhurat nga reklamat e të gjithë transmetuesve arritën në 17,973,000 milionë euro, me çka dallimi i përgjithshëm mes të ardhurave dhe harxhimeve, shënon minus rreth 553 mijë euro. Sipas të njëjtit burim, në vitin 2020, vetëm në krahasim me vitin 2019, të ardhurat nga reklamat janë ulur me 20,78 për qind. Por, se nuk bëhet fjalë për vit të keq për shkak apo vetëm për shkak të pandemisë Covid-19, flet fakti se që nga viti 2016 ka rënie të vazhdueshme të të ardhurave të të gjithë transmetuesve nga mbi 47 milionë euro në 38.7 milionë euro në vitin 2020.

Kjo u reflektua në lobim formal dhe jonformal të përfaqësuesve të televizioneve dhe radiostacioneve komerciale në nivel qendror, rajonal dhe vendor ndaj pushtetit qendror dhe vendor, për të mbështetur operacionet financiare duke derdhur para publike në media mbi baza të ndryshme. Përveç RPP-ve, vërehet se në nivel rajonal dhe lokal njësitë e vetëqeverisjes lokale derdhin para edhe për mediat rajonale dhe lokale në formë të monitorimit të punës së vetëqeverisjes lokale. Këto para nuk janë të parëndësishme, duke pasur parasysh hulumtimin e bërë nga SHGM, i cili ka treguar se në një periudhë vetëm njëvjeçare, vetëm 43 nga 80 komunat që i përgjigjur pyetjes, deklaruan se kanë shpenzuar së paku 500 mijë euro për mediat lokale dhe rajonale në forma te ndryshme.

Duke parë gjithë situatën, duhet pasur parasysh se nuk ka të dhëna se sa për mediat, në forma të ndryshme, përfshirë reklamat apo fushatat, harxhojnë ndërmarrjet publike, veçanërisht kompanitë që kanë statusin e shoqërive aksionare shtetërore, ose kompanitë ku pjesëmarrja e pronësisë shtetërore është e rëndësishme, si për shembull “Telekomi i Maqedonisë”.

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.