Një intervistë plot dezinformata përhap të pavërteta në lidhje me koronavirusin dhe vaksinat

Фото: Принтскрин видео

Intervista me Gordana Goxhon është plot me të pavërteta në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe vaksinat kundër tij. Studimet të cilave u referohet Goxho nuk kanë bazë shkencore dhe bazohen në deklaratat e bëra nga vetë autorët. Implikimet se maskat nuk mbrojnë nga Kovid-19 dhe se vaksinat kundër Kovid-19 janë të dëmshme mund ta dëmtojnë shumë procesin e imunizimit si e vetmja rrugëdalje nga pandemia që tashmë ka marrë miliona jetë në të gjithë botën, shkruan Vërtetëmatësi.

Portali Faktor pak kohë më parë (02.09.2021), publikoi një intervistë me Gordana Goxho, e njohur në publik si antivaksere dhe si person që është kundër masave për mbrojtje nga Kovid -19.

Në intervistë Goxho thotë së ekziston ilaç kundër koronavirusit dhe se nuk ka nevojë që njerëzit të vaksinohen me, siç thotë ajo, vaksinat eksperimentale kundër koronavirusit.

„Vërtetmatësi“ deri më tani disa herë i ka zbardhur (dez)informatat të cilat Goxho i përmend në intervistë, e të cilat tashmë disa herë i ka publikuar dhe i ka thënë publikisht në profilin e saj në Facebook. Në këtë analizë do të përqendrohemi tek ato të cilat para së gjithash i referohen virusit Sars-CoV-2 dhe vaksinave kundër tij.

VAKSINAT NUK JANË EKSPERIMENTALE

Në fillim Goxho thotë se vaksinat kundët Kovid-19 „nuk kanë statusin e vaksinave, por janë një injeksion eksperimental“. Kjo nuk është e vërtetë.

Vaksinat kundër Kovid-19 nuk janë eksperimentale dhe prodhimi i tyre ka kaluar nëpër disa teste rigoroze për siguri dhe efikasitet me të cilat u dëshmua se ato janë efikase kundër koronavirusit. Pas miratimit nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) si dhe organet rregullatore nacionale, të gjitha vaksinat duhet të kalojnë nëpër tre faza të testimeve klinike. Testimet klinike vërtetojnë sigurinë e vaksinave për përdorim nga persona me sëmundje të ndryshme, por edhe efikasitetin kundër virusit. Rezultatet e testimeve klinike pastaj revidohen nga shkencëtarë të pavarur për të siguruar rregullshmërinë e të dhënave.

Testimet në fazën e tretë dhe aplikimi i tyre në botë konfirmuan se vaksinat janë shumë efikase në parandalimin e simptomave të rënda. Në vazhdim mund ta shihni efikasitetin e të gjitha vaksinave të aplikohen në RMV, sa i përket sëmundjes simptomatike me Kovid-19:

  • Pfizer – Biontec – 95 %
  • Oxford – AstraZeneca – 63 %
  • Sinovac – 51 %
  • Sputnik V – 92 %
  • Sinopharm – 79 %

Ekspertët thonë se një vaksinë me një efikasitet prej 50% është e mjaftueshme për ta vënë nën kontroll pandeminë. Gjithashtu, deri në 30 qershor, rreth 99% e personave që e kanë humbur jetën në SHBA si pasojë e sëmundjes me Kovid-19, kanë qenë të pavaksinuar.

OBSH vazhdon ta monitorojë aplikimin e vaksinave kundër Kovid-19 si dhe të japë përgjigje në çdo pyetje që ka të bëjë me ato. Kjo na jep siguri se vaksinat janë të sigurta për përdorim. OBSH vazhdimisht thekson se përfitimet nga vaksinat i tejkalojnë rreziqet. Ekspertët shëndetësorë në mbarë botën janë të një zëri se rreziqet e mundshme të vaksinave kundër Kovid-19 i tejkalojnë të gjitha rreziqet nga përdorimi i tyre.

Agjencia për ushqimin dhe barnat (FDА) e SHBA dha një miratim të plotë të vaksinës „Pfizer“ për personat mbi 16 vjet.

