Në Kopshtin Zoologjik për dy ditë u vranë më shumë se 10 kuaj dhe mushka si ushqim për luanët

Është e paqartë se nga vijnë këto kafshë që dje dhe sot u mbytën në kopshtin zoologjik në Shkup. Drejtori i Kopshtit zoologjik, Kristian Stamenov, pohon se u janë dhënë nga Agjencia për prona të konfiskuara, ndërsa drejtori i Agjencisë, Faton Asani, thotë se në pesë vitet e fundit që kur ai është drejtor, nuk ka ndodhur t’u jepet asnjë kafshë e gjallë në kopshtin zoologjik dhe gjithashtu, nuk është mbytur asnjë kafshë.

 

Në kopshtin zoologjik të Shkupit në dy ditët e fundit janë vrarë mbi 10 kuaj dhe mushka për t’u dhënë ushqim kafshëve mishngrënëse, dëshmojnë së paku tre punonjës të kopshtit zoologjik, ndërsa informacionin e konfirmoi drejtori Kristijan Stamenov. “Vërtetmatësi” ka hasur në njërën nga fotot ku shihet gjak në asfalt në Kopshtin Zoologjik si pasojë e vrasjes së kafshëve. Punonjësit e këtij institucioni reagojnë se deri më tani nuk ka ndodhur që kuajt të vriteshin në mes të Kopshtit Zoologjik, ndërsa ushqimi për kafshët ishte siguruar ekskluzivisht me tender.

Ka deklarata të ndryshme se si kuajt mbërritën në kopshtin zoologjik për t’u vrarë. Drejtori i Kopshtit Zoologjik, Stamenov, pohon se ato i ka dhënë Agjencia për prona të konfiskuara, ndërsa drejtori i Agjencisë, Faton Asani, thotë se në pesë vitet e fundit, që kur ai është drejtor, nuk ka ndodhur që Kopshtit t’i jepen kafshë të gjalla. Prej aty lind pyetja nëse kafshët janë sjellë ligjërisht dhe legjitimisht në Kopshtin Zoologjik, që më pas të vriten.

Kemi mundësi për shfrytëzim ekonomik të kafshëve. Këto kafshë na janë dhënë nga Agjencia për pasuri të konfiskuara dhe janë kafshë që nuk janë për përdorim. Ata pak që janë të shëndetshëm mund të jenë ekspozita, por të tjerët kishin plagë dhe lëndime. Ne punësuam një person të veçantë që vrau kafshët, ne e kemi një mundësi të tillë ligjore. Na dhanë 16 kafshë. E di që askush nuk është i kënaqur me këtë, por ne kemi kafshë mishngrënëse dhe në momentin që na jepen, neve na takon të gjykojmë nëse mund të jenë ekspozitë apo jo, thotë Stamenov për “Vërtetmatësin”.

Nëse shihen të dhënat nga ueb-faqja për prokurim publik, shihet se ka pasur tender për prokurimin e mishit si ushqim për kafshët në maj të këtij viti, në vlerë prej 73 mijë eurove, për tërë vitin.

Prandaj, është e paqartë pse kafshët gjithsesi u vranë si ushqim për mishngrënësit.

Ajo që mbetet gjithashtu e paqartë është origjina e këtyre kuajve, të cilët sipas njohurive të deritanishme janë sekuestruar nga hajdutët e drurit dhe i janë dorëzuar Agjencisë së pasurive të konfiskuara.

Të gjithë bagëtinë që na mbërrijnë e dorëzojmë në burgun e Idrizovës, sepse nuk kemi as stalla e as ushqim për kafshët. Në burg ka stalla dhe aty kujdesen për kafshët, natyrisht që nuk i vrasin. Kemi procesverbal për çdo kafshë të dorëzuar. Nuk kemi dorëzuar kurrë kafshë në Kopshtin Zoologjik, të paktën jo në pesë vitet e fundit që jam unë qenë drejtor. Le të tregojnë dokument dorëzimi, pasi ne nuk kemi një procesverbal të tillë, thotë për “Vërtetmatësin”, drejtori i Agjencisë Faton Asani.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se nuk janë të njohur me rastin, por se çdo kafshë para se të vritet dhe të shërbehet si ushqim për mishngrënësit duhet të ekzaminohet nga një veteriner, i cili do të vlerësojë gjendjen e saj shëndetësore dhe duhet të ketë dokumentacionin e duhur për çdo kafshë.

 

 

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.