Ndjenja e përkatësisë si mjet i ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut

Фото: Принтскрин колаж

 

Një nga mënyrat më të thjeshta të ndikimit tek një rreth më i gjerë i njerëzve, e që po përdoret në vazhdimësi nga ana e Rusisë gjatë veprimit të saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është ndërtimi dhe kultivimi i narrativit për përkatësi të përbashkët (në marrëdhëniet ndërkombëtare kjo teori njihet edhe si „aleancë natyrore“). Uniteti dhe përkatësia e përbashkët lidhen me sllavizmin, fenë, gjuhën, traditën, ndërsa kohëve të fundit gjithnjë e më shumë edhe me sistemin e vlerave i cili i bën që si shtete dhe popuj të dallojnë nga ai  „Perëndimor“

 

Shkruan: prof. d-r. Mirjana Najçevska, eksperte për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut

 

Prejardhja dhe lidhshmëria tradicionale

Edhe pse sllavizmi si pikë lidhëse me Rusinë nuk përmendet edhe aq shpesh (siç ndodh në Serbinë fqinje apo në periudhën kur antikizimi në Maqedoni ende nuk kishte marrë aq shumë hov), ai nuk duhet të neglizhohet. Përkatësia e sllavizmit paraqitet edhe si një mallkim dhe si një dhuratë, por sido që të jetë ajo promovohet, në heshtje dhe tinëz, kundrejt atyre të tjerëve të „Perëndimit“:

Bota e sllavëve të asocion në një diegie emocionale, pasione të shfrenuara, irracionalitet vetëvrasës, dalldi ortodokse dhe përzierje eksplozive lotësh dhe hareje. Nga ana tjetër, Perëndimi konsiderohet si i matur dhe tolerant, protestant racional dhe i qytetëruar. Dhe ja, erdhi koha që luftërat e përditshmërisë sllave të duken si një sfidë banale fëminore në raport me ato perëndimoret.

Sllavizmi është gjithmonë i pranishëm në tekstet që kremtojnë Kirilin dhe Metodin

Dita e iluministëve mbarëmaqedonas dhe mbarësllavë, Dita e kulturës dhe shkrimit  mbarëmaqedonas dhe mbarësllav, Dita e Vëllezërve nga Selaniku, dita e Apostujve të shenjtë maqedonas Kirili dhe Metodi!

Shumë shpesh e përbashkëta implikohet me përdorimin e termave „popuj vëllazëror” dhe „marrëdhënie vëllazërore”. Me këto terma (të cilat gjenden në një pjesë të madhe të teksteve, sidomos atyre në rrjetet sociale) promovohet dhe mbështetet ideja për një lidhshmëri tradicionale mes Rusisë dhe Maqedonisë, pra popullit rus dhe atij maqedonas:

MËMËDHE MAQEDONIA do të rinovojë marrëdhëniet e ngushta dhe vëllazërore me Rusinë, të ndërprera në mënyrë të panatyrshme nga interesat e tjera globale në shekullin e kaluar dhe, siç thuhet në strategjinë e programit gjeostrategjik, do ta përfshijë Maqedoninë në Bashkimin Euroaziatik të popujve liridashës vëllazërorë nga Lisbona e deri në Vlladivostok.

Kështu do të ripërtërijmë lidhjet e ngushta historike midis dy popujve vëllazërorë që i kanë rrënjët tek Aleksandri i Madh me Bodriçët (Obodritët) dhe Ruriku, i cili mori pjesë në krijimin e shtetit rus, përmes iluminuesve maqedonas dhe gjithësllavë Shën Klimenti dhe Naumi, Shën Kirili dhe Metodi, nëpërmjet pjesëmarrjes së regjimentit vullnetar maqedonas në luftën e Krimesë në shekullin XIX dhe veprimtarisë së intelektualëve dhe luftëtarëve maqedonas për liri kombëtare në Shën Petersburg, Dimitrija Çupovski dhe Krste Misirkov, Vëllezërit Miladinov.

Këto shprehje gjoase dashamirëse për unitetin dhe referimi ndaj rrënjëve historike të lidhjes (të cilat janë në kundërshtim me faktet historike), kanë si rezultat një mbështetje të qeverisë aktuale në Rusi, madje edhe akte të mbështetjes së drejtpërdrejtë të agresionit të Rusisë së Putinit ndaj Ukrainës:

Maqedonas, të shtunën në orën 14:30 para ambasadës ruse në Shkup do të organizohet një tubim për të shprehur pakënaqësinë për faktin që hunta pushtuese na futi në listën e armiqve të Rusisë, me moton “Maqedonia e Veriut është armiku juaj, maqedonasi është vëllai juaj!”

Shpërndani lajmin dhe të gjithë të bashkuar të shkojmë para ambasadës ruse dhe t’i japim mbështetje Rusisë kundër propagandës dhe rusofobisë në Severxhanistan!!!

Duke pasur parasysh se ndikimi rus përhapet më lehtë tek ata që shohin rrezik në pranimin e vlerave „perëndimore” dhe demokracisë „perëndimore”, problemi i sllavizmit si emërues i përbashkët bie ndesh me idenë e origjinës së lashtë të maqedonasve të sotëm dhe lidhjeve të drejtpërdrejta me Aleksandrin e Madh.

Për ta zgjidhur këtë kontradiktë, në disa nga portalet shfaqen „аnaliza” më ekstreme në të cilat lidhja mes Maqedonisë dhe Rusisë lidhet me origjinën maqedonase të rusëve:

Për ta mbështetur këtë pretendim, do të përdorim një fragment nga libri Origjina e sllavëve (Historia e vjedhur, Dr. Petar Popovski, fq. 361-362) ku thuhet qartë: “Në dokumentin e lashtë të shkruar Analiza Moskoviane, në mënyrë decide pretendohet se rusët, pra moskovitët, që kanë pasur prejardhje nga territoret maqedonase, kanë folur gjuhë të njëjtë me atë të maqedonasve të lashtë”.

Sipas kësaj, rusët kanë prejardhje nga Maqedonia, ashtu siç edhe gjuha ruse i ka rrënjët nga gjuha maqedonase.

Mirëpo, në tërësi, ata që përhapin idenë e të përbashkëtës dhe lidhshmërisë tradicionale mes maqedonasve dhe rusëve, nuk angazhohen për zgjidhjen e këtij lloj kontradiktash dhe pretendimeve të palogjikshme. Qëndrimi pozitiv ndaj Rusisë ndërtohet më tej edhe përmes promovimit të mbështetjes së supozuar të Rusisë / Putinit për identitetin maqedonas (me ç’rast përsëri shmanget shpjegimi për atë nëse bëhet fjalë për identitet sllav apo identitet që e ka origjinën nga maqedonasit e lashtë):

Ambasada ruse në Shkup, duke cituar deklaratën e presidentit të Federatës Ruse, Vlladimir Putin, “shkrimi dhe leximi erdhi nga toka maqedonase”, uron popullin maqedonas për festën kombëtare, Ditën e iluminatorëve mbarësllavë Shënjtorëve Kirili dhe Metodi.

Kjo pastaj përhapet në mënyra të ndryshme (më piktoreske) në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë dhe me një implikim të qartë për ata „të tjerët” që kontribuojnë në ndryshimin e emrit, gjuhës, identitetit të Maqedonisë dhe maqedonasve.

Lidhja me Rusinë përmes fesë (si pjesë e identitetit të përbashkët) dhe disa deklarata të përgjithshme të Putinit  bëhet edhe kur këto deklarata nuk kanë lidhje direkte apo indirekte me Maqedoninë apo popullin maqedonas.

 

Në këtë mënyrë krijohet përshtypja se ekziston një mbështetje e vazhdueshme e pushtetit në Rusi (sidomos e vetë Putinit) për mbrojtjen e identitetit të maqedonasve dhe njohjen e rëndësisë dhe meritave të Maqedonisë për të gjithë botën sllave.

Rusia gjithmonë e ka nohur pa kushtëzim pavarësinë dhe autenticitetin e gjuhës, historisë, kulturës dhe identitetit maqedonas, tha sot ambasadori rus Sergej Baznikin gjatë vizitës së tij në Kumanovë.

Ky narrativ po përhapet vazhdimisht dhe po fiton në rëndësi, pavarësisht se nuk përkon me realitetin në të cilin Rusia e njeh Maqedoninë me emrin e ri kushtetues Maqedonia e Veriut, as me faktin që Kisha Ruse në asnjë moment nuk ka shprehur vullnet për ta njohur Kishën Ortodokse Maqedonase, si dhe mungesën е mbështetjes ekonomike nga Rusia.

Tregtia përbën rreth 2% të tregtisë të përgjithshme. Investimet e huaja direkte janë 0,5%, kurse remitancat në valutë, të cilat janë motivues i rëndësishëm i ekonomisë maqedonase, gjegjësisht remitancat ruse në Maqedoni marrin pjesë me vetëm 0,1%.

Ajo që bie në sy është se këto lloj tekstesh po përhapen në rrjetet sociale posaçërisht këto kohëve të fundit (që nga fillimi i agresionit të Rusisë së Putinit kundër Ukrainës), pavarësisht se për herë të parë janë shkruar/shpërndarë shumë më herët.

 

Tradita dhe vlerat e përbashkëta

Një mënyrë veçanërisht mbresëlënëse e ndikimit të Rusinë në Maqedoni është përmes pretendimit se të dy popujt/vendet kanë një traditë të përbashkët dhe veçanërisht një sistem të përbashkët vlerash (të kundërta me vlerat, të cilat nëpërmjet të mesazheve në media dhe rrjete të caktuara sociale, përpiqen t’i imponojë vendet „perëndimore”).

Në të shumtën e rasteve mesazhi është i dyanshëm. Ai tregon për një bashkësi të qartë të sistemit të përgjithshëm të vlerave me Rusinë dhe thekson dallimet në raport me vendet „perëndimore”.

Për shembull, në kollumnën me titull: „Na falni Zonja Gallouej, por nuk mund të besojmë në vlera të njëjta“  kushtuar „standardeve të dyfishta” të demokracisë „perëndimore” kundrejt Federatës Ruse, ka një fjali në të cilën befas përmenden Kozakët (ndoshta si një antipod i sllavëve?):

Epo, ju kujtohet largimi i familjes tuaj në Angli në vitin 1911, pasi Kozakët u përpoqën të merrnin (supozoj që ta rrëmbejnë me forcë) stërxhaxhain tuaj katërvjeçar. Dhe duhet të mbani mend, sepse shkulja e rrënjëve për çdo familje është një tragjedi më vete me të cilën edhe unë bashkëndjej.

Jo rrallë herë shfaqet pretendimi sipas të cilit „Perëndimi“ nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë mik i sllavëve. Ata udhëhiqen sipas tij, por vetëm për një kohë të shkurtër.

Dostojevski paralajmëron se Rusia duhet të përgatitet seriozisht për sjelljen e ardhshme të sllavëve, të cilët me entuziazëm do t’i drejtohen Evropës deri në atë pikë sa të humbasin individualitetin e tyre kombëtar, kulturën dhe traditat e tyre. Ai thotë se ata do të infektohen me virusin e institucioneve evropiane, por do të kenë një rrugë të gjatë drejt evropianizimit, duke humbur dalëngadalë identitetin, e me këtë edhe rëndësinë e tyre si popuj sllavë. Ndonëse njerëzit do ta kenë për një kohë të gjatë ndjenjën se Evropa nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë një mike e vërtetë dhe as nuk mund të pritet të ndihmojë në ndonjë telash më të madh, ata do të përpiqen të vendosen nën ombrellën e saj.

Këto lloj tekstesh nuk vendosen në kontekstin e situatës aktuale, lidhjes së vendeve me popullsi kryesisht sllave me  „Perëndimin”, aspiratën e shprehur qartë për unitet brenda BE-së dhe sigurisht ndihmën dhe mbështetjen ekonomike që vjen nga  „Perëndimi”.

Kjo pasohet nga një sërë analizash të vlerave evropiane аnalizash të vlerave evropiane (të cilat vendosen në kolizion me ato të tjerat, ato që nuk janë si të Evropës Perëndimore):

Termi tjetër është termi vlerat evropiane. Ky term lidhet me termin integrime euroatlantike dhe përdoret gjithmonë në kontekstin e tij. Ata kanë për qëllim që të krijojnë një imazh që në BE dhe NATO njerëzit jetojnë sipas vlerave evropiane, ndërsa çdo gjë jashtë tyre është pa vlera, e paqytetëruar e që nëse dëshiron të qytetërohet, i duhen ato integrimet e famshme euroatlantike. Problemi i parë është se vlerat evropiane nuk kufizohen vetëm brenda kufijve të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Vlerë evropiane është edhe alfabeti glagolik, edhe ai qirilik, Koneski, Racini, Andriqi, Dostojevski, Çajkovski etj. Përveç kësaj, Evropa, kur mendohet për Perëndimin, nuk ka prodhuar vetëm vlera. Produkt i Evropës Perëndimore është edhe shovinizmi, imperializmi, racizmi, fashizmi dhe nazizmi.

Kjo shpesh përfundon me glorifikimin e Rusisë dhe veçanërisht të Putinit për luftën e tij për vlerat tradicionale.

Vlladimir Putin e lexoi mesazhin e tij vjetor si President i Federatës Ruse drejtuar Asamblesë Federale. Këtë vit mesazhi u lexua në ditën e 20 vjetorit të Kushtetutës së Federatës Ruse, e cila u miratua më 12 dhjetor 1993, me votim universal. Në fjalimin e tij, Vlladimir Putin theksoi se Rusia do të vazhdojë të mbrojë vlerat tradicionale:

Mbështetja më eksplicite e atyre vlerave ndryshe të cilat i ofron Rusia kundrejt atyre „Perëndimore” bëhet në faqen e internetit Slloboden Svet, e cila vazhdon të përcillet në rrjetet sociale:

Jemi të bindur se civilizimi perëndimor, me modelin e tij ekonomik të tregut liberal, politikën e migracionit dhe idetë e shoqërisë konsumatore, çon drejt vdekjes dhe shkatërrimit të të gjithë popullsisë autoktone evropiane dhe vetëm Rusia, si bastioni i fundit i vlerave tradicionale në Evropë, është në gjendje të sigurojë një jetë paqësore dhe të denjë për të gjithë popujt sllavë dhe popujt e tjerë evropian.

Kështu, injorohet plotësisht fakti që shoqëria konsumatore, tregu liberal dhe politika e migracionit janë po aq të pranishme në Rusi sa edhe në vendet e tjera. Në një pjesë të mediave kjo bëhet duke transmetuar deklarata të zyrtarëve të lartë rus, të cilët aludojnë për afërsinë e popujve dhe mospërputhjen mes asaj që nënkupton opinion publik dhe opinion/qëndrim i grupit aktual politik në Maqedoni, gjegjësisht promovohet se situata aktuale dhe orientimi drejt “Perëndimit” imputohet artificialisht nga strukturat qeverisëse dhe strukturat qeverisëse që janë nën ndikimin e „Perëndimit”,

Fatkeqësisht Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ranë nën ndikimin e Perëndimit, nuk arritën të formonin asnjë politikë të pavarur sa i përket Ukrainës dhe iu bashkuan regjimit të sanksioneve frontale. Kjo padyshim që do i godasë vetë edhe ata, duke e komplikuar kështu situatën tashmë të vështirë ekonomike. Natyrisht, marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë do tendosen. Për të gjitha këto kemi paralajmëruar gjatë dhe shumë herë. Kujtojmë se linja armiqësore e drejtuesve të vendit  ndaj vendit tonë nuk gëzon mbështetje tek publiku. Pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për të imponuar unanimitet shkatërrues, qytetarët e këtyre vendeve janë në gjendje të krijojnë një pasqyrë objektive, ta ndajnë gënjeshtrën propagandistike nga faktet.

„Rendi i ri botëror“, i cili do duhej të bazohet vlerat e përbashkëta sllave promovohet me analiza të supozuara shkencore/profesionale që publikohen në rrjetet sociale (të cilat përsëri e injorojnë plotësisht sistemin aktual politik dhe ekonomik në Rusi):

Rusia nuk ushtron presion ndaj politikës maqedonase,  duam që kështu të veprojnë edhe vendet e tjera, deklaroi sot në Shkup Aleksandar Dugin, këshilltari i parë i presidentit rus Vlladimir Putin krijues i strategjisë mbarësllave të Rusisë, nga paneli i diskutimit „Republika e Maqedonisë në lidhje strategjike me Rusinë dhe anëtarësim në Lidhjen Ekonomike Euroaziatike“

Në një numër të caktuar të teksteve kjo ngrihet në nivelin e një konflikti të frikshëm, i cili shpjegohet me urrejtjen e „Perëndimit” ndaj gjithçkaje që është sllave, madje edhe me synim për të shkatërruar Skenën mediatike ruse: Përmbajtje të kontrolluara me pak hapësirë për mediat e huaja. Sipas disa mediave, tashmë po zhvillohet një luftë biologjike kundër të gjithë sllavëve dhe po prodhohen armë biologjike gjenetikisht të modifikuara që po drejtohen kundër sllavëve.

Koronavirusi më vdekjeprurës për sllavët – Analisti i famshëm gjeopolitik pretendon se rusët kanë prova për origjinën laboratorike të virusit

Pretendimi absurd, i cili bazohet në ekzistencën e popujve të pastër gjenetikisht dhe që anashkalon faktin se ukrainasit dhe rusët janë sllavë, zhvillohet në një teori të bazuar në statistika, e krijuar për të bashkuar të gjithë njerëzit me prejardhje sllave kundër një armiku të përbashkët nga “Perëndimi”.

Ajo që është edhe më e tmerrshme është lista e vendeve sipas numrit të vdekjeve për një milion banorë në botë. Nga 10 vendet me vdekshmërinë më të lartë për një milion banorë, 9 janë anëtarë të grupit të popujve sllavë ose ndajnë një numër të madh gjenesh me popujt sllavë dhe janë vende të Evropës Lindore.

Nëse shkojmë pak më poshtë se 30 vende në botë me vdekshmërinë më të lartë prej një milion banorë nga koronavirusi, 19 vende janë nga Evropa Lindore dhe me një popullsi të madhe sllave!

Теma vazhdon të elaborohet me   „shembuj“ konkret por mënyrën në të cilën do duhej të shfaroseshin sllavët:

Armët biologjike të zhvilluara në Ukrainë ndikojnë në sistemin riprodhues të grave dhe imunitetin e grupeve të caktuara etnike, tha të hënën kreu i agjencisë ruse shtetërore të hapësirës Roscosmos, Dmitrij Rogozin.

Këto „qëllime” të tmerrshme të „Perëndimit” (me gjithë palogjikshmërinë, arbitraritetin e plotë dhe jorealitetin e tyre në aspektin shkencor dhe veçanërisht në aspektin e mungesës së grupeve të pastra etnike) gjejnë vend në rrjetet sociale dhe në media dhe nxisin grupime të reja të bazuara në frikën, sigurinë e përkatësisë në bazë të vlerave tradicionale dhe mbështetjen imagjinare.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.