Publiku mund të jetë shumë i sigurt se kjo vaksinë i plotëson standardet e larta të efikasitetit të sigurisë dhe cilësisë së prodhimit të cilat i kërkon FDA për një produkt të miratuar, tha komisionerja i FDA Janet Woodcock.

VAKSINAT MBROJNË

Në vazhdim Goxho duke e komentuar vaksinën kundër Kovid-19 thotë se ajo „as nuk do më mbrojë, e as nuk do krijojmë imunitet kolektiv. Këtë e thonë disa shkencëtarë…“. Nuk është e vërtetë se vaksina nuk mbron, dhe këtë tashmë e kanë vërtetuar shumë mjekë të huaj dhe vendas.

Edhe sikur të infektohen me Kovid-19, personat e vaksinuar nuk do kenë pasqyrë të rëndë klinike. Ato shumë rrallë zhvillojnë komplikime të rënda nga sëmundja. Të gjitha vaksinat mbrojnë nga format e rënda të sëmundjes dhe nga vdekja, dhe këtë e dëshmojnë edhe statistikat në Maqedoni. Vaksinimi masovik është i nevojshëm për të arritur një përqindje më të madhe të të imunizuarve në nivel shtetëror, me çka ose do të krijohet imunitet kolektiv ose së paku do i pamundësohet virusit që të përhapet në mënyrë të pakontrolluar dhe të shkaktojë pasoja të rënda dhe vdekje tek segmentet më vullnerable të popullatës.

Siç thonë një numër i madh i ekspertëve mjekësorë, koronavirusi mund të përhapet në mesin e personave të pavaksinuar, gjë që do mundësojë një mutacion të ri të virusit. Mënyra e vetme për ta parandaluar këtë është vaksinimi i një numri sa më të madh të qytetarëve.

Klinika Mayo në SHBA, në mënyrë të detajuar shpjegon gjithçka për imunitetin kolektiv nga Kovid-19.

Imuniteti kolektiv arrihet kur një numër i madh i njerëzve në një vend (shoqëri) bëhen imunë ndaj një sëmundjeje, gjë që zvogëlon shanset e transmetimit të sëmundjes nga një njeri tek një tjetër. Si rezultat, e gjithë shoqëria mbrohet, jo vetëm ata që janë imunë. Zakonisht një përqindje e popullsisë duhet të jetë në gjendje të kontraktojë sëmundjen në mënyrë që ajo të përhapet. Ky njihet si proporcioni kufitar. Kur përqindja e popullsisë që është imune ndaj sëmundjes është më e madhe se ajo që nuk është imune, atëherë sëmundja do të shuhet. Ky quhet kufiri i imunitetit kolektiv. Sa përqind e njerëzve duhet të jenë imunë për të arritur imunitetin kolektiv dallon në varësi të sëmundjes. Sa më ngjitëse të jetë sëmundja, aq më e madhe duhet të jetë përqindja e popullsisë që duhet të jetë imune ndaj sëmundjes në mënyrë që të ndalohet përhapja e saj. Ekzistojnë dy mënyra kryesore për të arritur imunitet kolektiv ndaj Kovid- 19 , me infeksion ose me vaksinim, shpjegojnë nga Klinika Mayo.

VAKSINAT NUK PËRMBAJNË FETUSË TË ABORTUAR

Duke folur për përbërjen e vaksinave kundër Kovid-19 Goxho thotë:

Disa nga vaksinat përmbajnë alumin, disa zhivë, të rejat MRC-5, që janë qeliza nga mushkëritë e fetusëve meshkuj të abortuar në javën e 14. Disa vaksina prodhohen nga veshkët e majmunëve, të tjera nga embrionë të pulave. Pse të pranoj substanca të tilla dhe pse të lejoj që ADN e huaj të ndikojë te e imja?

„Vërtetmatësi“ deri më tani disa herë ka shkruar se vaksinat kundër Kovid-19  nuk përmbajnë fetus të abortuar, as veshkë të majmunëve e as embrionë të pulave. Gjithashtu, nuk është e vërtetë se vaksinat kundër Kovid-19  e ndryshojnë ADN-në tuaj.

Përbërja e vaksinave kundër Kovid-19 të cilat aplikohen në Maqedoni është publikuar në uebfaqen „kovid19vakcinacija.mk“ ku çdo person mund të shohë se çfarë përmbajnë vaksinat dhe çfarë efektesh anësore shkaktojnë.

