Në Ukrainë nuk shkatërrohen “fashistët global”, por vritet popullata civile dhe fëmijë

Гранатирана зграда во Харков Фото: Принтскрин видео

Ndryshe nga pohimi absurd në postimin se “ushtria ruse po shkatërron fashistët global dhe dëgjuesit e tyre”, në luftën në Ukrainë që Rusia e nisi më 24 shkurt, pësojnë ushtarët, por edhe civilët e pafajshëm, mes tyre edhe shumë fëmijë. Sipas autoriteteve ukrainase deri më tani (02.03.2022) janë vrarë më shumë se 2000 civilë. Vrasja e civilëve është konfirmuar nga Kombet e Bashkuara. Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se në Ukrainë janë raportuar më shumë se 500 viktima civile, duke përfshirë të paktën 136 të vrarë dhe 400 të plagosur, por pritet që numri aktual të jetë shumë më i lartë.

 

 

Recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin pretendohet se në Ukrainë nuk ka luftë mes kombeve vëllazërore ortodokse, por Rusia vret “fashistët globalë”. Ky është dezinformim i plotë.

Në postim thuhet:

Nuk ka luftë në Ukrainë midis dy kombeve ortodokse vëllazërore. Ushtria ruse po shkatërron fashistët globalë dhe dëgjuesit e tyre.

Ndryshe nga pretendimi absurd në postim, në luftën në Ukrainë, që e nisi Rusia më 24 shkurt, po pësojnë ushtarët, por edhe një popullatë e pafajshme civile, mes tyre edhe numër i madh i fëmijëve.

 

NË UKRAINË VUAJNË CIVILËT DHE FËMIJËT, JO FASHISTËT GLOBALË

Sipas një prej njoftimeve të fundit nga autoritetet ukrainase, deri më tani (2 mars 2022) janë vrarë më shumë se 2000 civilë.

Ukraina njofton se nga fillimi i pushtimit, kanë vdekur 21 fëmijë, ndërsa 55 të tjerë janë plagosur. Ky informacion u publikua nga Avokati i Popullit në Ukrainë.

Në shtatë ditët e luftës, Rusia shkatërroi qindra ndërtesa, spitale dhe kopshte, thanë zyrtarët ukrainas, transmetuan mediumet.

Raportohet se janë vrarë dhjetra punonjës të ambulancës se zjarrfikësit shuan më shumë se 400 zjarre që shpërthyen pas sulmeve ruse në të gjithë vendin, ndërsa ushtria dhe policia çaktivizuan 416 pajisje shpërthyese.

Numri i të vdekurve në Ukrainë është rritur që nga dita e parë e pushtimit rus, kur u regjistruan 57 persona të vrarë dhe 169 të plagosur. Këto shifra përfshijnë ushtarë dhe civilë. Këta nuk janë “fashistë globalë”, por banorë të Ukrainës.

 

VRASJEN E CIVILËVE E KA KONFIRMUAR EDHE OKB

Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, ka thënë se janë raportuar më shumë se 500 viktima civile në Ukrainë – duke përfshirë të paktën 136 të vrarë dhe 400 të plagosur, por pret që numri aktual të jetë shumë më i lartë, raportoi CNN.

Shumica e viktimave ishin nga përdorimi i armëve shpërthyese me një gamë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet e artilerisë së rëndë dhe sistemet e shumta raketore dhe sulmet ajrore. Këto janë vetëm viktimat që ne kemi qenë në gjendje të verifikojmë dhe bilanci real ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, thuhet në njoftimin e zyrës së OKB-së, që e transmetoi CNN.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, gjatë fjalimit të tij para Këshillit të OKB-së, dënoi Rusinë për vrasjen e civilëve në Ukrainë, duke ngritur idenë se Rusia duhet të përjashtohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Ata po shkatërrojnë infrastrukturën kritike që u siguron miliona njerëzve në të gjithë Ukrainën ujë të pijshëm dhe gaz për t’i mbajtur ata nga ngrirja deri në vdekje dhe energji elektrike. Janë granatuar autobusë civilë, makina dhe madje edhe autoambulanca. Rusia e bën këtë çdo ditë në të gjithë Ukrainën, tha Blinken.

Ditët e fundit, sulmet ruse kanë goditur civilë, që tregon zhvendosje drejt bombardimeve shumë më agresive. Sulmet e mëparshme ruse janë fokusuar më shumë në caqet ushtarake.

Dy ditë më parë, BBC raportoi se dhjetëra civilë ishin vrarë në Harkov, ndërsa granatimet vazhduan deri në mëngjes, kurse banorët të frikësuar fshihen në strehimore nëntokësore.

 

USHTRIA RUSE GJUAN OBJEKTE CIVILE, SPITALE, MUZE, SHKOLLA

Sulmet e artilerisë dhe raketave ruse, pas Kievit goditën Harkovin, qytetin e dytë më të populluar të Ukrainës. Videot e postuara në rrjetet sociale dhe të konfirmuara nga CNN treguan shkatërrime të konsiderueshme në pjesën verilindore të qytetit. Një sulm goditi një kompleks rezidencial pranë një spitali, ndërsa gjithashtu u goditën policia rajonale dhe Universiteti Kombëtar i Harkovit.

Forcat ruse kanë shtuar sulmet ndaj vendbanimeve në Ukrainë, duke bombarduar një shesh në Harkov dhe një kullë televizive në Kiev.

Sipas autoriteteve ukrainase, pesë persona u vranë në sulmin e pasdites në kullën televizive, disa kilometra larg qendrës së Kievit dhe pranë ndërtesave të shumta të banimit. Në sulmin rus me raketë në një ndërtesë administrative në Harkov, u vran të paktën gjashtë persona. Gjatë ditës, ekipet e shpëtimit nxorrën viktimat dhe të mbijetuarit nga nën rrënojat e ndërtesës.

Granatat ranë pranë një qendre tregtare në Harkov ndërsa luftimet vazhduan në rrugë.

Në Harkov, trupat ruse sulmuan një qendër mjekësore ushtarake, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve Unian. Luftimet shpërthyen me forcat ukrainase. Nga pala ukrainase thonë se granatat ruse ranë në qendër të qytetit, duke përfshirë ndërtesa banimi, si dhe ndërtesën e administratës rajonale, raporton “Deutsche Welle“.

Në sulmin e ushtrisë ruse në Harkov, rëndë është dëmtuar edhe ndërtesa e konsullatës sllovene, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme sllovene në Twitter.

Në ditën e gjashtë të pushtimit rus të Ukrainës, ushtria vazhdon të gjuajë me raketa dhe raketahedhës të shumtë në qytetet ukrainase Harkov, Çernihiv, Sumi, Mariupol dhe të tjerë me dijeninë e plotë se ata po vrasin civilë, e jo ushtarë, shkruan analisti ukrainas Roman Rukomeda në tregimin e tij të pestë për pushtimin rus të Ukrainës, të cilin ai arriti ta dërgonte në EURACTIV, edhe përkundër qasjes së kufizuar në internet.

Sipas raportit të tij, janë shkatërruar 80 kopshte, shkolla, fakultete, spitale dhe objekte social-arsimore. Ata synojnë qëllimisht spitalet, si në Harkov, të shkaktojnë sa më shumë vdekje të civilëve.

Forcat ushtarake ruse hodhën me raketa gjithashtu një nga monumentet më tragjike në Kiev – Babi Jar, ku mijëra hebrenj, romë, ukrainas dhe kombësi të tjera u vranë nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

MBI 800 000 REFUGJATË E KANË LËSHUAR UKRAINËN

BBC raporton se më shumë se 830,000 civilë janë larguar nga Ukraina.

Bashkimi Evropian (BE) vlerëson se deri në katër milionë njerëz mund të përpiqen të largohen nga vendi për shkak të pushtimit rus. Blloku ka lehtësuar rregullat e refugjatëve dhe thotë se shtetet e tij anëtare do t’i mirëpresin refugjatët me “krahë të hapur”.

Në raportin që e publikuan shërbimet e Komisionerit të Lartë të OKB-së për refugjatët, thuhet se 453,000 janë vetëm në Poloni, kur në ditë mbërrijnë nga 50,000 njerëz.

Sipas raportit të OKB-së, në:

  • Hungari ka 116.348
  • Moldavi 79.315
  • Sllovaki 67.000
  • Rumani 44.450
  • Rusi 42.900
  • Bjellorusi 341
  • 600 njerëz janë vendosur nga këto vende në të tjera në Evropë

BBC janë publikuar shumë video-dëshmi prekëse të ukrainasve që kanë ikur në vende të tjera evropiane për shkak të agresionit ushtarak.

Këngëtarja e njohur e operës dhe xhazit Suzana Alimovna Xhamaladinova nga Ukraina, e njohur si Xhamala, e cila fitoi në vitin 2016 fitoi në Eurovzion me këngën “1944”, është një nga ata që u bënë refugjatë në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës. Ajo tregoi golgotën e saj, duke u strehuar me dy fëmijët e saj në Turqi, pasi dëgjoi shpërthime pranë shtëpisë së saj në Kiev.

Duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë, është e pakuptimtë dhe e turpshme që autori i postimit t’i quajë popullsinë e pafajshme civile dhe fëmijët që janë viktima të luftës në Ukrainë “fashistë globalë dhe dëgjuesit e tyre”. Vetë postimin, e vlerësojmë si dezinformatë e plotë.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari