Një “lajm” dezinformues për rrjetin 5G!

Rrjeti 5G, term që për shumicën është kaq abstrakt dhe i pakapshëm, pa u sqaruar siç duhet, ka zënë një hapësirë të madhe të (dez)informimit te portalet. Në këtë recension, për bazë është marrë një tekst që nuk përmban as lajm, nuk ka asnjë informacion, nuk ka asnjë strukturë dhe nuk na thotë asgjë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Maqedoni/ A1 ka nisur montimi i antenave 5G! Na morët n’qafë Ooo Qeveri!

Data e publikimit: 12.04.2020

Data e recensionit: 14.04.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Titull shumë intrigues që konstaton, komenton… Kjo nuk është e zakonshme për lajmet. Kurioziteti shtyn publikun më tej por asgjë më shumë nuk ofron as teksti; emra, komente, subjektivitet dhe shumë gabime drejtshkrimore. Me një gjuhë që nuk është një gjuhë e zakonshme e shkrimit të një lajmi, brenda tij shkruhet:

“A1 Po ka nisur montimi i Antenave 5G
na murët n’qaf OJ Qeveri e RVM kësaj i thuajn vrasje për të gjith ne. ?
Kadir Zeqiri
Tadina Tosuni A neWs24
Tani kjo punë po ndodhë, por askush nuk mund me thënë se ku qëndron problemi i 5G
Është çështje biznesi i fuqive të mëdha ose vërtetë ky lloj instalimi, kjo fuqi në 5G dëmton shëndetin e njeriut! “– shkruan në tekstin që e recensojmë.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka akoma rrjet 5G

Rrjeti 5G është gjenerata e pestë e rrjetit të celularëve. Është një standard i ri global i valëve pas zhvillimit në faza të 1G, 2G, 3G dhe 4G. Në tetor të vitit 2019 (A1) dhe në nëntor të vitit 2019 (Telekomi i Maqedonisë), operatorët celular testuan rrjetin e parë 5G në qendër të Shkupit. Testime të tjera do të bëhen brenda këtij viti dhe në bazë të tyre, është njoftuar që rrjeti do të vendoset në përdorim. Qëllimi është që kjo të arrihet deri në vitin 2023. Dmth. se, për momentin, ky rrjet nuk është në përdorim.

Supozojmë…

Në përpjekje për ta kuptuar sado pak tekstin e këtij “lajmi” dhe qëllimin e autorit, na mbetet të supozojmë se emrat e shënuar janë komentuesit të cilët kanë shkruar diku qëndrimet e tyre, më vonë, të bëra “copy-paste” nga media. Nuk është sqaruar kush janë këto persona, cila është lidhja e tyre me operatorin A1 dhe me rrjetin 5G, cilat janë njohuritë e tyre… Përveç këtyre sqarimeve të patjetërsueshme, autori duhet të kishte marrë edhe qëndrimin e kompanisë A1, si palë e dytë në lajm.

Duke shfrytëzuar si avantazh mungesën e dëshmive të kundërta, autori ka synuar manipulimin e publikut. Efekti i paqartësisë, në këtë tekst, bën pjesën e tij për të hutuar lexuesit. Sqarimi i këtyre dy teknikave bëhet në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Gjuha e gazetarit duhet të jetë e thjeshtë me qëllim që të kuptohet nga të gjithë. Jo të gjithë lexuesit janë ekspertë të teknologjisë dhe inxhinierë të pajisjeve teknologjike për ta kuptuar se çfarë dëmi mund të shkaktojë rrjeti 5G. Me shumë gjasë detajet nuk i din as gazetari prandaj duhet të flasin kompetentët dhe të sqarohet mirë për opinionin. Në mungesë të informacioneve që është dashur të sigurojë autori i tekstit, lexuesit i lihet hapësira të supozojë për të vërtetën. Kjo nuk guxon të ndodhë. Autori, në një lajm profesional, i ofron të gjitha palët dhe dëshmitë në mënyrë të balancuar dhe lexuesit vendosin se cilën anë duan të mbajnë dhe kujt i japin të drejtë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Projekti “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. Kjo ueb-faqe crithink.mk është krijuar dhe mirëmbahet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e kësaj ueb-faqeje janë përgjegjësi vetëm e Fondacionit Metamorfozis dhe e Eurothink, dhe nuk i shprehin domosdoshërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Your email address will not be published.