Nëse e vizitoni faqen zyrtare të internetit të „Pfizer”, do të shihni që vaksina e tyre përmban mARN, lipide, polietilen glikol, fosfokolinë, kolesterol, klorur kaliumi, fosfat kaliumi monobazik, klorur natriumi, dihidrat natriumi dibazit dihidrat dhe saharozë. Askund nuk përmenden „fëmijët e abortuar”, pra nuk thuhet se vaksina përmban fetus të abortuar.

Vaksina mARN është një transportues i kodit gjenetik të ARN-së. Kjo do të thotë që mARN e përdor vetëm kodin gjenetik të virusit. Vaksina mARN injektohet në trup dhe përbërësit hyjnë në qeliza „dhe ju japin atyre urdhër” për të filluar prodhimin e antigjeneve. Këto antigjene njihen nga sistemi imunologjik dhe i përgatisin qelizat për të luftuar koronavirusin SARS-CoV-2.

Le të shohim përbërjen e vaksinës Astra-Zeneca. Informacionet për atë se çfarë përmban vaksina kundër Kovid-19 mund të gjenden në uebfaqen e Universitetit të Oksfordit dhe në uebfaqen zyrtare të Qeverisë Britanike.

Substanca aktive në vaksinën e „Astra-Zeneca” kundër Kovid-19 është bërë nga një adenovirus i modifikuar që shkakton ftohje tek shimpanzetë. Virusi është modifikuar në mënyrë që të mos shkaktojë infeksion dhe shërben për transportimin e kodit gjenetik për proteinën e koronavirusit, thuhet në shpjegimin e dhënë nga Universiteti i Oksfordit.

Në uebfaqen e Universitetit është shpjeguar mënyra se si adenovirusi përdoret në prodhimin e vaksinës.

Procesi i prodhimit të vaksinës përfshin prodhimin e një virusi, adenovirusit, që bart material gjenetik tek qelizat e trupit. Për prodhimin e atij virusi në laborator nevojitet një linjë qelizore e „nikoqirit”. Për disa vaksina, për këtë proces përdoren qelizat e pulës, dhe për të tjera, qelizat e njeriut.

Vaksina e AstraZeneca përdor një linjë qelizore të quajtur HEK-293

HEK-293 është një emërtim i cili u jepet linjave të caktuara qelizore që përdoren për qëllime të ndryshme shkencore. Qelizat origjinale janë marrë nga veshka e një fetusi të abortuar ligjërisht në vitin 1973. Qelizat HEK-293 që përdoren sot janë klone të atyre qelizave origjinale, por ato vetë nuk janë qeliza të një fetusi të abortuar.

Pra në këtë vaksinë ka një adenovirus të modifikuar që shkakton ftohje tek shimpanzetë. Vaksina nuk përmban qeliza gjenetikisht të modifikuara të veshkave nga foshnjat e abortuara, por klone të qelizave origjinale të një fetusi të abortuar ligjërisht nga vitet 1970.

Vaksina AstraZeneca, si edhe vaksina Pfizer, ka përbërës që janë të zakonshëm në vaksinat, si saharoza dhe rregullatorët e aciditetit siç janë histidina dhe kripërat e natriumit dhe kaliumit, thuhet në faqen zyrtare të Universitetit të Oksfordit. Vaksina gjithashtu përmban disa përbërës joaktivë si polisorbat 80, emulgatorë dhe një sasi shumë të vogël alkooli (0.003 mg për dozë). Në vaksinë mund të gjenden edhe gjurmë të magnezit (3 deri në 20 pjesë për milion).

Informacione për vaksinat kineze „Sinopharm“ dhe „Sinovac“ mund të lexohen në uebfaqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

„ILAÇI ÇUDIBËRËS“

Në vazhdim Goxho thotë se eksziston një ilaç që mund koronavirusin, duke u thirrur në protokollin për trajtim të Dr. Vlladimir Zelenko, një mjek familjar amerikano – ukrainas me mbi njëzet vjet përvojë, i cili përpiloi të ashtuquajturin Protokoll Zelenko për trajtimin e Kovidit, mjaft i suksesshëm në fazat e hershme të sëmundjes.

Ai thotë se 85% e pacientëve shërohen me ndihmën e protokollit të tij i cili bazohet në përdorimin e hidroksilklorinës, zinkut dhe azitromicinës (në vendin tonë të njohur si sumamed), dhe në varësi të fazës së sëmundjes, shtohen edhe doza të ndryshme të vitaminës C dhe D. Ai ka trajnuar 100 mjekë që e praktikojnë protokollin dhe bashkë me ekipin e tij kanë shëruar 6.000 njerëz. Ndërkohë që më gjerë, me zbatimin e protokollit të tij janë shëruar miliona, përfshirë këtu Presidentin amerikan Donald Trump, Julie Rudianin, ministrin e shëndetësisë të Izraelit, presidentin brazilian dhe të tjerë. Studimi i tij është bazë për 200 studime të tjera mbi hidroksilklorinën. Aktualisht ka 340 studime që dëshmojnë se hidroksilklorina shëron, nga të cilat 248 janë recenzuar. Pra, nuk ka nevojë për vaksinë, thekson Goxho në intervistë.

Kjo nuk është hera e parë që përhapen dezinformata se kombinimi i hidroksilklorinës, zinkut dhe azitromicinës është çudibërës dhe që shëron nga Kovid-19. Ky kombinim çudibërës nuk lidhet vetëm me emrin e Dr. Zelenkos.

Studimit të virusologut francez Didie Raul, për të cilin në mars të vitit 2020 shumë media në botë shkruan që ka zbuluar një kombinim të barnave që e vrasin koronavirusin, shërbimi malazez kundër dezinformatava Raskrinkavanje.me i ka bërë një vlerësim të detajuar dhe ka arritur në përfundimin se bëhet fjalë për dezinformatë.

Shkas për analizën ka qenë publikimi në një portal në gjuhën serbe me titull „Një profesor francez ka gjetur ilaç për koronën?”

Raul ka ndezur polemika duke pretenduar se kombinimi i hidroksilklorinës dhe azitromicinës – i pari një ilaç kundër malaries dhe i dyti një antibiotik – shëron nga Kovid -19.

Nga „Raskrinkavanje.me“ duke përcjellë analiza të shërbimeve të tjera kundër dezinformatave, thonë se rezultatet nuk janë aq spektakolare, se studimi është bërë tek një mostër e vogël dhe jo përfaqësuese, se nuk është recenzuar nga shkencëtarë të tjerë dhe se nuk ka asnjë grup kontrollues në bazë të të cilit do vlerësohen rezultatet. Përveç kësaj, shumë shkencëtarë nga e gjithë bota i kanë kundërshtuar pretendimet e virusologut francez, kështu që pretendimi se është zbuluar ilaç për Kovid-19 mbetet një dezinformatë, shkruan shërbimi malazez.

Si dezinformatë u vlerësua edhe „Zbulimi” i Dr. Zelenkos (i cili gjithashtu u bë i njohur në mars të vitit 2020) sipas të cilit përzierja e këtyre tre përbërësve shëron me sukses Kovid-19. „Politika.еstadao.kom.br“ vlerësoi se studimi i Zelenkos, sipas të cilit kombinimi i hidroksiklorinës dhe azitromicinës vepron kundër Kovid-19 nuk ka bazë shkencore, nuk është botuar në asnjë revistë mjekësore dhe se dëshmia e vetme për ekzistencën e tij janë deklaratat e autorit të tij.

Me të njëjtin vlerësim doli edhe faqja për verifikimin e fakteve „Snoups“.

KORONAVIRUSI NUK PËSON MUTACIONE PËR SHKAK TË TË VAKSINUARVE

Në intervistë Goxho gjithashtu e përmend edhe Robert Malone-in dhe thotë:

Shpikësi i teknologjisë mARN thotë se mutacioni delta dhe të gjitha mutacionet e tjera burojnë pikërisht nga të vaksinuarit.

Nuk është e vërtetë se personat e vaksinuar janë shkaku i mutacioneve të reja të virusit dhe „Vërtetmatësi“ tashmë i ka zbardhur këto pretendime.

