Në shkollat e Tetovës ka pak fëmijë të infektuar me Covid-19
Gjendja në shkollat e Tetovës është stabile, nga Qendra për Shëndet Publik thonë se nuk ka shumë fëmijë pozitivë me Covid-19. Protokollet krijojnë disa vështirësi në mësimdhënie, por më mirë në shkolla me prezencë fizike, sesa mësim online, thonë edukatorët.
Shkruan: Zoran Dimovski
Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë ka vetëm dy nxënës pozitivë, ndërsa që nga fillimi i këtij viti shkollor janë regjistruar gjithsej 73 fëmijë të infektuar me Covid-19. Sipas shifrave, mund të thuhet se gjendja me virusin nëpër shkolla është stabile, falë protokolleve për mësim, thonë për “Vërtetmatësin” nga Qendra për Shëndet Publik Tetovë.
Në këtë vit shkollor shumica e rasteve kanë qenë individuale, ndërsa në fillim të muajit të kaluar kemi pasur transmetim të sëmundjes, kështu që është dashur të mbyllim mësimet në dy shkolla të Tetovës. Ne anketojmë nxënësit pozitivë dhe bëjmë vlerësim të rrezikut, nëse ka nevojë që klasa e synuar të shkojë në izolim, apo vetëm disa fëmijë, të cilët ishin afër atij që ka dalë pozitiv. Por, për shembull, nëse fëmija ka qenë dhjetë ditë në shtëpi, atëherë nuk ka nevojë që dikush nga shkolla të shkojë në izolim, inkubacioni ka mbaruar.
Tani kemi dy nxënës pozitivë, me një fëmijë kemi bërë anketë, është infektuar në shtëpi nga vetë prindërit. I njëjti fëmijë ishte në shtëpi shtatë ditë më parë, që do të thotë se nuk ka nevojë të izolohet e gjithë klasa. Tani duhet të bëjmë anketë me fëmijën tjetër, thotë Zorica Apostoloska, epidemiologe në Qendrën për Shëndet Publik Tetovë.
Më 5 nëntor të këtij viti, nxënësit e shkollës së mesme “Kiril Pejçinoviq” dhe shkollës ekonomike “8 Shtatori” në Tetovë, bojkotuan mësimin dhe mbajtën protestë paralajmëruese, duke kërkuar që shkollat dhe komuna, si dhe institucionet, të respektojnë në vazhdimësi dhe zbatojnë masat për mbrojtje nga Covid-19. Ata kërkuan që transporti i nxënësve të bëhet sipas protokolleve, si dhe më shumë dezinfektues nëpër shkolla.
Nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës për “Vërtetmatësin”, thonë se nëpër shkolla ka mjete të mjaftueshme për dezinfektim. Ata konfirmuan se transportuesit që bartin nxënësit, nuk ui kushtojnë shumë rëndësi protokolleve. Gjithashtu, shtojnë se ka shumë turma, sidomos në furgon, duke theksuar se inspektorët duhet të jenë më shumë në terren dhe të bëjnë punën e tyre.
Të gjithë e dimë se kur ishte vala e madhe e Covid-19, mësimi zhvillohej online, nuk kishte prani fizike të studentëve. Kur qeveria vendosi që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike, prej atëherë komuna i ka marrë të gjitha masat mbrojtëse për të mundësuar zhvillimin e këtij procesi. Këto masa respektohen në të gjitha shkollat, ka distancë, maska mbrojtëse dhe materiale të tjera të nevojshme, mjete për dezinfektim dhe nuk ka pengesa për të ndërprerë mësimin, ai zhvillohet normalisht. Nëse paraqitet ndonjë rast i infektimit të nxënësve, ndërmerren masat, sipas protokolleve. Është e vërtetë që protokollet e furgonëve nuk respektohen aq shumë, ka shumë njerëz, por kjo duhet të kontrollohet nga ato organe që kanë kompetenca, të monitorojnë gjërat që të mos ketë infektime në transportin publik, tha Nazmi Dauti – udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës.
Nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës, thonë se në fillim kanë pasur probleme me matjen e temperaturës së fëmijëve para hyrjes në shkolla, duke pasur parasysh mungesën e stafit, por edhe kontrollin e mijëra fëmijëve në disa shkolla të caktuara.
Mendoj se këto protokolle janë të nevojshme sepse bëhet fjalë për shëndetin e nxënësve dhe jam që të respektohen me përpikmëri masat. Dua të them që pandemia ndikon në suksesin e nxënësve, nuk është e njëjta situatë kur jemi në pandemi, humbet përqendrimi tek fëmijët. Të gjithë duhet të respektojmë masat, për veten dhe për rrethin. Duhet të kemi kujdes, të rinjtë lëvizin kudo, udhëtojnë me furgona, ndaj duhet të respektohen të gjitha masat, tha Dauti.
Nebojsha Arsiq, drejtor i shkollës rajonale “Bratstvo Migjeni” në Tetovë, thotë se për momentin është pak problematik kalimi nga mësimi online, i cili u mbajt vitin e kaluar për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, në mësimin me prezencë fizike, por sipas tij, nga gjysmëvjetori i dytë nxënësit do të mësohen. Ai thotë se ka disa vështirësi me protokollet, sidomos me mbajtjen e maskave, për shkak të të cilave edhe fëmijët humbin përqendrimin, kështu që nuk mund të ndjekin mësimet me kapacitet të plotë. Megjithatë, e gjithë kjo nuk ndikon në suksesin e përgjithshëm të nxënësve.
Kur mësimi ishte online kishte disa vështirësi që ndikuan negativisht në sukses. Nuk kishte disiplinë të mjaftueshme, nuk kishte rregullsi dhe tani pas një viti i kthen në klasa me prezencë fizike dhe protokolle të caktuara me maska, dhe e gjithë kjo ndikon te fëmijët. Kur mësimi ishte online, na mësonin me plot risi dhe tani, derisa e kapin ritmin, do t’u duhet sërish kohë. Por, me mësimin online kishte probleme më të mëdha, kryesisht nga aspekti teknik. Nxënësit ankoheshin se nuk ka internet, nuk ndizet kamera, disa fëmijë madje nuk kishin laptop dhe nuk mund të inkuadroheshin, e kështu me radhë.
Tani, fëmijëve më shumë ju pengon vendosja e maskës, sepse maska duhet të mbahet gjatë gjithë orës. Kjo i mundon, nuk kanë oksigjen të mjaftueshëm, mendojnë të heqin maskën, pastaj ta vendosin, ndërsa kështu humbasin përqendrimin.
Ndërsa protokollet e tjera nuk janë problematike. Për shembull, nuk duhet të përzieni me klasat e tjera, nuk duhet të dalin jashtë në pushimin e madh, kjo nuk është problem, thotë drejtori Arsiq.
Pandemia e ka marrë taksën në procesin arsimor, pajtohen bashkëbiseduesit e “Vërtetmatësit”, por solli edhe disa gjëra pozitive, sidomos te fëmijët. Pas shumë muajsh me orë policore dhe izolim, fëmijët tani vlerësojnë çdo moment të kaluar me miqtë dhe mësuesit, dhe i kushtojnë më shumë vëmendje higjienës personale – mbrojtjes, që është veçanërisht e rëndësishme për parandalimin e Covid-19 dhe sëmundjeve të tjera infektive.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari