Një onkolog i vetëshpallur, pa asnjë provë, pretendon se vaksinat kundër COVID-19 shkaktonin ‘turbo kancer’ te gratë

Army Spc. Angel Laureano holds a vial of the COVID-19 vaccine, Walter Reed National Military Medical Center, Bethesda, Md., Dec. 14, 2020. (DoD photo by Lisa Ferdinando)

Studimet nuk kanë gjetur një lidhje midis vaksinimit dhe rrezikut të limfomës. Studime të gjera kanë treguar se pacientët me kancer janë në rrezik të lartë për ndërlikime nga Covid-19. Studiues të pavarur e kanë vlerësuar Makis si një promovues të shpeshtë të dezinformatave, veçanërisht në lidhje me vaksinat e Covid dhe lidhjen e tyre të supozuar me kancerin.

 

Po analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:

DR. MAKIS: Gratë e reja që janë vaksinuar kundër Covid po zhvillojnë kancer turbo të gjirit.

Postimi ndan gjithashtu një artikull që pretendon se Dr. William Makis është një onkolog që drejton një klinikë në Kanada që trajton kancerin me ilaçe antiparazitare. Sipas pretendimeve të tij, për të cilat as postimi dhe as artikulli nuk ofrojnë ndonjë provë apo fakt relevant mjekësor, gratë e reja të vaksinuara kundër Covid zhvillojnë forma jashtëzakonisht agresive të kancerit të gjirit.

Këto janë gra në të 20-at, 30-at dhe 40-at e tyre të cilat, pasi kanë marrë vaksinat kundër COVID-19 nga Pfizer ose Moderna, po zhvillojnë kancer në fazën e tretë ose të katërt. Ky është një fenomen që nuk e kemi parë më parë. Ky fenomen quhet “turbo kancer”, thekson artikulli. 

Dr. William Makis e paraqet veten si radiolog, onkolog dhe studiues të kancerit që ka punuar në Kanada. Sipas faqes së tij të internetit, ai ofron protokolle “alternative” të trajtimit të kancerit me ilaçe antiparazitare (si ivermectina, mebendazoli, fenbendazoli), të cilat nuk mbështeten në shkencë dhe mjeksi.

Në paraqitjet e tij publike, ai ka bërë pretendime se vaksinat COVID-19 shkaktojnë “kancere turbo” – kancere agresive dhe me rritje të shpejtë te gratë e reja – të cilat gjithashtu nuk mbështeten nga të dhënat shkencore.

Hulumtuesit e pavarur e kanë vlerësuar Makis si një promovues të shpeshtë të dezinformatave, veçanërisht në lidhje me vaksinat COVID-19 dhe lidhjen e tyre të supozuar me kancerin.

Një mjek që kohët e fundit ka filluar të promovojë idenë e “turbokancerit” është Dr. William Makis, një radiolog i mjekësisë bërthamore i cili shpesh e paraqet veten si një “onkolog”, shkruhet në punimin e tyre kërkimor nga Sciencebasedmedicine.

Në shtator 2025, Kolegji i Mjekëve dhe Kirurgëve të Albertës (CPSA), i cili është rregullatori i mjekëve në provincën e Albertës në Kanada dhe është përgjegjës për mbikëqyrjen e praktikës mjekësore, njoftoi se William Mackies nuk kishte licencë për të ushtruar mjekësi në Alberta.

Në një seancë dëgjimore të CPSA-së të mbajtur më 15 gusht 2025, një urdhër i përkohshëm u dha kundër Z. Makis nga Gjykata Mbretërore e Albertës. Sipas kushteve të urdhërit të përkohshëm, Z. Makis:

I ndalohet të përfaqësojë ose të nënkuptojë se ka licencë për të ushtruar mjekësi në Alberta.

I ndalohet të ofrojë ndonjë shërbim të kujdesit shëndetësor për publikun, duke përfshirë (por pa u kufizuar në) ofrimin ose dhënien e këshillave ose konsultimeve në lidhje me trajtimin e kancerit.

I ndalohet të përdorë titullin mjek, onkolog, shkurtesën Dr. dhe çdo titull, shkurtesë ose inicial të listuar në Seksionin 2, Shtojca 21 e Aktit të Profesioneve Shëndetësore, në lidhje me ofrimin e një shërbimi të kujdesit shëndetësor. Z. Makis u urdhërua gjithashtu të hiqte të gjitha titujt ose shkurtesat e tilla nga platformat e tij të mediave sociale, sipas faqes së internetit të CPSA-së. 

Në deklaratën e tyre, CPSA shtoi:

Z. Makis nuk ka pasur një licencë aktive me CPSA-në që nga shkurti i vitit 2019, dhe ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar për raportet se Z. Makis po përfaqëson veten si mjek në lidhje me praktikën e mjekësisë, duke përfshirë dhënien e opinioneve mjekësore, këshillave dhe konsultimeve. Termi “mjek” konsiderohet një titull i mbrojtur sipas Aktit të Profesioneve Shëndetësore.

Prandaj, pikëpamjet e këtij onkologu të vetëshpallur duhet të merren me rezerva.

Për më tepër, artikulli që po analizojmë pohon gjithashtu se mediat në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar më në fund kanë pranuar se ka një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të grave të reja që zhvillojnë kancer gjiri jashtëzakonisht agresiv dhe se ky trend është në rritje, domethënë se mediat e mohonin këtë deri vonë, në dy javët e fundit.

Vërtetmatësi nuk ka qenë në gjendje të gjejë asnjë media të besueshme dhe serioze në Shtetet e Bashkuara, Kanada ose Mbretërinë e Bashkuar që të ketë njoftuar në dy javët e fundit se është zbuluar një rritje e papritur e kancerit agresiv të gjirit tek gratë e reja për shkak të vaksinave Covid.

Nëse një gjë e tillë do të ishte zbuluar vërtet, sigurisht që do të kishte qenë lajmi kryesor në të gjitha mediat botërore dhe vendase, por nuk ka diçka të tillë.

Sa i përket pretendimit se vaksinat Covid shkaktojnë kancer turbo, kjo nuk është provuar mjekësisht. Vërtetmatësi ka shkruar për këtë temë në disa raste.

Ndryshe nga pretendimet në postim, faktet tregojnë se vaksinat kundër Covid-19 nuk shkaktojnë kancer.

Vaksinat kundër COVID-19 kanë efekte anësore afatshkurtra dhe kalimtare, të tilla si lodhje dhe dhimbje në vendin e injektimit, të cilat në përgjithësi mund të ndodhin te njerëzit me dhe pa kancer. Deri më tani, nuk ka prova që vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë kancer ose përkeqësojnë kancerin tek njerëzit që tashmë e kanë atë.

Vaksinat kundër COVID janë testuarstudime të mëdha klinike që kanë ndihmuar në përcaktimin e efekteve të tyre anësore më të zakonshme, dhe studimet nuk kanë treguar një lidhje midis vaksinimit dhe kancerit. Sistemet e monitorimit të sigurisë do të monitorojnë efektet anësore të ardhshme sapo vaksinat të bëhen të disponueshme gjerësisht. Edhe pse këto studime klinike nuk përfshinin shumë njerëz me kancer, studiuesit kanë vazhduar të monitorojnë efektet në këtë grup njerëzish.

Pfizer, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave i thanë Lead Stories se monitorimi i tyre nuk ka gjetur një lidhje shkakësore ose sinjal sigurie që lidhet me kancerin e shoqëruar me vaksinat kundër COVID-19.

Studimet nuk kanë gjetur një lidhje midis vaksinimit dhe rrezikut të limfomës. Studime të gjera kanë treguar se pacientët me kancer janë në rrezik të lartë për ndërlikime nga COVID-19.

Duke pasur parasysh të gjitha faktet e mësipërme, ne besojmë se njoftimi që po analizojmë është i rremë.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.