E para, Robert Malone nuk e ka shpikur vaksinën mARN. Si edhe për shumë teknologji të tjera, zhvillimi i vaksinës mARN është një mund i përbashkët e disa instituteve hulumtuese, tre dekadave punë dhe qindra shkencëtarëve. Robert Malone ka kontribuar në zhvillimin e hershëm të kësaj teknologjie për vaksinim, por nuk është i vetmi të cilit i atribuohet shpikja e vaksinën mARN.

Pretendimi i Malone, në të cilin thirret Goxho, se vaksina, pra njerëzit e vaksinuar janë arsyeja pse virusi pëson mutacione është skandaloz! Vërtetuesit e fakteve të „Reuters” e kanë hodhur poshtë këtë pretendim si të pavërtetë.

Është fakt se koronavirusi filloi të pësojë mutacione që para fillimit të vaksinimit. Në 20 dhjetor të vitit 2020, janë regjistruar të paktën 7 lloje, pra mutacione të virusit (në mesin e të cilave edhe lloji Delta, lloji më i përhapur dhe më ngjitës tek ne dhe në botë), ndërkohë që vaksinimi ende nuk kishte filluar.

Sipas disa burimeve, virusi përson mutacione për shkak të  personave të pavaksinuar.

Një nga karakteristikat kryesore të koronavirusit është proteina spike, e cila i mundëson virusit të ngjitet tek një qelizë nikoqire dhe të shkaktojë infeksion. Pikësisht këtë proteinë spike synon ta sulmojë vaksina që ta bllokojë virusin. Tek personat e pavaksinuar, virusi hyn në qelizë dhe e kthen atë në një fabrikë. Virusi pastaj replikohet me mijëra herë. Nëse gjatë replikimit ndodh ndonjë gabim, këtë shkencëtarët e quajnë mutacion.

Goxho gjithashtu flet edhe për sigurinë e vaksinave, përsëri duke iu referuar Dr. Zelenkos.

Doktor Zelenko thotë se në tre muajt e parë pas aplikimit të vaksinës, në të shumtën e rasteve vjen deri tek krijimi i trombeve, që shkaktojnë infarkt në tru e zemër. Sipas tij, 40% e rasteve të trombeve paraqiten në tre ditët e para. Përveç kësaj, është vërtetuar se shkalla e aborteve tek gratë shtatzëna që vaksinohen në tre muajt e parë të shtatzënisë rritet për tetë herë, nga 10 në 80%.

Nuk ka dëshmi se vaksinat shkaktojnë mpiksje të gjakut dhe aborte spontane.

Sa i përket testit PCR, Goxho thotë se „testi nuk shërben për diagnostikim, këtë e thotë edhe OBSH dhe Agjencia e ushqimit dhe barnave, si dhe vetë shpikësi, nobelisti Kary Mullis, që e shpiku testin PCR.

Edhe kjo nuk është e vërtetë dhe „Vërtetmatësi“ tashmë e ka zbardhur edhe këtë informacion.

OBSH dhe CDC asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim efikasitetin e testeve PCR. Testi PCR e detekton me precizitet praninë e koronavirusit.

Postime të shumta në Facebook gjatë pandemisë në mënyrë të rreme pretendonin se njeriu që e ka shpikur testin, Dr. Kary B. Mullis, ka thënë se nuk mund të zbulonin asnjë sëmundje infektive. Por nuk ka kurrëfarë dëshmish që shpikësi i testit PCR e ka thënë një gjë të tillë. Testi PCR përdoret për më shumë analiza shkencore.

Në intervistë Goxho flet edhe për maskat si mjet për mbrojtje nga Kovid-19, për të cilat thotë se nuk mbrojnë nga përhapja e sëmundjes. Edhe sa i përket kësaj teme „Vërtetmatësi“ deri më tani ka publikuar disa tekste në të cilat demantohen pretendimet e këtilla.

Si përfundim, intervista me Gordana Goxhon është plot me të pavërteta në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe vaksinat kundër tij. Studimet të cilave u referohet Goxho nuk kanë bazë shkencore dhe bazohen në deklaratat e bëra nga vetë autorët. Implikimet se maskat nuk mbrojnë nga Kovid-19 dhe se vaksinat kundër Kovid-19 janë të dëmshme mund ta dëmtojnë shumë procesin e imunizimit si e vetmja rrugëdalje nga pandemia që tashmë ka marrë miliona jetë në të gjithë botën.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari