Në Kërçovë ka rënë interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar kundër KOVID19

Kohëve të fundit në Komunën e Kërçovës ka rënë interesi i qytetarëve për tu vaksinuar me vaksinën kundër KOVID19. Aktualisht situata me KOVID19 në këtë komunë është e qetë megjithatë autoritetet lokale thonë se ditëve të fundit ka një tendencë në rritje të rasteve të reja. Festat e fund vitit dhe ardhja e qindra mërgimtarëve në vendlindje mundet të jenë indikator që numrat pozitiv me KOVID19 të rriten gjatë kësaj periudhe, shkruan Portalb.mk.

Procesi i vaksinimit në Komunën e Kërçovës ecën me ritme të ngadalta. Sipas raportit të fundit të Institutit të shëndetit publik (për periudhën nga 6-12.12.2021) në këtë komunë janë vaksinuar 37,4 për qind e popullsisë së përgjithshme. Sipas statistikave të publikuara nga ISHP në Kërçovë është vaksinuar 41,2 për qind e popullsisë mbi 12 vjeç dhe 43,7 për qind e popullsisë mbi 18 vjeç, të cilat në total përbëjnë 37,4 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Burimi: Instituti për Shëndet Publik
Burimi: Instituti për Shëndet Publik

Autoritet relevante lokale në Komunën e Kërçovës thonë se kohëve të fundit ka rënë interesi i qytetarëve për tu vaksinuar me dozën e parë ndërsa mbetet i kënaqshëm interesi që qytetarët kanë shprehur të pranojnë dozën e tretë të vaksinës apo siç njihet ndryshe doza përforcuese.

“Sipas evidencës së shërbimeve të mija në Komunën tonë janë vaksinuar mbi 22 000 qytetar me dozën e parë kundër KOVID19, duke i përfshirë nga mosha 13 vjeçare e deri te moshat e mëdha. Me dy doza janë vaksinuar diku rreth 20 000 qytetar ndërsa me tri doza 1 900 qytetarë. Brengos fakti që kohën e fundit ka rënie të interesit për dozën e parë ndërsa për dozën e tretë vazhdon të ketë mjaft interesim. Për grip sezonal deri në këtë moment janë vaksinuar rreth 1700 qytetar”, deklaroi Xhabir Bajrami, drejtor i Shtëpisë së shëndetit në Kërçovë.

Që nga fillimi i pandemisë, sipas ISHP ( gjendja më 06-12.12.2021), në Kërçovë janë regjistruar gjithsej 4 255 të sëmurë prej të cilëve 4016 të shëruar182 persona rezultojnë të vdekur ndërsa ka 57 raste aktive. Aktualisht në këtë Komunë gjendja është stabile por festat e fund vitit dhe ardhja e qindra mërgimtarëve në vendlindje për festa mundet ta ndryshojë shumë situatën aktuale.

“Për momentin situata me KOVID19 në Komunën e Kërçovës është relativisht e qetë me tendence rritje këta dy ditët e fundit”, shtoi Dr. Bajrami.

Për të mbajtur në kontroll situatën epidemiologjike gjatë festave, Ministria e Shëndetësisë nuk parashikon kufizime të reja gjatë ditëve në vijim.  

“Konsideroj se nuk ka nevojë për asnjë lloj kufizimi por në mënyrë absolute ka nevojë për respektim te protokolleve të cilat edhe tani janë në fuqi. Të gjitha festat që janë para nesh, iu bëj thirrje qytetarëve të mbajnë llogari t’i mbajnë maskat, distanca është shumë e rëndësishme që të mos përballemi sërish me përkeqësim të situatës epidemiologjike. Të gjitha masat mbeten të njëjta, janë dimensionuar që të mos krijojnë shumë rrëmujë brenda hapësirave të mbyllura. Shpresoj të mos kemi përkeqësim të situatës apo paraqitjen e ndonjë varianti të ri”, deklaroi Venko Filipce, Ministër i Shëndetësisë.

Sidoqoftë, mjekët apelojnë që qytetarët të vaksinohen sa më shumë, me theks të veçantë tani që jemi në prag të festave dhe interaksioni mes njerëzve është më i lartë se zakonisht. Rritjen e rasteve pozitive në prag të festave e ndërlikon edhe paraqitja e variantit Omicron i cili ka potencial të lartë për tu përhapur shumë shpejt.

“Pak para fundit të vitit 2021, 56.6% e popullsisë së botës mori të paktën një dozë të vaksinës Covid-19. Në nivel global, 8.63 miliardë doza janë administruar dhe 37.22 milionë doza janë administruar çdo ditë. Fatkeqësisht, këto shifra nuk pasqyrohen në vendet me të ardhura të ulëta ku vetëm 7.6% e njerëzve kanë marrë të paktën një dozë. Në pritje të festave në mbarë botën, edhe në vendin tonë, rastet me Covid-19 janë në rritje. Përveç kësaj, shfaqja e variantit të ri Omicron përshpejton përhapjen e infeksionit, veçanërisht në tokën evropiane, duke çuar në intensifikimin e masave epidemiologjike dhe karantinave në një sërë vendesh të Evropës Perëndimore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar variantin shumë ngjitës të Omicron KOVID-19 si shkak për shqetësim. Duke qenë se grumbullimet nisin të shtohen për festat e fund vitit, të gjithë mjekët duhet t’i bëjnë thirrje popullatës që të vaksinohet kundër KOVID-19 nëse nuk e kanë bërë këtë, por edhe të vaksinuarve që kanë kaluar 6 muaj nga kjo, të marrin një dozë përforcuese”, u shpreh për Portalb.mk Aleksandra Gligorieva nga Oda e Mjekëve në RMV.

Në analizën e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë theksohet rëndësia e vaksinimit të popullatës, si zgjidhje e vetme për tejkalimin e krizës me pandeminë. Brenda analizës theksohet se 67% e rasteve pozitive me Kovid, të cilat janë diagnostikuar nga muaji gusht e deri në mes të dhjetorit kanë qenë të pa vaksinuar. 98% e personave të hospitalizuar janë të pa vaksinuar, ndërsa vetëm 2% e të gjithë atyre që momentalisht janë të shtrirë në Spital janë të vaksinuar plotësisht. Edhe vdekshmëria, sipas analizës tek personat e pa vaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë se sa tek personat e imunizuar kundër Kovid19. Që nga fillimi i epidemisë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 220.794 raste ne KOVID19, prej të cilëve 207.563, persona janë shëruar, 7.794 kanë humbur betejën me KOVID19, ndërsa 5.437 raste rezultojnë aktive.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari