Në gjendje të jashtëzakonshme protesta paraqet vepër penale, “fan page” të kenë kujdes!
Fan page në rrjetin social Facebook mund të jenë kanale online që funksionojnë të “pa përfshira” në rregulloret dhe ligjet e shtetit tonë, por kjo nuk nënkupton se të njëjtat kanë “luksin” të publikojnë dezinformata që mund të nxisin qytetarët të kryejnë vepra penale. Kjo bile bëhet ende më e papranueshme, nëse i analizojmë politikat dhe rregulloret e vet “Facebook”.
Data e publikimit: 15.05.2020
Data e recensionit: 16.05.2020
Recension: Fatbardha Curri
Kësisoj ka vepruar dhe fan page “Duam Çair të Pastër” i cili nëpërmjet shkrimeve të qytetarëve ka bërë thirrje për protestë në kohë kur në fuqi është gjendja e jashtëzakonshme. Thirrja për protestë është bërë duke publikuar informacione të paverifikuara, siç është rasti me informatën që thotë se karantina zgjat 30 ditë.
“Me ligj karantina duhet me zgjat 30 dit, te ne po zgjat që 2 muaj. A jeni të mendimit se duhet fund me i dhanë këtij manipulimi???”, thuhet mes tjerash në informacionin e publikuar në “Duam Çair të Pastër”.
Se karantina duhet të zgjasë 30 ditë është dezinformatë, sepse nëse e shohim kuptimin e saj, ajo paraqet “masë mbrojtëse që merret për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve epidemike, duke i mbajtur njerëzit e sëmurë në një vend përkohësisht të veçuar nga të tjerët ”.
Sipas këtij sqarimi dhe sipas masave në fuqi për parandalim të virusit korona, në karantinë për dy javë qëndrojnë vetëm personat që kanë ardhur nga jashtë shtetit, ndërsa qytetarët të cilët nuk kanë ardhur nga jashtë shtetit, nuk kanë pasur simptome, nuk kanë qenë në kontakt me persona të infektuar – ata nuk duhet te shkojnë në karantinë.
Publikimi i këtij shkrimi, ka nxitur edhe thirrje për protestë. Sado që qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, për derisa është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme – kjo e drejtë është e ndaluar me Kushtetutë.
“Qytetarët kanë të drejtë të tubohen në protestë pa paralajmërim paraprak dhe pa leje të veçantë. shfrytëzimi i kësaj të drejte mund të kufizohet në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme dhe të krizës”, parashihet në Kushtetutë.
Thirrjet për protestë erdhën pas vendimit presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski për ta vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme, e cila me Kushtetutënuk precizohet se sa herë mund të vazhdohet. Ky vendim te qytetarët u interpretua si përpjekje për vazhdim të orës policore apo kufizimit të lëvizjes. Ora policore mund të shpallet në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, por vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkupton me automatizëm që edhe ora policore do të jetë në fuqi.
Ndërkaq, nëse analizojmë politikat e rrjetit social “Facebook” për faqet, mund të shohim dy momente të cilat e kundërshtojnë këtë mënyrë të funksionimit të “Duam Çair të Pastër”. Njëri moment thotë se faqet nuk duhet të interpretojnë në mënyrë të pasaktë përmbajtje të caktuara apo t’i inkurajojnë përdoruesit t’i interpretojnë në atë mënyrë dukuritë e caktuara shoqërore dhe momenti i dytë thotë se njerëzit nuk duhet të stimulohen për të keqpërdorur mënyrën se si funksionon “Facebook”.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari